Allahu i Lartësuar thotë:
تَبَارَكَ الَّذِي جَعَلَ فِي السَّمَاءِ بُرُوجًا وَجَعَلَ فِيهَا سِرَاجًا وَقَمَرًا مُّنِيرًا
“I Madhëruar është Ai i Cili krijoi në qiell yje, krijoi në të kandil (diell) dhe hënë ndriçuese.” el-Furkan, 61
Komentimet e këtij ajeti
[1] Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Fjala e Allahut
وَقَمَرًا مُّنِيرًا
“...dhe hënë ndriçuese.” el-Furkan, 61
Do të thotë: i ndritshëm, i shndritshëm me një dritë tjetër, një lloj drite dhe krijimi tjetër, ndryshe nga drita e diellit. Siç ka thënë i Lartësuari:
﴿هُوَ الَّذِي جَعَلَ الشَّمْسَ ضِيَاءً وَالْقَمَرَ نُورًا﴾
“Ai është i Cili e ka bërë diellin shndritës dhe hënën dritë.” Junus, 5
Po ashtu, Allahu kur tregoi për Nuhun, alejhi selam, që i tha popullit të tij:
﴿أَلَمْ تَرَوْا كَيْفَ خَلَقَ اللَّهُ سَبْعَ سَمَاوَاتٍ طِبَاقًا وَجَعَلَ الْقَمَرَ فِيهِنَّ نُورًا وَجَعَلَ الشَّمْسَ سِرَاجًا﴾
“A nuk shikoni se si i ka krijuar Allahu shtatë kate qiej dhe në ta hënën e bëri dritë dhe diellin kandil.” Nuh, 15-16
Burimi: Tefsir ibën Kethir, vëll. 6, fq. 120
[2] Abdur-Rahman es-Sadij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Fjala e Allahut të Lartësuar:
وَجَعَلَ فِيهَا سِرَاجًا
“... krijoi në të kandil (diell)...” el-Furkan, 61
I cili ka dritë dhe nxehtësi, e ky është dielli.
وَقَمَرًا مُّنِيرًا
“...dhe hënë ndriçuese.” el-Furkan, 61
E cila ka dritë, por nuk ka nxehtësi. Kjo është një nga argumentet që tregon për madhështinë e Allahut.
Burimi: Tefsiru Sadij, fq. 1205
[3] Muhamed el-Emin esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Kurani i Madhërishëm ka treguar se nuk ka dobi në studimin e shkencës së astronomisë, sepse Sahabët e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e pyetën atë për fazat dhe format e ndryshme të hënës, kurse meleku (Xhibrili) ngjitej dhe zbriste duke sjellë shpalljen. Sahabët i thanë atij: “O Pejgamberi i Allahut, përse hëna fillon të shfaqet e hollë (hëna e re në formë të draprit), pastaj fillon të zmadhohet derisa të marrë formën e rrethit e të bëhet hëna e plotë (pesëmbëdhjetë)?”
Kjo pyetje ishte për format e ndryshme të hënës, kurse Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, nuk i lejohet që ta vonojë sqarimin në kohën kur ai është i nevojshëm përderisa ummeti ka nevojë për një gjë të tillë. Kështu që, Pejgamberi nuk u sqaroi asgjë nga gjërat që i pretendojnë ithtarët e astronomisë, sepse ithtarët e astronomisë pretendojnë se hëna është një trup i errët që nuk ka dritë absolutisht, përveç se hëna është një trup reflektues. Ky trup qiellor reflektues pranon rrezet e diellit, siç është pasqyra dhe kur ai i pranon rezet e diellit, ajo e reflekton këtë dritë duke shkëlqyer...
Por, Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i zbriti Kurani duke e larguar nga të gjitha këto fjalë dhe nuk u dha rëndësi atyre. Allahu ju përgjigj atyre duke u thënë:
يَسْأَلُونَكَ عَنِ الأَهِلَّةِ قُلْ هِيَ مَوَاقِيتُ لِلنَّاسِ وَالْحَجِّ
“E kur të pyesin ty për hënën e re (fazat e hënës), ti thuaj: “Ato janë shenja për të treguar kohë të caktuara për njerëzit dhe për Haxhin.” El-bekarah, 189
Kurani e sqaroi qëllimin e fazave të hënës dhe dobinë e saj për këtë botë, duke e lënë atë që nuk ka dobi, sepse ligjvënësi është si mjeku, që e sjellë atë që ka dobi dhe e lë atë që nuk ka dobi.
Burimi: El-Adhbu en-Nemir min Mexhalisi esh-Shenkiti fi Tefsiir, vëll. 3, fq. 385-386
Po ashtu, Muhamed el-Emin esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Ka fjalë të njerëzve që kanë jetuar dikur, të cilët thonë: “Hëna gjendet në hapësirë e cila është shumë larg qiellit dhe se shkenca e astronomisë e ka vërtetuar këtë dhe vrojtimet moderne në hapësirë e kanë sqaruar këtë.”
Ne themi: ta braktisësh atë që thotë shkenca e astronomisë, me këtë gjest ke vepruar sipas udhëzimit të Kuranit Madhështor, sepse Sahabët, radijAllahu ‘anhu, kur deshën të mësonin format dhe fazat e hënës nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut, përse hëna fillon të shfaqet e hollë (hëna e re në formë të draprit), pastaj fillon të zmadhohet derisa të marrë formën e rrethit e të bëhet hëna e plotë (hëna pesëmbëdhjetë)?” Kurani zbriti me një përgjigje në të cilën ka dobi për njerëzimin dhe e la atë që nuk ka dobi përmes fjalës:
يَسْأَلُونَكَ عَنِ الأَهِلَّةِ قُلْ هِيَ مَوَاقِيتُ لِلنَّاسِ وَالْحَجِّ
“E kur të pyesin ty për hënën e re (fazat e hënës), ti thuaj: “Ato janë shenja për të treguar kohë të caktuara për njerëzit dhe për Haxhin.” El-bekarah, 189
Këtë temë për të cilën Kurani Madhështor dha udhëzime që të mbyllet meqë e kishin hapur pabesimtarët, si pasojë e hapjes së kësaj teme u shfaq kufri, ateizmi, përgënjeshtrimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij dhe nuk u bëri dobi atyre as edhe për çështje të dunjasë. Ajo me të cilën na udhëzon Allahu neve në Librin e Tij është vrojtimi në çudirat dhe mrekullitë e krijimit të Tij në qiej dhe në tokë, në mënyrë që njeriu të argumentohet me këto për fuqinë e përsosur të Allahut të Lartësuar dhe ta realizojë adhurimin e Allahut, të Vetmit. Ky është synimi kryesor të cilin nuk e realizuan pabesimtarët astronomë të cilët vrojtojnë në hapësirë.
Burimi: Aduaul-Bejan, vëll. 6, fq. 72
Përktheu: Jeton Shasivari