Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira! Çfarë gjykimi ka ngjitja e këmbës së namazfalësit me atë që ka anash?

Përgjigje: Selefët, duke u nisur nga Sahabët dhe ata që erdhën pas tyre, e ngjitnin këmbën me shokun e tij nga zelli që kishin për drejtimin e rreshtave. Sidoqoftë, bashkimi i këmbëve ka dy kushte:

Kushti i parë: Të mos e dëmtojë shokun që ka afër, sepse dëmtimi i Muslimanit është i ndaluar. (Hadithi thotë): “Ai që i dëmton Muslimanët në rrugë, e ka merituar mallkimin e tyre.” Atëherë, si është puna me atë që i dëmton Muslimanët në xhami apo e dëmton Muslimanin gjatë namazit! Kështu që, nëse sheh se vëllai yt që ke pranë dëmtohet me vendosjen e këmbës tënde ngjitur me këmbën e tij, atëherë ti mos e ndiq atë me këmbën tënde! Sa herë që ai e largon këmbën e tij, ti e zgjat këmbën që ta ngjisësh me të tij. Përderisa ai e tërheq këmbën e tij, kjo do të thotë se ai dëmtohet. Nuk lejohet që të dëmtosh vëllain tënd Musliman. Ngjitja e këmbëve nuk është më shumë se një vepër e preferuar.

Kushti i dytë: Të mos i hapësh këmbët më shumë se gjerësia e trupit tënd, sepse parimisht drejtimi i rreshtave është përmes bashkimit të krahëve. Nëse i hap këmbët – siç veprojnë disa vëllezër duke i hapur këmbët dhe bëhen si trekëndësh – atëherë do të largohesh edhe nga ai që e ke në të djathtë dhe nga ai në të majtë nga ana e krahëve. Kjo nuk është e ligjëruar. Nëse ti e zgjat këmbën e djathtë përtej gjerësisë së trupit tënd, atëherë atë që e ke anash, do të jetë larg krahut tënd dhe e njëjta gjë me atë që është në të majtën tënde. Prandaj, duhet kuptuar siç duhet kjo çështje.

Është gjë e bukur që të mundohemi për drejtimin e rreshtave. Drejtimi i rreshtave në namaz sipas mendimit të saktë, është obligim i domosdoshëm. Mbushja e zbrazëtirave sipas mendimit të saktë, është obligim. Por duhet patjetër që të tregojmë kujdes ndaj këtyre dy kushteve. Është gjë e mirë që t’i ngjitësh këmbën tënde me këmbën e vëllait tënd.

Unë kam thënë vazhdimisht: Drejtimi i rreshtave me këmbët nuk bëhet përmes majave të këmbëve (gishtave) por bëhet përmes fundit të këmbëve (thembrave), sepse në fundin e këmbëve qëndron trupi, kurse gishtat që janë përpara këmbës. Ka njerëz që i kanë këmbët më të mëdha se këmbët e të tjerëve. Nëse do t’i drejtonim rreshtat me drejtimin e gishtave, disa nga ne do të jenë më përpara dhe disa më mbrapa.

Zelli i imamit për t’i drejtuar rreshtat është vepër e Profetit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe Sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Drejtimi dhe barazimi i rreshtave si dhe mbushja e zbrazëtirave sipas mendimit të saktë të dijetarëve, është obligim. Kështu që, besimtarët duhet që të mos tregohen të pakujdesshëm në këtë çështje.

 

Përktheu: Jeton Shasivari