Burimi: Sherhu Mesaili el-Xhahilijeh, (1) minutat: 1:01:41

 

Pyetësi thotë: Çfarë mendimi keni për atë që thotë: “Dijetari e ka për detyrë që t’ua mësojë të tjerëve metodologjinë e Selefëve të Devotshëm duke mos folur për sektet e devijuara dhe ndjekësit e metodologjive të devijuara.” A nuk futet kjo te thënia e Umerit, radijAllahu anhu që thotë: “Do të braktisen hallkat (obligimet) e Islamit njëra pas tjetrës...”

Përgjigjja për këtë është: Këto fjalë nuk janë të përpikta dhe nuk janë të vërteta, madje janë gabim, sepse refuzimi i kundërshtarit sipas fesë Islame është nga bazat e kësaj feje. Allahu, i Madhëruari dhe i Lartësuari, është i pari që ka refuzuar dhe më së shumti që i ka refuzuar kundërshtarët e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Pra, Ai vetë i ka refuzuar ata.

Kështu që, refuzimi i kundërshtarëve është nga veprat që më së shumti të afrojnë tek Allahu. Shejkhul-Islam (Ibën Tejmijeh) ka thënë: “Ai është lloji më i madh i xhihadit.”

Kjo është e vërtetë! Madje mund t’ia kalojë edhe xhihadit të armiqve të jashtëm. Që do të thotë se luftimi i armikut të brendshëm është më i madh se luftimi kundër armikut të jashtëm. Për arsye se armiku i jashtëm duket ashiqare me armiqësinë e tij, kurse armiku i brendshëm mund të fshihet.

Një nga armiqësitë më të mëdha është që të shfaqen në mesin e Muslimanëve njerëz të cilët thërrasin drejt një metodologjie tjetër nga ajo e Selefëve, siç janë bidatet, shirkijatet, metodologjitë e devijuara dhe të lajthitura, si Rafidijtë, Khauarixhët, etj., pa dyshim se refuzimi kundër tyre është një nga adhurimet më të mëdha. Refuzimi kundër njerëzve të besëtytnive, Sufistave dh ndjekësit e tarikateve, është nga adhurimet me të mëdha dhe veprat më të mëdha. Ky është një lloj i xhihadit që është i domosdoshëm.

Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar ka thënë:

فَلَا تُطِعِ الْكَافِرِينَ وَجَاهِدْهُم بِهِ جِهَادًا كَبِيرًا

“Mos iu bind pabesimtarëve dhe luftoji ata fuqishëm me të (Kuranin).” el-Furkan, 52

Xhihadi kundër tyre me Kuran dhe me dije është nga llojet më të mëdha të xhihadit. Por, që ata të lihen dhe të heshtet ndaj tyre, atëherë kur do të merret vesh e vërteta?! Nëse dijetari hesht dhe nuk e sqaron devijimin e të devijuarve, kur do të kuptohet e vërteta?!

Sepse ne e kemi detyrë që të kujdesemi për fenë. Feja për ne është më e rëndësishme se personat. Nëse me refuzimin e një filani mbrohet feja nga ky kundërshtar dhe nuk ekziston ndonjë dëm plotësisht i mundshëm, siç është vrasja apo diçka e ngjashme, atëherë është obligim që ky person të refuzohet me emër.

Refuzimi ndaj kundërshtarëve është prej bazave të Islamit dhe nuk ka fare dyshim për këtë. Kështu që, fjala e tij “Dijetari e ka për detyrë që të mësojë metodologjinë e Selefëve të Devotshëm duke mos folur për sektet e devijuara”, nuk është e përpiktë dhe nuk është e vërtetë.

 

Përktheu: Jeton Shasivari