Autor: Imam Begauij

 

 

Allahu i Lartësuar në Kuranin e Madhërishëm thotë:

الَّذِينَ أُخْرِجُوا مِن دِيَارِهِم بِغَيْرِ حَقٍّ إِلَّا أَن يَقُولُوا رَبُّنَا اللَّـهُ وَلَوْلَا دَفْعُ اللَّـهِ النَّاسَ بَعْضَهُم بِبَعْضٍ لَّهُدِّمَتْ صَوَامِعُ وَبِيَعٌ وَصَلَوَاتٌ وَمَسَاجِدُ يُذْكَرُ فِيهَا اسْمُ اللَّـهِ كَثِيرًا وَلَيَنصُرَنَّ اللَّـهُ مَن يَنصُرُهُ إِنَّ اللَّـهَ لَقَوِيٌّ عَزِيزٌ

“Ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu”, sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, atëherë do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë Emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” El-Haxh, 40

 

 

Tefsiri i Imam Begauijut:

 

Do të thotë që ata u nxorën nga shtëpitë e tyre, vetëm pse thanë se Zoti ynë është Allahu, i Vetmi.

 “Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri,” përmes Xhihadit dhe zbatimit të ndëshkimeve.

 

“...do të shkatërroheshin manastiret (sauamië),” Muxhahidi dhe Dahaku kanë thënë: “Manastiret e murgjve.” Katadeh ka thënë: “Manastiret e Saibinëve (ata që lenin fenë e idhujtarëve dhe pranonin fenë e Pejgamberëve).”

 

“...kishat (bija’u),” pra kishat e të Krishterëve.

 

“...sinagogat (salauat),” pra sinagogat e Jehudëve, të cilat në Hebraishte quhen “saluuta.”

 

“...dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut.” Pra xhamitë e Muslimanëve nga Umeti i Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Kuptimi i ajetit është:

 

Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, në Sheriatin e çdo Pejgamberi, do të shkatërroheshin faltoret e tyre. Në kohën e Musait, do të shkatërroheshin sinagogat. Në kohën e Isait, do të shkatërroheshin kishat dhe manastiret. Në kohën e Muhamedit – sa-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – do të shkatërroheshin xhamitë.

 

Ibën Zejdi ka thënë: “me fjalën ‘es-salauat’ kihet për qëllim namazet e Muslimanëve, sepse ato ndërpriten (falja e tyre me xhemat në xhami, sh.p.) kur armiku hyn tek ata.”

 

“Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë.” Që do të thotë atë që e ndihmon fenë e Tij (Islamin) dhe Pejgamberin e Tij.

 

“Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.”

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari