Autorë: Hammad el-Ensarij, Salih Alu Shejkh

Burimi: el-Mexhmu’u, vëll, 2, fq. 518-519 (Shejkh Hammad el-Ensarij)

Burimi: Tefsirul-Mufassal min Surati “Kaf” ila Surati “el-Hadid”, fq. 12-13 (Shejkh Salih Alu Shejkh)

 

 

 

[1] Shejkh Hammad el-Ensarij – Allahu e mëshiroftë –, ka thënë:

Shumica e komentuesve të mëvonshëm të Kuranit, nuk i kanë lexuar fjalët e Selefëve rreth shkronjave në fillim të disa sureve, siç janë shkronjat “Elif, Lam, Mim”. Mendimi i disa komentuesve të mëvonshëm që thotë: “Allahu e di më së miri se çfarë është për qëllim me shkronjat ‘Elif, Lam, Mim’”, është fjalë e vërtetë, por me këtë fjalë synohet e pavërteta. Pa dyshim që Allahu është më i Dituri për të gjithë Librin e Tij. Librat e Selefëve për tefsir (komentimin e Kuranit) janë lënë nëpër sirtarë dhe në vend të tyre janë përhapur komentime të mendimeve të njerëzve apo të ngjashme me këto.

Hammad el-Ensarij i tha njërit që ishte i pranishëm në bibliotekë: “Çfarë do të thonë shkronjat ‘Elif, Lam, Mim’”? Ai tha: “Allahu e di më së miri se çfarë ka për qëllim me këto shkronja.” Babai i tha: “Kjo është gabim!” Ai ia ktheu: “Komentuesit e Kuranit kanë unanimitet për këtë.” Babai i tha: “Përkundrazi, ata që i keqinterpretojnë (el-muharrifun) kanë unanimitet për këtë! Kjo që the ti është fjalë e Muëtezilive, Maturidive dhe Esharijve.”

 

 

[2] Shejkh Salih Alu Shejkh – Allahu e ruajttë –, thotë:

Një grup dijetarësh kanë thënë: “Këto shkronja tregojnë se fjalët dhe ajetet e këtij Kurani, janë prej këtyre shkronjave (arabe), dhe një prej këtyre shkronjave është Kaf-i, si dhe shkronjat Elif, Lam, Mim, Sad, Jaa Sin, janë të këtij soji.” Meqë është kështu, atëherë ky Kuran është Fjalë që është shkruar nga këto shkronja të njohura të alfabetit (Arab), shkronja të cilat, Arabët i përdorin për të thurur poezi dhe për të mbajtur fjalime, me të cilat mburreshin dhe lëvdoheshin. 

Pra, ky Kuran, nuk është shkruar me shkronja që ata nuk i njohin. Përderisa është kështu, atëherë kjo do të thotë: le të sjellin ata një Sure të vetme si e Kuranit, ose të sjellin dhjetë Sure të ndryshme si ato të Kuranit, ose të sjellin një Kuran sikur ai. Kjo s’ka për të ndodhur asnjëherë. Sepse kjo është Fjala e Allahut – të Gjithëfuqishmit dhe Madhëruarit.

Argument për këtë mendim – i cili është mendimi më i saktë dhe më i qëlluar – është studimi dhe hulumtimi i thellë. Kur studimi dhe hulumtimi për një çështje, është i plotë apo është dominues, atëherë ai është argument te dijetarët e Usulit – siç dihet. Nëse i studion Suret që fillojnë me këto shkronja, do të zbulosh në të gjitha këto Sure se menjëherë pas këtyre shkronjave apo pak më vonë, përmendet Kurani.

Shembuj për këtë janë Fjalët e Allahut – të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit –:

﴿الم ﴿١﴾ ذَٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَيْبَ ۛ فِيهِ ۛ هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ ﴿٢﴾

“Elif, Lam, Mim. Ky është Libër në të cilin s’ka dyshim. Ai është udhëzim për ata që janë të devotshëm.” El-Bekare, 1-2

 

 

﴿الم ﴿١﴾ اللَّـهُ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ ﴿٢﴾ نَزَّلَ عَلَيْكَ الْكِتَابَ﴾

“Elif, Lam, Mim. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Ai është i Gjalli (që s’ka fillim e as mbarim) dhe i Panevojshmi (për krijesat). Ai e zbriti Librin...” Ali-Imran, 1-3

 

 

﴿المص ﴿١﴾ كِتَابٌ أُنزِلَ إِلَيْكَ فَلَا يَكُن فِي صَدْرِكَ حَرَجٌ مِّنْهُ لِتُنذِرَ بِهِ وَذِكْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ ﴿٢﴾

“Elif, Lam, Mim, Sad. Ky është Libri që të është zbritur ty, le të mos ketë kurrfarë shtrëngimi në gjoksin tënd për shkak të tij. (Ai të është shpallur) që të  paralajmërosh me të dhe ai është përkujtim për besimtarët.” El-Araf, 1-2

 

 

﴿الر ۚ كِتَابٌ أُحْكِمَتْ آيَاتُهُ ثُمَّ فُصِّلَتْ مِن لَّدُنْ حَكِيمٍ خَبِيرٍ ﴿١﴾

“Elif, Lam, Ra. Ky është Libër që ajetet e tij janë të përsosura, pastaj janë sqaruar ato me hollësi nga i Urti Absolut dhe i Gjithëdijshmi.” Hud, 1

 

 

﴿ق ۚ وَالْقُرْآنِ الْمَجِيدِ ﴿١﴾

“Kaf. Betohem në Kuranin e lavdishëm.” Kaf, 1

 

 

﴿يس ﴿١﴾ وَالْقُرْآنِ الْحَكِيمِ ﴿٢﴾

“Ja Sin. Betohem në Kuranin që është me plotë urtësi.” Jasin, 1-2

 

 

                     ﴿طه ﴿١﴾ مَا أَنزَلْنَا عَلَيْكَ الْقُرْآنَ لِتَشْقَىٰ ﴿٢﴾﴾                 

“Ta, Ha. Ne nuk ta kemi zbritur Kuranin ty për të të munduar.” Taha, 1-2

 

E kështu me radhë.

Pra, në çdo Sure që përmenden këto shkronja, pas tyre – menjëherë apo pas pak – përmendet Kurani, gjë që tregon se ky mendim është i saktë. Dhe ky mendim thotë se këto shkronja që fillojnë Suret me to, janë argument se këto Sure që janë shkruar me këto lloj shkronjash, janë po të njëjtat me të cilat ju flisni dhe ju nuk do të keni mundësi kurrë që të sillni as edhe një Sure të ngjashme si e Kuranit.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari