Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://www.rabee.net/
Metodologjia e Thirrjes për tek Allahu:
Transmetohet nga Ibn ‘Abbasi – radij-Allahu ‘anhuma – se kur i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e nisi Mu’adhin për në Jemen, i tha:
“Ti po shkon tek një popull që janë nga Njerëzit e Librave të Mëparshëm (Ehlul-Kitab). Kështu që, le të jetë gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasësh ata dëshmia La ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut). [1] Dhe nëse të binden tek kjo, atëherë njoftoji se Allahu ua ka vënë detyrë faljen e pesë namazeve çdo ditë dhe natë. Dhe nëse të binden tek kjo, atëherë njoftoji se Allahu ua ka vënë detyrë dhënien e Zekatit që merret nga të pasurit dhe u jepet të varfërve. Dhe nëse të binden tek kjo, atëherë ruhu që të mos u marrësh gjërat më të shtrenjta që kanë ata dhe frikësoju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi sepse nuk ka perde (pengesë) midis lutjes së tij dhe Allahut.” [2]
Transmetuesi i Hadithit:
Transmetuesi i këtij Hadithi është ‘Abdullah Ibn ‘Abbas Ibn Abdul-Mutalib el-Hashimi, djali i xhaxhait i të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, i njohur me nofkën el-Hibr (boja) ose el-Bahr (deti) për shkak të dijes së gjerë që kishte. Ishte një nga Sahabët që ka transmetuar një numër të madh të Haditheve, nga robërit e Allahut dhe një nga Fekihët [3] e Sahabëve. Vdiq në vitin 68 Hixhrij, – Allahu qoftë i kënaqur me të –.
Kuptimi i Hadithit:
Ky hadith sqaron hapat e domosdoshëm që thirrësi për tek Allahu është i detyruar që t’i ndjekë. Dhe hapi i parë i detyrueshëm, me të cilin ai fillon thirrjen e tij, është Teuhidi, veçimi i Allahut të vetëm në adhurim dhe distancimi nga Shirku i vogël apo i madh. Kjo realizohet nëpërmjet dëshmisë La ilahe il-lAllah, Muhameden Rasulullah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut; Muhamedi është i Dërguari i Allahut). Kuptimi i kësaj dëshmie është se adhurimi, në çfarëdo lloj forme qoftë ai, është një e drejtë që i takon vetëm Allahut; askush tjetër përveç Tij nuk meriton ndonjë formë të tij, qoftë ai ndonjë melek që është i afërt tek Allahu, qoftë ai ndonjë Profet i dërguar, qoftë ai ndonjë njeri i mirë apo ndonjë gur, dielli apo hëna.
Kështu që, nuk duhet t’i lutesh askujt tjetër përveç Allahut, nuk duhet t’i kërkosh ndihmë askujt tjetër përveç Tij, nuk duhet t’i mbështetesh, t’i frikësohesh apo të shpresosh nga askush tjetër, përveç se nga Allahu.
Dhe kushdo që i jep ndonjë nga këto forma të adhurimit dikujt tjetër në vend të Allahut, atëherë ai i ka bërë Allahut shirk. Dhe kushdo që i bën Allahut shirk, atëherë Allahu ia ka ndaluar atij Xhenetin dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri; dhe për zullumqarët (ata që i bëjnë shirk Allahut) nuk do të ketë asnjë ndihmues.
Nuk mjafton që dëshmia La ilahe il-lAllah të thuhet vetëm me gjuhë. Por, është e domosdoshme që të dihet kuptimi i saj, të veprohet në përputhje me kërkesat e saj dhe të përmbushen të gjitha kushtet e saj, të cilat janë:
Dija, e cila heq Injorancën,
Bindja, e cila heq Dyshimin,
Pranimi, i cili heq Refuzimin,
Nënshtrimi, i cili heq Braktisjen,
Sinqeriteti, i cili heq Shirkun,
Vërtetësia, e cila heq Pavërtetësinë,
Dashuria, e cila heq atë që bie në kundërshim me të.
Qëllimi i dëshmisë ‘Muhameden Rasulullah’ është që të kesh dije rreth kuptimit të saj dhe të veprosh në përputhje me kërkesat e saj. Po ashtu, ajo nuk është që veç të thuhet me gjuhë, por ajo është që të besosh dhe të dëshmosh të vërtetën e çdo gjëje që na ka lajmëruar ai; t’i bindemi atij për çdo gjë që na ka urdhëruar; t’i largohemi çdo gjëje që ai na ka ndaluar; dhe ta adhurojmë Allahun vetëm me atë që ka urdhëruar Ai me gjuhën e Pejgamberit fisnik, pa ndjekur epshet dhe pa bidate.
Kështu që, është obligim për çdo Musliman që ta dijë kuptimin e dy dëshmive me kuptimin e saktë të tyre dhe të veprojë në përputhje me kërkesat e tyre. Tek kjo përfshihet pohimi, besimi dhe veprimi në përputhje me atë që erdhi i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) –, me Kur'anin dhe Sunetin, çdo gjë që ka të bëjë me besimin, adhurimin dhe rregullat në çdo aspekt të jetës.
Dobitë që nxjerrim nga Hadithi:
Teuhidi është themeli i Islamit.
Shtylla më e rëndësishme pas Teuhidit është falja e Namazit.
Shtylla më e rëndësishme pas Namazit është Zekati, dhënia e një pjese të caktuar nga pasuria.
Nuk lejohet t’i jepet Zekati atij që është i pasur.
Hadithi përmban ndalimin e marrjes së atyre gjërave që janë më të vyera për njerëzit nga ai që mbledh zekatin.
Hadithi përmban qortim kundër çdolloj padrejtësie.
Hadithi përmban argument për pranimin e transmetimit nga një njeri i drejtë lidhur me çështjet e besimit dhe detyrave.
Hadithi përmban argument se thirrësi duhet të fillojë me atë që është më e rëndësishme dhe pastaj të kalojë tek ato që vijnë pas saj në varësi të rëndësisë që kanë.
Fundnota:
[1] Kurse në një transmetim tjetër qëndron: “Që ta veçojnë Allahun në adhurim.”
[2] Hadithi është Transmetuar nga Bukhari (Kitabuz-Zekat, n. 1395 dhe 1458), Muslimi (Kitabul-Iman, n. 31), Nesa’i (Kitabuz-Zekat, vëllimi 5, fq. 3), Ibn Maxheh (Kitabuz-Zekat, n. 1873, vëllimi 1, fq. 568), Darimi (Kitabuz-Zekat, n. 1662, vëllimi 1, fq. 318) dhe Ahmedi (Vëllimi 1, fq. 233).
[3] Sh.p: Fekih quhet dijetari i Fik’hut.
Përktheu: Alban Malaj