Pyetje: Cili është gjykimi i agjërimit të gruas me menstruacione dhe lehoni? Po nëse, ato e vonojnë kompensimin e agjërimit deri në Ramazanin tjetër, me çfarë obligohen ato?
Përgjigje: Gruaja me menstruacione dhe lehoni e ka obligim që ta prishë agjërimin kur i vijnë menstruacionet dhe lehonia. Nuk u lejohet atyre as të agjërojnë e as të falen kur u vijnë menstruacionet dhe lehonia, e as nuk pranohet prej tyre.
Po ashtu, ato e kanë obligim kompensimin vetëm te agjërimit, dhe jo të namazit. Është transmetuar nga ‘Aishah – radijAllahu ‘anha – se ajo është pyetur: “A e kompenson agjërimin dhe namazin gruaja me menstruacione?” Ajo tha:
كنا نؤمر بقضاء الصوم ولا نؤمر بقضاء الصلاة
“Neve na urdhëronin që të kompensonim agjërimin dhe nuk na urdhëronin që të kompensonim namazin.” [E ka transmetuar Bukhari dhe Muslimi.]
Dijetarët – Allahu i mëshiroftë – kanë unanimitet për fjalën e ‘Aishës – radijAllahu ‘anhu – se është obligim kompensimi i agjërimit dhe nuk është obligim kompensimi i namazit, për gruan me menstruacione dhe lehoni, si mëshirë dhe lehtësim për to nga Allahu i Patëmeta; sepse namazi përsëritet pesë herë në një ditë dhe kompensimi i tij është i vështirë për to.
Ndërsa, agjërimi obligohet të kompensohet një herë në vit, që është agjërimi i Ramazanit, e në kompensimin e tij nuk ka vështirësi. E kush e vonon kompensimin e agjërimit deri pas Ramazanit tjetër pa arsye sheriatike, atëherë ai e ka obligim të bëjë teube tek Allahu, ta kompensojë agjërimin dhe të ushqejë një nevojtar per çdo ditë.
Po ashtu, edhe i sëmuri dhe udhëtari, nëse e vonojnë kompensimin e agjërimit deri pas Ramazanit tjetër, pa arsye sheriatike, atëherë e kanë obligim ta kompensojnë agjërimin, të bëjnë teube dhe të ushqejnë një nevojtar për çdo ditë. Por, nëse sëmundja apo udhëtimi vazhdon derisa të vijë Ramazani tjetër, atëherë e ka obligim kompensimin e agjërimit, e nuk e ka obligim të japë ushqim, pasi që është shëruar nga sëmundja dhe është kthyer nga udhëtimi.
Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua, vëll.15/fq.181
Pektheu: Umm ‘Akil