Autor: Shejkh 'Abdul-Muhsin el-'Abbad el-Bedër

Është pyetur Shejkh 'Abdul-Muhsin el-'Abbad – Allahu e ruajttë – për këtë pjesë të shkëputur nga "Mesazhi i Ammanit": "Origjina e feve hyjnore është një, dhe Muslimani beson në të gjithë të Dërguarit, nuk bën dallim në asnjërin prej tyre, dhe padyshim që refuzimi i mesazhit të ndonjërit prej tyre është dalje nga Islami, gjë që hap themelin e ndërtimit të një parimi të gjerë për takimin me besimtarët e feve të tjera në vende të përbashkëta, në shërbim të shoqërisë njerëzore, pa cënuar dallimin në besim dhe pavarësinë në mendim."

Dhe u përgjigj Shejkh 'Abbadi – hafidhahullah –:

"Fjala e parë është e bukur kurse fjala tjetër është e fëlliqtë. E para është e mirë kurse tjetra është e keqe. Domethënë, meqë të gjithë të Dërguarit kanë një fe, se ata thërrasin në Teuhijd, se është obligimi besimi i çdonjërit prej tyre dhe se kush mohon ndonjërin prej tyre është mohues i të gjithëve atyre, të gjitha këto janë të vërteta. Ama kjo fjala që thotë për takimin me fetë e tjera mbas dërgimit të Pejgamberit tonë, Muhamedit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, nuk ka asnjë fe të vërtetë pos Fesë Islame dhe nuk lejohet që të besohet se ka ndonjë fe tjetër të vërtetë, të pranishme sot, që mund ta ndjekin ata që nuk janë Muslimanë, përkundrazi, të gjitha sheriatet u anuluan me dërgimin e atij – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, sikurse ka thënë ai – 'alejhis-salatu ues-selam –:

والذي نَفْسي بيده لا يسمع بي أحدٌ من هذه الأُمّة يهوديٌّ أو نصرانيٌّ ثم يموت ولا يُؤمن بالذي أُرسلتُ به إلا كان من أصحاب النَّار

"Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka njeri nga ky popull, Çifut apo të Krishterë, që dëgjon për mua dhe pastaj vdes pa besuar në Shpalljen me të Cilën u dërgova unë, përveç se ka për të qenë prej banorëve të Zjarrit."

Dhe ai ka thënë:

ولو كان موسى حيا ما وسعه إلا اتباع .

"Sikur Musa të kishte qenë i gjallë, s'do kishte patur rrugë tjetër përveç që të më pasonte mua."

Edhe 'Ijsa kur të zbresë në fundin e kohës do të gjykojë me Sheriatin e të Dërguarit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe nuk do të gjykojë me Ungjillin. Sheriatet (e mëparëshme) morën fund mbas dërgimit të tij – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe ato nuk egzistojnë sot. Mirëpo ai erdhi me ligjet që lidhen me Ehli-Kitabët, se ata trajtohen në mënyrë të veçantë sepse ata kanë origjinë në fe, dhe nëse e paguajnë xhizjen, atëherë qëndrojnë nën mbrojtjen e Muslimanëve sepse ajo është prej shkaqeve që i bën ata të hyjnë në Islam. Ama që të thuhet se fetë mbas dërgimit të të Dërguarit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – janë të gjitha të vërteta, se duhen marrë në konsideratë dhe se nuk ka dallim midis atyre, s'ka dyshim se kjo fjalë është nga fjalët më të pavërteta që mund të thuhen dhe nga fjalët më të shëmtuara që mund gjenden."

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj