Autor: Shejkh Sulejman bin Selimullah Ruhejli

Burimi: Sherhu Kitabi Teuhid, mësimi 68, min. 01:05:56

 

 

Pyetje: Allahu u shpërbleftë me të mira dhe u dhëntë mirësi. Një person ka frikë se mos e merr dikush mësysh dhe gjithmonë ka frikë nga kjo gjë. A e mohon Teuhidin kjo?

 

Përgjigje: Pa dyshim se mësyshi është një nga shkaqet e shkatërrimit (vdekjes); është një nga shkaqet që e çon njeriun në atë që e dëmton dhe nuk e ngazëllon. Mësyshi është i vërtetë dhe ndodh realisht. Sa e sa njerëz kanë vdekur për shkak të mësyshit, dhe kështu është varrosur për shkak se e kanë marr mësysh. Mësyshi është shkak për disa sëmundje trupore. Kemi parë njerëz që janë sëmurë nga kanceri. Pas kësaj, ata që kanë zgjuarsi e kuptuan se kjo sëmundje është shkaktuar nga mësyshi; pasi që e hetuan këtë çështje, u menduan dhe erdhën në përfundim se ai që e ka marr mësysh është filani. Kështu, ata morën diçka prej tij (ujin e abdesit të atij që e mori mësysh, sh.p.). Ky që e kishin marr mësysh, u la me atë ujë. Si rrjedhojë e kësaj, ai u shërua plotësisht. Këtë gjë ne e dimë me siguri.

 

Njeriu mund të preket nga sëmundja e diabetit për shkak të mësyshit, porse mësyshi nuk është shkaku i vetëm. Ka shumë shkaqe që sjellin fatkeqësi dhe sëmundje. Kështu që njeriu nuk duhet të garantohet plotësisht nga mësyshi dhe as ta lidhë plotësisht zemrën e tij me mësyshin, saqë edhe kur lëviz, të ketë frikë se mos e merr dikush mësysh dhe çdo gjë që i ndodh t’ia atribuojë mësyshit. Por, njeriu ka frikë nga mësyshi, se mos merr mësysh ai vet dikë apo ta marrë mësysh atë dikush tjetër.

 

Mësyshi nuk është i kufizuar vetëm te hasedi, por mësyshi mund të ndodh nga hasedçiu dhe nga i mahnituri. Njeriu mund të jetë hasedçi dhe ta marrë mësysh dikë, ky është personi që ka sy të fëlliqur. Njeriu mund të mahnitet me dikë dhe ta marrë mësysh atë. Po ashtu, ka mundësi që ai ta marrë mësysh veten tij.

 

Andaj, ajo që është e ligjëruar me Sheriat është që, kur njeriu shikon atë që e mahnit te vetja e tij, fëmija i tij, gruaja e tij, makina e tij, shtëpia e tij, komshiu i tij, duhet që të lutet për begati për të (duke thënë: barek Allahu fik, barek Allahu alejke). Nëse ai u lutet për të për begati, nuk do ta marrë mësysh kurrsesi. Edhe në qoftë se është nga ata që merr mësysh.

 

Po ashtu, njeriu e ka të ligjëruar me Sheriat që ta mbrojë veten e tij dhe fëmijët, duke lexuar Ajetul-Kursijn dhe Suret Felek dhe Nas; t’i lexojë fëmijës së tij këtë lutje:

 

أَعُوذُ بِكَلِمَاتِ اللَّهِ التَّامَّةِ مِنْ كُلِّ شَيْطَانٍ وَهَامَّةٍ، وَمِنْ كُلِّ عَيْنٍ لاَمَّةٍ ‏‏

E‘udhu bikelimatil-Lahi et-tam-meh min kul-li shejtanin ue ham-meh, ue min kul-li ‘ajnin lam-meh.

“Kërkoj mbrojtjen e Allahut me fjalët e Tij të përsosura, të na ruajë nga çdo shejtan, nga çdo gjallesë helmuese si dhe nga çdo sy i keq.” [1]

 

Në këtë mënyrë, ai (me ndihmën e Allahut) mbron veten e tij dhe mbron të tjerët. Pastaj, t’i mbështetet Allahut për atë që ka kaluar dhe për atë që do të vijë, duke u bazuar në atë që u përmend më parë në hadith:

 

اِحْرِصْ عَلَى مَا يَنْفَعُكَ, وَ اسْتَعِنْ بِاَللَّهِ, وَ لَا تَعْجَزْ

“Përpiqu për atë që të bën dobi dhe kërko ndihmën e Allahut, e mos u trego i dobët dhe i paaftë.” [2]

 

Kurse, sa i përket lidhjes së zemrës me mësyshin, ku njeriu nuk shpreson se mund ta largojë atë dhe gjithmonë ka frikë se mund ta marrin mësysh, kjo është cënim për Teuhidin – Teuhidin e plotë, dhe për mbështetjen tek Allahu – të Pastrin nga çdo mangësi dhe të Lartësuarin. Zgjedhja më e mirë është të jesh mesatar.

 

Fundnotat:

[1] Sahihu i Bukhariut, 3371.

[2] Sahihu i Muslimit, 2664.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari