Autor: Muhammed Nasiruddin el-Albani (1419 h.)

Burimi: et-Teuhidu Eu-uelen Ja Duate el-Islam, fq. 12

 

Shumica e Muslimanëve sot të cilët dëshmojnë fjalën “la ilahe il-Allah”, nuk e kuptojnë mirë domethënien e kësaj fjale. Madje ndoshta e kuptojnë tërësisht së prapthi dhe të kundërtën e saj. Po jap një shembull për këtë: njëri nga këta [1] ka shkruar një libër për domethënien e fjalës “la ilahe il-Allah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut)” dhe e ka shpjeguar atë duke thënë: “La rabb il-Allah (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut)” