Autor: Ahmed bin Abdul-Halim Ibnu Tejmijeh el-Harranij (728 Hixhrij – 1328 Gregorian)

Burimi: Mexhmu’ul Fetaua, vëll. 1, fq. 370-371

 

 

Kur Ibën Tejmijeh ishte në arrest shtëpie (në Egjipt), hyrën tek ai tre priftërinj nga Egjipti i Epërm (rajon në Egjipt). Ai debatoi me ta dhe ua ngriti argumentin duke ua bërë të qartë se ata janë pabesimtarë dhe nuk janë në fenë e Ibrahimit dhe të Mesihut (Isait – alejhi selam). Kurse, priftërinjtë i thanë Ibën Tejmijes:

“Ne e veprojmë atë që veproni edhe ju. Ju besoni për zonjën Nefise [1] në këto gjëra, edhe ne i besojmë të njëjtat gjëra për zonjën tonë Merjemen (Marian). Neve na bashkon fakti se Mesihu (Isa) dhe Merjemja janë më të mirë se Husejni dhe Nefiseja. Ju, po ashtu, kërkoni ndihmë në vështirësi nga njerëzit e devotshëm që kanë jetuar para jush, gjë të cilën e bëjmë edhe ne.”

 

Ibën Tejmijeh u tha atyre:

“Çdokush që i bën këto gjëra, u përngjason juve. Kjo nuk është feja e Ibrahimit, sepse feja në të cilën ishte Ibrahimi – alejhi selam – është që të mos adhurojmë asnjë përveç Allahut, të Vetmit, i Cili nuk ka shok, as ortak, as grua, as fëmijë, dhe të mos i shoqërojmë në adhurim ndonjë melek, e as diellin, as hënën, as ndonjë yll, as ndonjë nga pejgamberët ose ndonjë të devotshëm. 

 

﴿إنْ كُلُّ مَنْ فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ إِلَّا آتِي الرَّحْمَـٰنِ عَبْدًا﴾

“Çdo gjë që është në qiej dhe në tokë vetëm se i vjen të Gjithëmëshirshmit si një rob i nënshtruar.” Merjem, 93

 

Nuk kërkohen nga të tjerët ato gjëra për të cilat ata s’kanë fuqi që t’i bëjnë, përpos Allahut, siç është zbritja e shiut, mbirja e bimëve, largimi i fatkeqësive, kërkimi i udhëzimit nga devijimi, falja e mëkateve, ngase askush nga krijesat nuk ka fuqi t’i bëjë këto dhe nuk i bën askush tjetër pos Allahut.

 

Ne u besojmë Pejgamberëve – alejhimus salatu ue selam – i madhërojmë ata, i respektojmë,  i ndjekim, u besojmë në të gjitha ato gjëra me të cilat erdhën ata dhe u bindemi atyre. 

 

Ashtu siç ka thënë Nuhu, Salihi dhe Shuajbi:

 

﴿أَنِ اعْبُدُوا اللَّـهَ وَاتَّقُوهُ وَأَطِيعُونِ﴾

“Që të adhuroni vetëm Allahun, kini frikë prej Tij dhe mu bindni mua (si pejgamber që jam dërguar).” Nuh, 3

 

Pra, ata e kishin adhurimin dhe frikën vetëm për Allahun, të Vetmin, dhe bindjen ndaj tyre (të dërguarve), sepse bindja ndaj tyre është bindje ndaj Allahut. Nëse dikush nuk i beson një pejgamberi të caktuar, sado që të besojë në të gjithë pejgamberët e tjerë, prapëseprapë atij nuk do t’i bëjë dobi besimi i tij, derisa të besojë edhe në atë pejgamber. Po kështu është nëse i beson të gjithë Librat dhe e mohon një Libër të vetëm, ai është pabesimtar, derisa të besojë në atë Libër. Po kështu është edhe me melaiket (engjëjt) dhe Ditën e Fundit.”

 

Kur priftërinjtë i dëgjuan fjalët e Ibën Tejmijes, thanë në fund:

“Feja për të cilën fole ti është më e mirë se feja që kemi ne (të Krishterët) dhe ata (që adhuronin Nefisen).  

 

 

Fundnota:

 

[1] (Shënim i përkthyesit):

 

1 – Ibën Kethiri – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Ajo quhej Nefiseh, e bija e Hasen bin Zejd bin Hasen bin Alij ibën Ebi Talib – Allahu qoftë i kënaqur me të. Ajo hyri në tokën e Egjiptit me burrin e saj, el-Mutemen Is’hak bin Xhafer, dhe qëndroi aty. Ishte grua e pasur dhe i ndihmonte njerëzit me pasurinë e saj; ishte grua e devotshme, adhuruese dhe askete. Kur ajo vdiq, burri i saj dëshironte që ta çonte në Medine që ta varroste atje, por banorët e Egjiptit e ndaluan dhe kërkuan prej tij që të varrosej tek ata. Kështu ajo u varros në shtëpinë ku ajo banonte. Vdiq në muajin Ramazan të vitit 208 Hixhrij, siç e ka përmendur këtë Ibën Khalikan, duke thënë se banorët e Egjiptit besonin në lidhje me këtë grua në disa gjëra.

 

Unë (Ibën Kethiri) them: njerëzit e thjeshtë, sot e kësaj dite, e kanë tepruar duke besuar në gjëra të kota në lidhje me këtë grua dhe për gra të tjera, sidomos njerëzit e thjesht të Egjiptit. Ata thonë fjalë të urryera dhe të pavend të cilat çojnë në kufër dhe shirk, si dhe shumë fjalë të tjera të cilat ata duhet t’i dinë se janë të ndaluara.”

 

Shkëputur nga “el-Bidajeh ue en-Nihajeh,” vëll. 10, fq. 286, botimi “Darul Fikr”

 

 

2 – Ibnul Me'adi – Allahu e mëshiroftë – ka thënë se, Dhehebiu – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“...injorantët besonin gjëra të ndaluara në Islam në lidhje me këtë grua. Disa prej tyre arrinin deri aty sa i bënin shirk Allahut. Ata i bënin sexhde varrit të saj dhe kërkonin nga ajo që t’i falë ata.”

 

 Shkëputur nga “Shedheratu dheheb fi akhbari men dhehebe,” vëll. 3, fq. 43, botimi “Dar ibën Kethir.”

 

Përktheu: Jeton Shasivari