Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira! Çfarë gjykimi ka qëndrimi në vendet e kufrit dhe marrja e nënshtetësisë së tyre?
Përgjigje: Sa i përket marrjes së nënshtetësisë së tyre, unë nuk jap fetva që lejohet. Kurrsesi nuk jap fetva që lejohet! Gjykimi për marrjen e nënshtetësisë së tyre është i qartë.
Sa i përket qëndrimit në vendet e pabesimtarëve, nëse njeriu nuk mund t’i përmbahet fesë së tij dhe mund të emigrojë nga atje, njëkohësisht ka gjetur një vend (Islam) ku mund të emigrojë atje, atëherë ai e ka detyrë që të emigrojë dhe e ka haram që të qëndrojë në atë vend. Për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi!
Gjithashtu, pjesë e pamundësisë për t’iu përmbajtur fesë është edhe atëherë kur ti nuk mund t’i ruash fëmijët e tu. Madje, nëse i lë fëmijët e tij në ato vende, ka mundësi që ata ta lënë fenë, apo e pakta, ata mund të rebelohen kundër veprave që kërkon Sheriati nga ata, atëherë ky person nuk mund t’i përmbahet fesë së tij, sepse ruajtja e fëmijëve është pjesë e fesë së tij.
Nëse njeriu mund t’i përmbahet fesë së tij dhe ka mundësi që të emigrojë, të njëjtën kohë ka gjetur një vend ku mund të emigrojë, atëherë sipas mendimit më të saktë preferohet që ai të emigrojë, kurse disa dijetarë thonë se ai e ka detyrë të emigrojë. Por sipas mendimit më të saktë, preferohet që ky person të emigrojë.
Nëse njeriu ka mundësi që t’i përmbahet fesë së tij dhe të njëjtën kohë ka mundësi që të emigrojë si dhe e ka gjetur një vend (Islam) ku mund të emigrojë, por qëndrimi i tij në atë vend ka dobi fetare për Muslimanët, si për shembull ai që është mësues dhe imam i tyre, dhe kihet frikë se po e la xhematin e tij, xhamia do të humbet dhe ata do të dobësohen në fe, në këtë rast, preferohet që të qëndrojnë në mesin e tyre përderisa ka dobi fetare.
Në rast se nuk mund të emigrojë, për shembull është i sëmurë dhe ilaçi për sëmundjen e tij është i veçantë dhe ky ilaç gjendet vetëm në atë vend ku qëndron ai, ose ky ilaç shitet shumë shtrenjtë dhe nuk e përballon dot. Unë di që ekzistojnë disa sëmundje dhe çmimi i ilaçit për këtë sëmundje kushton 1 milion rijal për një injeksion. Po ashtu, ka raste kur këto injeksione nuk gjenden në vendet e Muslimanëve. Ai që vuan nga një sëmundje e rrezikshme dhe nuk ka ilaçe për sëmundjen e tij në vendin ku do të emigrojë, apo ka ilaçe atje por ai nuk i përballon dot shpenzimet për këtë kurim, atëherë ky njeri ka justifikim. Ky është i justifikuar dhe nuk mund të emigrojë.
Ose akoma nuk ka gjetur një vend drejt të cilit do të emigrojë. Ai dëshiron të emigrojë, por ende nuk ka gjetur një vend ku do të emigrojë, qoftë duke marrë leje qëndrimi apo mundësi të tjera, atëherë ky person është i justifikuar. Ky ishte shpjegimi i detajuar dhe gjykimi për vendqëndrimin në vendet e pabesimtarëve.
Përktheu: Jeton Shasivari