Autorë: Taberiu, Sem’ani, Begauiju, Ibën Kethiri, Sadi, Uthejmini
[Shënim i përkthyesit]: Në përkthimet e Kuranit të Sherif Ahmetit dhe Hasan Nahit (botimi i vitit 2011), një pjesë e ajetit në vazhdim është përkthyer “...Ne e zgjerojmë atë (universin),” duke u bazuar në teoritë dhe hipotezat e krijimit të universit, siç është teoria e “Big Bengut”, që pretendon se universi zgjerohet vazhdimisht, gjë që bie ndesh me komentimet e Kuranit që do t’i lexoni në vazhdim.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë) dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47
(1) Imam Taberiu (v. 310 h), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:
Na ka treguar Ibën Humejdi, na ka treguar Mehrani nga Sufjani i cili për ajetin:
﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ ﴾
“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë)...” edh-Dharijat, 47
Ka thënë (se fjala “بِأَيْدٍ”) do të thotë: “ me forcë - بقوة.”
Dhe për Fjalën e Tij:
وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ
“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47
Sufjani ka thënë se domethënia e këtij ajeti është se: “Ne, pa dyshim kemi pasuri. Ne kemi krijuar atë që kemi dashur të krijojmë dhe Ne kemi fuqi mbi këtë krijim.”
Ky ajet më sipër është i ngjashëm me ajetin në Fjalën e Tij:
﴿عَلَى الْمُوسِعِ قَدَرُهُ وَعَلَى الْمُقْتِرِ قَدَرُهُ﴾
“...pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij...” el-Bekare, 236
Me këtë ajet është për qëllim ai që ka fuqi (mundësi).
Ibën Zejdi ka thënë për këtë ajet atë që i ka treguar Junusi, i cili thotë: na ka treguar Ibën Uehbi, na ka treguar Ibën Zejdi, i cili për Fjalën e Tij:
وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ
“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47
Ka thënë: “E ka zgjeruar atë – i Madhëruari.”
Burimi: Xhami’ul-Bejan, (22/438).
(2) Ebu Mudhaffer es-Sem’anij (v.489), Allahu e mëshiroftë, thotë:
﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë) dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47
Fjala e Tij:
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.”
Muhaxhidi ka thënë: “Domethënia e këtij ajeti është se “Ne kemi fuqi të krijojmë edhe një qiell tjetër si ky.””
Po ashtu, thuhet për ajetin:
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
Se do të thotë: “Ne kemi mundësi të krijojmë atë që është ende më i qëndrueshëm dhe më i lartë se ky qiell që e shikoni.”
Ndërsa kuptimi i vërtetë i ajetit është: “Kjo që e kemi krijuar Ne, nuk është e gjithë fuqia që posedojmë, porse Ne kemi mundësi të bëjmë si ky krijim edhe shumë të tillë.”
Po ashtu, thuhet për ajetin:
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
Se do të thotë: “në furnizimin e robërve.”
Gjithashtu, thuhet edhe për: “sistemimin e çështjeve të robërve.”
Burimi: Tefsirul Kuran (5/262).
(3) Begauiju (v. 516), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:
﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ﴾
“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë)...” edh-Dharijat, 47
(Fjala “بِأَيْدٍ”) do të thotë: “me forcë.”
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.”
Ibën Abbasi – radijAllahu te’ala ‘anhu – ka thënë se: “مُوسِعُونَ” do të thotë “قادرون – Ne jemi të Plotfuqishëm.”
Po ashtu është transmetuar nga ibën Abbasi se për domethënien e këtij ajeti ka thënë: “Jemi të Plotfuqishëm për t’i furnizuar krijesat Tona.”
Po ashtu është thënë se kjo fjalë “مُوسِعُونَ” do të thotë: “Ai që ka bujari dhe fuqi të madhe.”
Ed-Dahak ka thënë se kjo fjalë “مُوسِعُونَ” do të thotë: “Ne jemi të Pasur.” Argumenti i tij është Fjala e Tij – të Plotfuqishmit e të Madhëruarit:
﴿عَلَى الْمُوسِعِ قَدَرُهُ وَعَلَى الْمُقْتِرِ قَدَرُهُ﴾
“...pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij...” el-Bekare, 236
Haseni ka thënë: “Ne kemi fuqi.”
Burimi: Me’alimu Tenzil fi Tefsiril Kuran (4/286).
(4) Ibën Kethiri (v.774 h.), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:
Allahu i madhëruar thotë duke u treguar krijesave të botës së poshtme (tokësore) dhe botës së epërme (qiellore) se: “Qiellin e kemi ndërtuar me fuqinë Tonë,” pra e kemi bërë kulm mbrojtës e të lartë.
(Fjala) “بِأَيْدٍ” do të thotë: me fuqi. Këtë e ka thënë Ibën Abassi, Muxhahidi, Katade, Theurij, si dhe të tjerë.
Fjala “وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ – Ne e kemi zgjeruar atë,” do thotë se: “Ne i kemi zgjeruar anët e tij dhe e kemi ngritur atë pa shtylla, saqë ai rri ashtu i mëvetësishëm.”
Burimi: Tefsirul Kuranil ‘Adhim (7/395).
(5) Abdur-Rahman es-Sadij (v. 1376), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.”
I kemi zgjeruar caqet dhe anët e tij.
(Po ashtu, ky ajet):
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“...dhe Ne kemi fuqi.”
Do të thotë: “Ne kemi fuqi për t’i furnizuar robërit Tanë.” Ai, Allahu, i Cili nuk ka lënë asnjë gjallesë në tokat e thata, në thellësirat e deteve dhe kufijtë e botës së epërme e të poshtme, vetëm se ia ka dërguar furnizimin që i mjafton dhe i jep të mira aq sa e bën të pavarur nga tjerët.
Andaj, i Pastër nga çdo mangësi është Ai, që i ka përshirë me Bujarinë e Tij të gjitha krijesat; dhe i Madhëruar është Ai që me Mëshirën e Tij i ka përfshirë të gjitha krijesat që jetojnë në tokë.
Burimi: Tejsirul Kerimi Rahman (fq. 811).
(6) Uthejmin (v.1421), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:
﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾
“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47
Do të thotë që: “Ne i kemi zgjeruar anët e tij.” Ngase qielli është shumë i gjerë. Për këtë arsye, qielli është shumë më i madh se toka dhe ai e rrethon tokën nga të gjitha anët. Duke u bazuar te kjo (themi) se qielli është më i gjerë se toka. Toka në krahasim me qiellin është tepër e vogël.
Burimi: Tefsirul Kuranil Kerim, minel Huxhurat ilel Hadid (fq. 180).
Përktheu: Jeton Shasivari