Autor: Shejkh Ahmed bin ‘Umer Bazmul

Burimi: http://bayenahsalaf.com/vb/showthread.php?t=23020

Pjesë e shkëputur nga shpjegimi i “Usul Sunneh” të Imam Ahmed, mësimi i gjashtë, dita e diel, 29 Sefer 1436 H

Në një shoqëri Muslimane ku ka udhëheqës (Musliman), askujt nuk i takon që t’i përndjekë njerëzit dhe të mbledhë dëshmitarë kundër tij, dhe të ketë zell në poshtërimin e tyre dhe që...si p.sh. ai që e kundërshton, ta kërcënojë atë, me atë se “filan shejkhu paralajmëron kundër teje dhe se ai (shejkhu) paralajmëron kundër teje në mesin e ummetit...” kjo nuk i takon atij.

Kjo është vepër e Khauarixhëve, kjo është vepër Haddadijve, assesi nuk është vepër e Selefizmit. Të mbledhësh dëshmitarë, shkrime dhe të bësh vëzhgime ndaj vëllezërve të tu Selefijin dhe t’i përndjekësh fjalët e tyre si dhe t’i kërcënosh: “ose do i marrësh këto fjalë ose përndryshe do t’i paralajmërojmë të rinjtë kundër teje; ose do ta lëmë filan shejkhun të paralajmërojë kundër teje.”

Kjo s’duhet bërë (s’është e udhës) dhe kjo nuk është metodë selefije dhe as menhexh selefij. I sfidoj për këtë, madje këtë nuk e kemi njohur vetëm se nga Haddadijtë. Kjo është puna e Haddadijve: i përndjekin selefij dhe ua mbledhin gabimet e tyre. Në rregull – o vëllaçko – kush të tha ty se selefiju nuk gabon?! Kjo është e para.

Dijetarët si Bin Bazi, Imam Ahmed, Imamët, Ibën Tejmije të gjithë këta çfarë thonë? Të gjithë thonë se (selefiju) gabon. A do që t’i përndjekësh gabimet e tyre dhe pastaj për shkak të gabimeve të tyre, t’i shpallësh ata bidatçi dhe të devijuar dhe të paralajmërosh kundër tyre?! Kjo është vepra e Haddadijve.

Për këtë arsye, ju kujtohet se njerëzit e dijes bëjnë dallim në mes gabimit të qëllimshëm dhe në mes gabimit të paqëllimshëm, që nuk e ka synuar. Siç ka thënë Ibën Me’in – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë:

“Ai që thotë se unë nuk gaboj është gënjeshtar.”

Duke u bazuar tek kjo, o ju që i mblidhni gabimet, kjo është nga gabimet tuaja menhexhijeh me të cilën po rrëzoheni dhe ju jeni më parësorët që duhet të rrëzoheni. Nëse ke për qëllim me gabimet që të rrëzosh një selefij, atëherë ky gabimi jot është gabim menhexhi. Pra, ti je më parësori për t’u rrëzuar se ai selefij që ka bërë një gabim që s’është gabim menhexhi. A është qartë!?

Prandaj, këta – dhe kjo është çështja e dytë që dua ta vë në pah – punët e këtyre bëhen në fshehtësi, nuk shfaqen. Porse i kërcënojnë njerëzit në mexhliset e veçanta. (Thonë): “Kini kujdes nga filani.” Shkojnë tek ai (duke i thënë): “Mos thuaj kështu, mos thuaj ashtu, bëj kështu. Ne po të kërcënojmë ty, do ta bëjmë kështu...” e shumë tjera.

Çfarë tha Umer ibën ‘Abdul-‘Aziz për ata që kanë mbledhje të veçanta!? Umer ibën ‘Abdul-‘Aziz tha: “Nëse një popull bën mbledhje në fshehtësi, vetëm se ata janë në themelimin e një bidati.”

Sikur të ishin në hak, do të kishin dalë haptazi. Por fshehtësia e tyre është argument për tre gjëra:

E para: Ata janë në batil.

E dyta: Ata janë të ulët, sikur puna e njerëzve të bidateve.

E treta: Ata e dijnë se sikur njerëzit e dijes t’i marrin vesh për lajmet e këtyre, do t’i kishin refuzuar ata dhe do t’i kishin ndaluar. Prandaj, nëse (fjalë e paqartë) me ta, i mohojnë këto veprime, kurse ato veprime janë të njohura nga ata.

E rëndësishme është se këto veprime si: fakti që ti po kërcënon një person, fakti që ti i mbledh gabimet e tija, dhe pastaj t’ia bësh gjyqin. Kjo s’të përket ty, kjo u takon udhëheqësve. Kjo është shkelje e të drejtave të udhëheqësve. Deshe ti apo s’deshe. Kjo është shkelje e të drejtave të udhëheqësve. Pse ekziston udhëheqësi?

Nëse ekziston një person që ka gabime dhe bënë të këqija në shoqëri, e padit atë tek udhëheqësi, ata e vështrojnë këtë çështje, s’të takon as ty e as mua. A e keni parë Shejkh Rabijn, e a keni parë Shejkh (Ahmed) en-Nexhmin, a i keni parë njerëzit e njohur të dijes selefijin të bëjnë një gjë të tillë dhe të urdhërojnë për një gjë të tillë?!

Ku mbeti hadithi i amanetit, që thotë se mexhliset kanë amanet! Ku mbeti hadithi që thotë se ai që i dëgjon njerëzit fshehurazi pa pëlqimin e tyre, i hidhet në veshët e tij metal i shkrirë.

Ku mbetëm argumentet për këtë?! I dogjën. As që u janë kthyer atyre. Ata janë njerëz të epsheve. Siç ka thënë Shejkul-Islam ibën Tejmije – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – në lidhje me njerëzit e epsheve:

“Njerëzit e epsheve janë atë që nuk punojnë sipas teksteve (të Kuranit dhe Sunnetit) përveç se me tekstet që janë në pajtim me epshet e tyre.”

Për këtë arsye, Imam Ahmedi – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – në këtë kapitull apo në këtë çështje, çështjen e mëparshme të javës së kaluar, e pohon këtë çështje që i refuzon këto vepra.

Nuk mendoj dhe nuk besoj së një Shejkh selefij që logjikon, i lejon gjërat si këto duke bërë inçizime (fshehurazi), përndjekje dhe dëmtim të selefijve. Pastaj, rrëzimin e tyre. Para rrëzimit, nëse vjen një selefij dhe thotë: “O vëllezër!..” siç më vijnë disa vëllezër dhe më thonë se flasin keq për ty (Shejkh Ahmed Bazmulin). E unë u them atyre: “Çfarë kanë kundër meje?” Ata thonë: “Nuk e dijmë! Pyeti të tjerët.”

Në rregull. Nëse ti ke për qëllim këshillën, nëse ke për qëllim këshillën me sqarimin e gabimit, atëherë i pari që këshillohet kush është? Ai që ka gabuar. Por nëse ti ke për qëllim turpërimin e tyre dhe ke për qëllim epshin tënd, atëherë kjo është vepra e njerëzve të epsheve. Qartë?

Si përfundim, këto vepra s’duhen bërë në një shoqëri Islame, e ku më t’i bëjë një selefij nëse është i sinqertë në selefijen e tij. Këto janë veprat e Haddadijve – siç i ka përmendur Shejkh Rabij në cilësitë e tyre se: “Ata shpifin për një person dhe e bëjnë bidatçi atë, e nëse një person pendohet, nuk e pranojnë pendimin e tyre, madje vazhdojnë ta shajnë atë.”

Këtu flitet për një person që nëse ka gabime dhe është penduar për ato, e ku më që të pretendojnë për një person se ka gabime, e ai në realitet s’ka gabime. Por gabimi është në kokën e tyre dhe logjikën e tyre të prishur dhe menhexhim e tyre të prishur. Çfarë gabimi!? Sqaroje atë gabim, nëse je i sinqertë. Mblidhi gabimet. Unë të them ty dhe të tjerët nga nxënësit e dijes të thonë ty se ne nuk shpëtojmë nga gabimet. Atëherë, sqaroi ato gabime, nëse je i sinqertë.

Por nëse bën lojëra, nëse je prej atyre që do sherr, atëherë unë e lus Allahun e Lartësuar, e lus Allahun e Lartësuar, e lus Allahun e Lartësuar që t’i shpëtojë selefijtë nga sherri i tyre. Sepse ata janë njerëz të sherrit dhe fitneve, që e prishin shoqërinë.

Andaj, kini kujdes – o vëllezërit e mi – nga këto vepra! Kini kujdes! Kini kujdes të plotë! Siç u tha më parë se kjo është kundërvajtje ndaj udhëheqësve. Shikoni Shejkh Rabij – Allahu i Lartësuar e ruajttë – thotë në shpjegimin e “Usuule Sunneh” në faqen 78, thotë:

“Shumë prej njerëzve thonë: “Unë jam prej Ehli Sunnetit dhe Xhematit,” kurse ai është bidatçi. Ai është i përshirë në bidate dhe shtirret e thotë: Unë jam prej Ehli Sunnetit. Kjo është prej nifakut. Ata zënë pozitën e njerëzve të bidatit dhe janë të përfshirë në bidate dhe thonë se ne jemi nga Ehli Sunneti. Kurse shenjat tregojnë se ata janë prej njerëzve të bidateve dhe se ata vendosin metodologji që t’i mbrojnë ata.”

Mbaroi (fjala e Shejkh Rabijs).

Kurse unë them: “Nga shenjat e njerëzve të bidatit është sharja e Ehli Sunnetit dhe gatishmëria e tyre për t’i rrëzuar ata. Edhe në qoftë se ata shfaqen se janë selefij dhe se janë nga nxënësit e filanit dhe se ata janë nga nxënësit e mëdhenj të filanit dhe se ata janë kështu e ashtu...kjo nuk ju bën dobi atyre. Sepse ajo që merret parasysh është vepra, realiteti e jo thjeshtë vetëm llafe.” A e keni të qartë? Në rregull.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari