Burimi: https://www.al-badr.net/muqolat/6123
Allahu ka vendosur për muslimanët në këtë festë të bekuar synime madhështore dhe qëllime të larta:
▪️Synimi i parë është - dhe ai është synimi më i madh dhe qëllimi më i lartë - që ta falënderojnë Allahun për kryerjen e detyrës së agjërimit që Ai ua ka obliguar, për adhurimet e tjera dhe namazin e natës, të cilat në fakt janë mirësi nga Allahu që i çojnë ata në Tokën e Paqes.
Prandaj, ata e falënderojnë Allahun e Madhëruar e të Lartësuar që u dha sukses atyre për ta përfunduar agjërimin e muajit Ramazan dhe faljen e namazit të natës, si dhe për adhurimet e tjera që i kryen me mirësinë e Tij për ta, gjatë netëve dhe ditëve të Ramazanit.
Kështu, ata dalin drejt vendfaljes së Bajramit duke madhëruar Allahun me tekbir (duke thënë Allahu Ekber), duke ngritur zërat me tekbir dhe tehlil (fjala La ilahe il-la Allah), duke qenë të nënshtruar për Zotin e tyre, duke iu lutur me përulësi e përgjërim Zotit të tyre Bujar, duke shpresuar në këtë mënyrë mirësinë, faljen dhe mëshirën e Zotit të tyre.
Ata janë gëzuar për përfundimin e agjërimit dhe namazeve të natës dhe përgëzojnë vetet e tyre.
Ata i kanë kërkuar Zotit të tyre shpëtimin nga Zjarri dhe pranimin e veprave, kanë shpresuar dhe kanë pritur plotësimin e mirësisë së Tij, duke kërkuar dhe shumëpritur prej Tij, e s'ka dyshim që Allahu i Patëmeta është më i miri tek i Cili varin shpresat shpresuesit dhe mirësinë e të Cilit lakmojnë lakmuesit.
▪️Synimi i dytë është: gëzimi me kënaqësitë e mira që Allahu i ka lejuar dhe ua ka bërë të mundur robërve të Tij, siç janë ushqimet, pijet, veshjet dhe begatitë e ndryshme, pa teprim, shpërdorim apo tejkalim të kufijve të lejuar.
Ai i urdhëroi ata me agjërim dhe ata u bindën me dëshirë dhe me durim. Ai ua lejoi çeljen e agjërimit, kurse ata e lavdëruan Zotin e tyre për mirësinë e Tij dhe e falënderuan.
▪️Synimi i tretë është: dëshira e madhe për të fituar shpërblim të madh dhe sevape të shumta; sepse kjo është dita në të cilën Allahu lëshon mbi robërit e Tij besimtarë begatitë e Tij të shumta dhe i përfshin me mirësinë e Tij të gjerë dhe dhuntitë e Tij të panumërta.
Allahu i Madhëruar e i Lartësuar u dha atyre sukses për agjërimin e këtij muaji dhe kryerjen e namazeve të natës, u dha sukses në kryerjen e llojeve të ndryshme të veprave të mira dhe leximin e Fjalës së Tij. Ai vazhdoi t’u dhurojë atyre mirësi derisa ata e përfunduan dhe e plotësuan atë muaj, pastaj Ai e plotëson mbi ta begatinë duke ua pranuar veprat e mira që kanë bërë dhe duke ua plotësuar deri ne fund shpërblimin që meritojnë për to.
Dhe nga synimet madhështore të festës së bajramit është se besimtarët në këtë ditë shpresojnë të arrijnë nga Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm premtimin e Tij fisnik dhe mirësinë e Tij të madhe: shpëtimin nga zjarri, faljen e gabimeve, ngritjen e gradave dhe shlyerjen e mëkateve.
Prandaj ne e lusim Allahun e Madhëruar e të Lartësuar që të na mundësojë ato që shpresojmë: arritjen e Kënaqësisë së Tij dhe shpëtimin prej Zjarrit, që të na japë sukses të gjithëve në bindjen ndaj Tij dhe kryerjen e adhurimit për Të, në atë mënyrë që Ai të jetë i kënaqur me ne.
Ne i kërkojmë Allahut të Madhëruar e të Lartësuar që të na ndihmojë të fitojmë në mënyrën më të mirë nga muaji i Ramazanit, duke vazhduar në bindjen ndaj Allahut dhe duke mos e ndërprerë adhurimin për Të, derisa Ai të na marrë shpirtrat tanë duke qenë i kënaqur me ne.
O Allah, na forco në fenë Tënde të drejtë dhe në rrugën Tënde të drejtë, dhe mos na lër t'i mbështetemi veteve tona, as sa një hapje e mbyllje të syve, o Zot i madhërisë dhe nderit!
▪️Gjithashtu, nga synimet e kësaj feste është po ashtu: shpresa për pranimin nga Allahu i Madhëruar e i Lartësuar. Për këtë arsye, ka qenë traditë e sahabëve dhe atyre që i ndoqën me mirësi që në këtë ditë të ndritur dhe të bekuar, kur takoheshin me njëri-tjetrin, thoshin: “Allahu na i pranoftë neve dhe juve!”
Ajo është dita në të cilën agjëruesi, falësi i namazit të natës dhe adhuruesi i Allahut në muajin e agjërimit shpreson nga Zoti i tij, Zotëruesi i tij dhe Mbrojtësi i tij, që t’ia pranojë adhurimin dhe të mos e kthejë të zhgënjyer:
وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَىٰ رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ
"Dhe ata që japin atë që japin, ndërsa zemrat e tyre janë të frikësuara se do të kthehen te Zoti i tyre." [el-Mu’minun: 60].
Gjithashtu, nga synimet e kësaj dite të ndritur dhe të bekuar është: forcimi i vëllazërisë së imanit, përforcimi i lidhjeve të imanit dhe largimi i armiqësive dhe mosmarrëveshjeve.
Kjo është dita e pastërtisë, dita e qartësisë, dita e vëllazërisë, dita e lidhjeve, dita e paqes, dita e shkëmbimit të lutjeve.
Prandaj është detyrë për çdo musliman, në këtë ditë të bekuar, që të kujdeset shumë për të forcuar lidhjen me vëllezërit e tij: me vizita, dashuri, miqësi, lutje dhe duke hequr çdo përçarje apo mosmarrëveshje që mund të ketë mes tyre. Dhe nëse përçarja dhe mosmarrëveshja nuk hiqen në një ditë të tillë të bekuar, atëherë kur do të hiqen?
Gjithashtu, nga synimet e kësaj dite madhështore është: falënderimi i Allahut të Plotëfuqishëm e të Madhërishëm, mirënjohja ndaj Tij, madhërimi i Tij dhe lavdërimi i bukur për Të. Dhe për këtë arsye, motoja e muslimanëve në këtë festë është tekbiri, madhërimi i Allahut.
Përktheu: Umm 'Akil