Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: Mulakhasul-Fikhij, vëll. 1, fq. 13

 

 

Namazi është shtylla e dytë e Islamit pas Dy Dëshmive, dhe është ndarësi midis Muslimanit dhe pabesimtarit; ai është shtyllë e Islamit. Namazi është gjëja e parë për të cilin do të merret në llogari robi (Ditën e Gjykimit); nëse namazi i tij është i saktë dhe pranohet, do të pranohen edhe veprat e tjera të tij, e nëse namazi i tij refuzohet, do të refuzohen edhe veprat e tjera të tij.

 

Namazi është përmendur në shumë vende të Kuranit Fisnik, sipas cilësive të ndryshme që ka ai. Nganjëherë, Allahu urdhëron për kryerjen e tij; nganjëherë tregon për vlerën e tij; nganjëherë sqaron shpërblimin e tij dhe nganjëherë e krahason atë me durimin dhe urdhërimin për të kërkuar ndihmë nga Allahu përmes namazit dhe durimit gjatë vështirësive.

 

Për këtë arsye, namazi ishte kënaqësia dhe gjëja më e shtrenjtë e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – [1] në këtë botë. Pra, namazi është stolia e Pejgamberëve dhe shenja e njerëzve të mirë. Ai është lidhja midis robit dhe Zotit të botëve, dhe se ai ndalon nga veprat e këqija e të urryera.

 

Përderisa namazi nuk është i saktë përveçse nëse falësi i namazit pastrohet nga papastërtia (e vogël dhe e madhe), si dhe nga papastërtitë (në trup) aq sa ka mundësi, ku lënda e pastrimit të tij është uji dhe ai që e zëvendëson atë në mungesë të ujit është tejemumi, kjo gjë i shtyu fukahat (juristët e Islamit) të fillonin librat e tyre me kapitullin e pastërtisë.

 

Meqë namazi është në krye të shtyllave të Islamit, që vjen pas Dy Dëshmive, atëherë është e nevojshme që t’i jepet përparësi asaj që vjen para namazit, e ajo është pastërtia. Pastërtia është çelësi i namazit, ashtu siç thuhet në hadith:

 

مِفْتَاحُ الصَّلَاةِ الطُّهُورُ

“Çelësi i namazit është pastërtia.” [2]

 

Për arsye se papastërtia të pengon nga namazi. Ajo është sikurse dryni që i vendoset atij që është i papastër, dhe nëse ai merr abdes, ky dry hapet. Pra, pastërtia është nga kushtet kryesore të namazit dhe patjetër t’i jepet përparësi kushtit ndaj atij që është kushtëzuar.

 

Pastërtia (et-taharah) nga ana gjuhësore, do të thotë: Dëlirje (nedhafeh) dhe largim i papastërtive konkrete dhe abstrakte.

 

Kurse nga aspekti Sheriatik (legjislativ), do të thotë: largim i papastërtive rituale (pas marrëdhënieve intime, ejakulimit në gjumë, urinimit, nevojës së madhe, gazrave, sh.p.) dhe largimi i lëndëve të papastra (që vijnë nga ambienti i jashtëm në trupin e njeriut).

 

Largimi i papastërtive bëhet duke përdorur ujë bashkë me nijetin për të pastruar të gjithë trupin nëse është papastërti e madhe (pas marrëdhënieve intime, ejakulimit në gjumë, menstruacioneve, lehonisë, etj. sh.p.) apo pastrim i katër gjymtyrëve (duke marr abdes) nëse është papastërti e vogël (pas nevojës së madhe, urinimit, gjumit, etj. sh.p.);  ose të merret tejemum (pastrim simbolik) në vend të mungesës së ujit apo pamundësisë për të përdorur ujin, e ai është dheu, sipas disa cilësive të veçanta që duhet t’i ketë. Do të sqarojmë në vazhdim – in shaa Allah –  mënyrën e pastrimit nga të dyja llojet e papastërtive. Kurse tani, qëllimi ynë është që të sqarojmë veçoritë e ujit përmes të cilit bëhet pastrimi dhe uji përmes të cilit nuk bëhet pastrimi.

