Autor: Shejkh Abdul-Aziz ibën Baz

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 11, fq. 233

Pyetje: Çfarë vepron ai që ka ardhur me vonesë në namaz, nëse e gjen xhematin në ruku dhe e kap rukunë, mirëpo nuk e ka lexuar el-Fatihanë?

Përgjigje: Nëse ai ka kapur rukunë, rekati i tij është i plotë sipas asaj që është e saktë. Dhe ky është mendimi i xhumhurit të njerëzve të dijes. Sepse është vërtetuar nga hadithi i Ebi Bekra eth-Thekafij – radijAllahu ‘anhu – se ai erdhi një ditë (në xhami) ndërsa Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam – ishte në ruku (duke u falur), kështu ai shkoi në ruku bashkë me të, e bëri ruku duke mos qenë në saf, pastaj hyri në saf (duke ecur). Kur ai dha selam, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha:

زَادَكَ اللهُ حِرْصًا وَلاَ تَعُد

“Allahu ta shtoftë zellin (për vepra të mira). Mos e bëj përsëri (mos u nxito).” [1]

Ai nuk e urdhëroi që ta kompensojë rekatin. Këtë hadith e ka nxjerrë Imam Buhariu në Sahih. Kjo tregon se personi, në qoftë se i ka ikur qëndrimi në këmbë (kijam) dhe e ka kapur rekatin para se të ngrihet nga rukuja, bie obligimi i leximit të el-Fatihasë. Ngase ai është i justifikuar për faktin se nuk ishte i pranishëm në qëndrimin në këmbë. Kjo është e qëlluara. Këtë mendim e kanë edhe katër Imamët – Allahu i mëshiroftë – në lidhje me hadithin e Ebu Bekras.

Një grup tjetër dijetarësh kanë thënë: leximi nga ana e xhematit nuk është obligim (uaxhib), pra leximi i el-Fatihasë. Është transmetuar nga xhumhuri se nuk është obligim për xhematin leximi i el-Fatihasë, porse mendimi më i saktë është se ai është obligim për xhematin, për shkak të haditheve tjera në përgjithësi. Nga këto hadithe është fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

لعلكم تقرؤون خلف إمامكم ؟ " قلنا : نعم . قال : " لا تفعلوا إلا بفاتحة الكتاب ، فإنه لا صلاة لمن لم يقرأ بها

“Ndoshta ju lexoni pas imamit tuaj.” Ne (Sahabët) thamë: “Po.” Ai tha: “Mos e bëni këtë përveç se me Hapësen (el-Fatiha) e Librit, sepse nuk ka namaz ai që nuk e lexon atë.” [2]

Ky hadith është i mirë. Por, nëse i ka ikur qëndrimi në këmbë dhe e ka kapur rukunë, i mjafton rukuja, për shkak të hadithit të Ebu Bekras i cili u përmend më parë. Po kështu, nëse ai e harron (leximin) e el-Fatihasë apo nuk e di gjykimin e saj, atëherë nuk ka ndonjë problem për këtë, rekati i tij është i plotë.

Pra, leximi (i el-Fatihasë) për xhematin është obligim; bie (obligimi) nga personi për shkak të harresës, padijes dhe pamundësisë për të kapur qëndrimin në këmbë. E që është e kundërta në lidhje me leximin e el-Fatihasë nga ana e imamit, ajo është shtyllë e domosdoshme për të. Po kështu edhe për atë që falet vetëm, ajo është shtyllë. Nuk është i saktë namazi pa të, për shkak të fjalës së Pejgamberit – sa-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

لاَ صَلاَةَ لِمَنْ لَمْ يَقْرَأْ بِفَاتِحَةِ الْكِتَابِ

“Nuk ka namaz ai që nuk e lexon hapësen (el-Fatihanë) e Librit.” [3]

Fundnota:

[1] E ka nxjerrë Buhariu në “Libri i Ezanit”, kapitulli: “Nëse shkon në ruku mbrapa safit i vetëm”. nr. [783].

[2] E ka nxjerrë Ahmedi në Musnedin e tij nga hadithi i Ubbadeh bin Samit – radijAllahu ‘anhu –, nr. [22186]. E ka nxjerrë edhe Ebu Daudi në “Librin e Namazit – Kitabu Salat”, kapitulli: “Ai që e lë leximin në namazin e tij duke mos e lexuar Hapësen e Librit”. nr. [823].

[3] E ka nxjerrë Buhariu në “Librin e Ezanit”, kapitulli: “Obligimi i leximit për imamin dhe xhematin gjatë namazeve”. nr. [756]. Dhe e ka nxjerrë Muslimi në “Librin e Namazit”, kapitulli: “Obligimi i leximit të el-Fatihasë në çdo namaz”. nr. [394].

Përktheu: Jeton Shasivari