Autor: el-Imam Muhamed Nasirud-din el-Albani

Burimi: Shkëputur nga revista ‘el-Esale’, çështja n. 18.

Pyetje: Deri në ç’masë duhet të merret Muslimani me politikë sot duke qenë brenda udhëzimeve të Islamit?

Përgjigje: Nëse ajo që nënkuptohet me ‘politikë’ është administrimi i Umetit, atëherë e vërteta është se politika nuk është nga ato vepra që kryhen nga një individ brenda umetit, por ajo është një detyrë që i përket Shtetit Musliman. Ky është qëllimi i politikës - siç e cekëm më përpara - është administrimi i Umetit dhe drejtimi i interesave të tij me qëllim që të rregullohen çështjet fetare dhe ato materiale (d.m.th. çështjet e dynjasë). Nëse kjo është ajo që synohet me ‘politikë’, atëherë kjo është fard kifaje (detyrë kolektive). Megjithatë, kjo nuk u takon atyre që nuk janë në krye të shtetit apo autoritetit dhe as atyre që nuk janë të aftë të sjellin dobi apo të bëjnë dëm.

Kurse që të marrësh lajme për të qenë në dijeni për aktualitetin dhe dobësinë në të cilën ndodhen Muslimanët dhe që të kapërcehet kjo gjendje, atëherë siç themi ne, kjo është nga pastrimi dhe edukimi (et-Tesfije uet-Terbije); pastrimi i Islamit nga çdo gjë ka hyrë në të dhe përqëndrimi në edukimin e Muslimanëve dhe ngritjen e tyre me këtë Islam të pastruar. Pra, njohja e këtyre rrethanave në përgjithësi - në të cilat ndodhen Muslimanët - është detyrë sepse kjo është ashtu siç ka thënë një poet i vjetër Arab, duke e nxjerrë kuptimin e tij nga një hadith sahih:

[blockquote]“E mësova të keqen jo për ta punuar por për ta mënjanuar,

dhe kush nuk e dallon të mirë nga e keqja, në të ka për të përfunduar.”[/blockquote]

Kjo është nxjerrë nga një hadith, dhe kam për qëllim me të hadithin e Hudhejfe Ibnul-Jeman (radij-Allahu ‘anhu) që është transmetuar në Sahihun e Bukharit dhe atë të Muslimit. Ai (radij-Allahu ‘anhu) ka thënë: “Njerëzit e pyesnin të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për të mirën, ndërsa unë e pyesja atë për të keqen nga frika se mos më zinte.” Kështu që, të jesh i informuar për poshtërimin dhe dobësinë në të cilën ndodhen Muslimanët me qëllim që t’i largosh ata nga kjo gjendje duke përdorur mjetet e dijes, fuqisë dhe pushtetit, kjo është një detyrë mes shumë detyrave të tjera.

Por, që të merresh gjerë e gjatë me marrjen e lajmeve, njohurisë rreth luftërave de politikave perëndimore, atëherë kjo është nga aspektet e (rregullit): “Të kesh njohuri rreth diçkaje më e mirë se të jesh injorant për të.” Kjo është diçka të cilën ne nuk e braktisim. Por megjithatë, në të njëjtën kohë, ne nuk duhet të jemi shumë entuziastë dhe fanatikë për të, ngase Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk e rregulloi gjendjen e Shokëve të tij duke njohur dhe duke ndjekur me precizion lajmet e armiqve të tij njësoj siç ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) përqëndrohej në mësimin e Shokëve të tij nga njëra anë dhe i edukonte ata me urdhërat e Allahut nga ana tjetër. Ky është besimi ynë për sa i përket politikës duke u bazuar në dy kategoritë e saj, të cilat i përmendëm më përpara.”

Përktheu: Alban Malaj