Po lexoj për këtë çështje një ndodhi të habitshme, të cilën e ka sjellë imam Ibën Kethiri - Allahu e mëshiroftë - në Tefsirin e tij dhe e ka konsideruar të mirë zinxhirin e transmetimit të kësaj ndodhie. Kjo ndodhi është transmetuar nga Ibën 'Abbasi - radijAllahu 'anhuma -, në shpjegimin e sures el-En'am, te Fjala e Allahut të Lartësuar:

الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ أُولَئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُمْ مُهْتَدُونَ

"Ata të cilët besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me zullum, pikërisht ata do të kenë sigurinë dhe ata janë të udhëzuarit!" el-en’am, 82

Kjo është ndodhia e një burri që erdhi te Profeti - 'alejhis-salatu ues-selam -, hipur mbi devenë e tij. Kur mberriti te Profeti - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, ai i kërkoi që t'i mësonte Islamin, t'i mësonte ato që ia kishte mësuar Allahu. Profeti - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - i tha: "Duhet të dëshmosh që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe që unë jam i Dërguari i Allahut, duhet të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramadanin dhe të bësh Haxhin në Shtëpinë e Shenjtë në Qabe."

Burri, duke qenë i hipur mbi devenë, tha: "Të gjitha i pranoj!" Por, mbasi që tha këtë fjalë, devesë iu fundos këmba në vrimën e një miu të shkretëtirës dhe ai u rrëzua nga deveja, ra me qafë dhe vdiq menjëherë mbasi tha fjalën: "Të gjitha i pranoj!" Ai e kishte kaluar tërë jetën e tij në kufër, nuk kishte jetuar në Islam përveç se këtë çast në fundin e jetës së tij, që ishte fjala e tij: "Të gjitha i pranoj!"  Sapo tha këtë fjalë ai ra me qafë nga deveja dhe vdiq menjëherë. Atëherë, Profeti - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - tha: "Kush do të shikojë njerëzit që kanë besuar dhe nuk e kanë përzier besimin e tyre me zullum, atëherë le të shikojë këtë burrë!"

Kurse në një transmetim tjetër ka thënë: "Kush do të shikojë ata që punuan pak por u shpërblyen shumë, atëherë le të shikojë këtë burrë!"

Kurse në një transmetim tjetër po ashtu, ai ka thënë: "Unë i pashë melaiket që po shtrydhnin frutat në gojën e tij!" Sepse ai vdiq i uritur!

Pra, çështja është se, kur Allahu ia hap zemrën njeriut që të pranojë Islamin dhe i jep sukses atij që të hyjë në Islam, atëherë Islami i tij e fshin çdo të keqe që ka bërë ai përpara Islamit dhe ajo që merret në konsideratë është vepra e tij e fundit. Siç ka thënë Profeti - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -:

"Ndonjëri nga ju bën vepra të njerëzve të Xhehenemit, derisa të mbetet mes atij dhe Xhehenemit një distancë sa një parakrah, por pastaj i paraprin caktimi i Kaderit dhe ai fillon të bëjë veprat të njerëzve të Xhenetit, kështu ai futet në Xhenet."

 

Përktheu: Alban Malaj