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

﴿وَأَنزَلْنَا مِنَ السَّمَاءِ مَاءً طَهُورًا﴾

“Ne kemi zbritur nga qielli ujë të pastër.” El-Furkan, 48

 

Po ashtu i Lartësuari ka thënë:

 

﴿وَيُنَزِّلُ عَلَيْكُم مِّنَ السَّمَاءِ مَاءً لِّيُطَهِّرَكُم بِهِ﴾

“...dhe ju zbret juve nga qielli ujë të pastër, që të pastroheni me të...” El-Enfal, 11

 

Ujë i pastër është ai që është i pastër në veten e tij dhe është pastrues për të tjerët. Ai ngelet në natyrshmërinë e tij, pra në cilësinë e tij për të cilën është krijuar, qoftë ujë që zbret nga qielli siç është shiu, bora dhe breshëri apo uji i rrjedhshëm, siç është uji i lumenjve, përrenjve, burimeve, deteve ose ujë i distiluar.

 

Pra, ky është uji me të cilin arrihet pastrimi nga papastërtia e madhe apo e vogël (el-hadeth) ose nga papastërtitë që vijnë nga jashtë (en-nexhaseh). Nëse uji ndërron veçorinë e tij si pasojë e ndonjë papastërtie, nuk lejohet pastrimi me të dhe për këtë nuk ka ndonjë mospajtim mendimesh midis dijetarëve, ndërsa në qoftë se uji ndërron paksa veçorinë, për shkak të ndonjë gjëje të papastër që nuk e ndërron cilësinë e ujit tërësisht, mendimi i saktë sipas mendimeve të dijetarëve është se ai ujë përdoret për pastrim.

 

Shejkhul-Islam Ibën Tejmije, ka thënë:

 

“Për sa i përket ndryshimit të ujit, qoftë pak apo shumë, me gjëra të pastra, siç është: ishnan-i (një lloj shkurreje), sapuni, gjethet e sidrit (rhamnus frangula), hibiskusi, dheu, brumi si dhe të tjera që ka mundësi të mos e ndryshojnë ujin, siç është ena që ka gjethe të sidrit apo hibiskusit, dhe të futet ujë në këtë enë, dhe si rrjedhojë uji ndryshon, por prapëseprapë ai quhet ujë. Për këtë çështje kanë dy mendime të njohura.” [3]  

 

Pastaj Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh vazhdon më tej duke sqaruar këndvështrimet e dy mendimeve dhe e sjell mendimin më të saktë që lejohet të pastrohesh me të, duke thënë:

“Kjo është e sakta sepse Allahu thotë:

 

﴿وَإِن كُنتُم مَّرْضَىٰ أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِّنكُم مِّنَ الْغَائِطِ أَوْ لَامَسْتُمُ النِّسَاءَ فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُوا بِوُجُوهِكُمْ وَأَيْدِيكُم مِّنْهُ﴾

“Por, në qoftë se jeni të sëmurë apo jeni në udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie intime me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhé të pastër duke e fshirë fytyrën dhe duart me të.” El-Maideh, 6

 

Dhe Fjala e Tij:

 

فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً

“E nuk gjeni ujë.”

(Fjala  مَاءً “ujë” në ajet) ka ardhur në trajtën e pashquar në kontekstin e mohimit, kështu që kjo përfshin çdo gjë që është ujë, nuk ka dallim midis një lloji dhe një tjetri.” [4]

 

Në qoftë se personi nuk ka ujë apo nuk mund të përdorë ujë, edhe pse ai është i pranishëm, Allahu e ka zëvendësuar ujin me dheun. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka shpjeguar mënyrën e tejemumit në Sunetin e tij. Më vonë do ta shpjegojmë – in shaa Allah – në kapitullin përkatës.

 

Pra, kjo (zëvendësimi i ujit me tejemum) është nga butësia e Allahut ndaj robërve të Tij dhe mënjanim i vështirësive për ta. Ka thënë i Lartësuari:

 

﴿وَإِن كُنتُم مَّرْضَىٰ أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِّنكُم مِّنَ الْغَائِطِ أَوْ لَامَسْتُمُ النِّسَاءَ فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُوا بِوُجُوهِكُمْ وَأَيْدِيكُمْ إِنَّ اللَّـهَ كَانَ عَفُوًّا غَفُورًا ﴾

“Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në rrugë ose keni kryer nevojën natyrore, ose keni bërë marrëdhënie intime me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum duke e fërkuar fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër. Allahu, me të vërtetë, është Falës i gjynaheve dhe Falës i Madh.” En-Nisa, 43

 

Ibën Hubejrah ka thënë: “Dijetarët janë të njëzëri se pastrimi me ujë është obligim për çdo njeri qe e ka detyrë namazin, nëse gjendet uji, e në qoftë se nuk gjendet uji, atëherë merret tejemum në vend të ujit, për shkak të Fjalës së Lartësuarit:

 

﴿فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا﴾

“...nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum duke e fërkuar fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër...” En-Nisa, 43

 

Dhe për shkak të Fjalës së Lartësuarit:

 

﴿وَ يُنَزِّلُ عَلَيْكُم مِّنَ السَّمَاءِ مَاءً لِّيُطَهِّرَكُم بِهِ﴾

“...dhe ju zbret juve nga qielli ujë të pastër, që të pastroheni me të...” El-Enfal, 11

 

Me kaq mbaron fjala e Ibën Hubejras.

 

E gjithë kjo tregon për madhështinë e këtij Islami, që është fe e dëlirësisë dhe pastërtisë konkrete dhe abstrakte, siç tregon kjo për madhështinë e këtij namazi ku njeriu nuk e ka të saktë namazin pa këto dy pastërti: pastërtia abstrakte nga shirku, e cila arrihet duke e veçuar Allahun në adhurim (Teuhid) dhe bërjen e adhurimit sinqerisht vetëm për Allahun; dhe pastërtia konkrete nga papastërtia e madhe dhe e vogël si dhe papastërtitë që vijnë nga mjedisi i jashtëm në trupin e njeriut, pastrim i cili bëhet me ujë ose me atë që e zëvendëson atë (tejemumi).

 

Dije se përderisa uji mbetet në natyrshmërinë e tij dhe nuk përzihet me ndonjë lëndë tjetër, ai është ujë i pastër sipas ixhmasë së dijetarëve. Në qoftë se e ndërron ndonjërën nga tre veçoritë e tija – erën, shijen dhe ngjyrën – me ndonjë papastërti, atëherë ai është i papastër sipas ixhmasë së dijetarëve dhe nuk lejohet përdorimi i tij.

 

Nëse ndryshon ndonjëra nga këto cilësi të ujit, duke u përzier me një lëndë të pastër, siç janë gjethet e pemëve, sapuni, potasi, sidri, si dhe lëndë të tjera të pastra, dhe kjo lëndë nuk është dominante në atë përzierje, disa dijetarë japin hollësira në këtë çështje dhe kanë mospajtim mendimesh, por e sakta është se ai ujë është i pastër; lejohet të pastrohesh me të nga papastërtia e madhe dhe e vogël (el-hadeth), si dhe të pastrohesh me të nga papastërtitë që vijnë nga jashtë në trupin e njeriut. 

     

Duke u bazuar në këto që thamë më sipër, është e drejtë që të themi se uji ndahet në dy kategori: 

Kategoria e parë: ujë i pastër, me të cilin lejohet të pastrohesh, në qoftë se ka mbetur në natyrshmërinë e tij apo është përzier me ndonjë lëndë tjetër të pastër e cila nuk është dominuese dhe nuk e ka ndërruar gjendjen e ujit sa të mos quhet më ujë.

 

Kategoria e dytë: uji i papastër, i cili nuk lejohet të përdoret. Ky ujë nuk e largon papastërtinë e madhe apo të vogël dhe as që i largon papastërtitë që vijnë nga jashtë në trupin e njeriut, e ai ujë është nëse i ndryshohet njëra nga tre cilësitë e tij me ndonjë gjë të papastër.

 

Allahu i Lartësuar është më i Dituri.

 

 

Fundnotat:

[1] Kjo gjë aludon në hadithin që e ka transmetuar Nesaiju në “el-Kubra” (8887), dhe e Hafidh ibën Haxher e ka bërë hasen në “et-Telkhis” dhe e ka bërë sahih në “el-Fet’h” (3/15).

 

[2] Transmeton Ebu Daudi (618, 61), Ibën Maxheh (275), Ahmedi (1/130), Tirmidhiu (3) dhe ka thënë: “Ky hadith është më i sakti në këtë kapitull dhe më i miri.” E ka bërë hasen ed-Dij’au dhe është argumentuar me këtë Buhariu. Është transmetuar meukuf nga Abdullah ibën Mes’udi te Bejhakiu në “es-Sunen el-Kubra,” (2/16) dhe Hafidh ibën Haxheri e ka bërë sahih në “et-Telkhis.”

 

[3] Mexhmu’ul-Fetaua, (21/24, 25).

 

[4] Mexhmu’ul-Fetaua, (21/331).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari