Autor: Salih bin Abdul-Aziz Alu Shejkh

Burimi: Ligjëratë me titull “Likaaun Meftuh me’a Fadileti Shejkh Salih Alu Shejkh bi Xhamië esh-Shejkh Muhamed bin Hamed Alu Shejkh,” min. 29:49, më datë 22 Sefer 1441 h.

 

 

 

Islami është feja e Allahut të Lartësuar dhe Allahu nuk pranon fe tjetër përveç Islamit.

﴿إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّـهِ الْإِسْلَامُ﴾

“S’ka dyshim se e vetmja fe e pranuar tek Allahu është Islami.” Al-Imran, 19

 

Ibrahimi – alejhi selam – ishte Musliman dhe babai i profetëve. Nuhu – alejhi selam – ishte Musliman. Ademi – alejhi selam – ishte Musliman. Musai – alejhi selam – ishte Musliman. Isai – alejhi selam – ishte Musliman. Feja e pranuar tek Allahu është vetëm një fe, e ajo fe është Islami.

Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë:

﴿مَا كَانَ إِبْرَاهِيمُ يَهُودِيًّا وَلَا نَصْرَانِيًّا وَلَـٰكِن كَانَ حَنِيفًا مُّسْلِمًا وَمَا كَانَ مِنَ الْمُشْرِكِينَ﴾

“Ibrahimi nuk ishte Jehudi e as i Krishterë, por ai ishte Musliman, hanif (i cili qëndronte larg shirkut dhe adhuronte vetëm Allahun) dhe nuk ishte nga idhujtarët.” Al-Imran, 67

 

Ka ardhur një transmetim i saktë përmes M’ameri, nga Hammam ibën Munebbih, nga Ebu Hurejra – radijAllahu ‘anhu –, se i Dërguari i Allahut –  sal-lAllahu, alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Profetët janë vëllezër që kanë lindur nga nëna të ndryshme por nga një baba i vetëm, feja e tyre është një, kurse Sheriatet e tyre (legjislacionet) dallonin nga njëri-tjetri.”

 

Feja e Allahut të cilën e do Allahu është Islami. Andaj, ne themi: feja e vetme që e do Allahu – i Madhërishëm dhe i Lartësuar – dhe është i kënaqur me të, është Islami. Feja e çdo profeti ka qenë Islami; çdo profet ka ardhur me fenë Islame. Hebraizmi është fe dhe Sheriat, por feja e Hebraizmit ishte Islami dhe Sheriati i kësaj feje ishte Sheriati i Musait – alejhi selam. Krishterimi – në origjinë – ishte feja Islame dhe Sheriati i kësaj feje ishte Sheriati i Isait – ‘alejhi ue sel-lem.

﴿لِأُحِلَّ لَكُم بَعْضَ الَّذِي حُرِّمَ عَلَيْكُمْ ۚ وَجِئْتُكُم بِآيَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ فَاتَّقُوا اللَّـهَ وَأَطِيعُونِ﴾

“...që t’ua lejoj disa gjëra që u ishin ndaluar (në Sheriatet e mëparshme) dhe unë kam ardhur te ju me argument nga Zoti juaj, andaj kini frikë Allahun dhe mu bindni mua.” Al-Imran, 50

 

Kështu që, nuk është e saktë dhe e drejtë që këto fe (Hebraizmi dhe Krishterimi) t’i atribuohen qiellores. Kjo është një nga çështjet e rëndësishme për të cilën ndodhin pështjellime dhe paqartësi. Disa thonë: “Fetë qiellore,” ose “Fetë Abrahemike.”

﴿مَا كَانَ إِبْرَاهِيمُ يَهُودِيًّا وَلَا نَصْرَانِيًّا وَلَـٰكِن كَانَ حَنِيفًا مُّسْلِمًا﴾

“Ibrahimi nuk ishte Jehudi e as i Krishterë, por ai ishte hanif (i cili qëndronte larg shirkut dhe adhuronte vetëm Allahun) Musliman.” Al-Imran, 67

 

Këto fe nuk janë qiellore. Po! Janë fe që i atribuohen njerëzve të tyre apo profetit të tyre, por nuk janë qiellore, feja qiellore në të cilën mblidhen të gjithë ata është Islami. Kështu që, mos thuaj “fetë qiellore” dhe askush të mos fusë në kokën tënde se ka fe tjetër të vërtetë përveç fesë Islame.

 

Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë:

﴿إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّـهِ الْإِسْلَامُ﴾

“S’ka dyshim se e vetmja fe e pranuar tek Allahu është Islami.” Al-Imran, 19

 

Po ashtu ka thënë:

﴿وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ﴾

“Kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, ajo nuk do t’i pranohet kurrsesi dhe në botën tjetër ai është nga të humburit.” Al-Imran, 85

 

Për këtë arsye, te disa njerëz po përhapet kuptimi jo i drejtë i Islamit dhe thonë “fetë qiellore.” Jo! Islami është një. Të gjithë profetët kishin një fe. E cila është kjo fe? Islami.

 

Islam do të thotë:

1 – T’i dorëzohesh Allahut me Teuhid,

2 – T’i nënshtrohesh Atij duke iu bindur, t’i bindesh të Dërguarit i cili është dërguar,

3 – Distancimi nga shirku dhe ndjekësit e tij.

 

[1] T’i dorëzohesh Allahut me Teuhid, do të thotë: t’ia dorëzosh veten dhe zemrën tënde Allahut, të Vetmit dhe të mos adhurosh vetëm se Atë; ta dish se ai është Zoti i cili nuk ka ortak në sundimin e Tij, se askush nuk e vë në lëvizje universin, as sundimin, as shpendin, as qiellin, as detin, as tokën, përveç Allahut – të Madhërishmit dhe të Lartësuarit. Atë që do Allahu, bëhet; dhe atë që nuk e do, nuk bëhet. Kjo akide (besim) do të thotë t’i dorëzohesh Allahut me Teuhid Rububijeh (të pohosh se Allahu zotëron çdo gjë) dhe me Teuhid të adhurimit (Uluhijeh – duke e adhuruar vetëm Atë).

 

[2] T’i nënshtrohesh Atij – të Madhërishmit dhe të Lartësuarit – duke iu bindur, do të thotë t’i bindesh në atë që e ka thënë në Librin e Tij, në varësi të Librit që e ka zbritur ose t’i bindesh asaj që e ka urdhëruar një i Dërguar.

 

[3] Distancimi nga shirku dhe ndjekësit e tij. Shirku (t’i përshkruash Allahut ortak në adhurim) është padrejtësi ndaj Allahut – të Madhërishëm e të Lartësuarit.

﴿إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ﴾

“...s’ka dyshim se shirku është padrejtësi e madhe.” Lukman, 13

 

Ai që i përshkruan Allahut shok, vërtet ka bërë padrejtësi të madhe ndaj Allahut. Rrjedhimisht, ai që i bën padrejtësi Allahut, unë distancohem prej tij. Po! Unë distancohem dhe largohem prej tij.

 

Përktheu: Jeton Shasivari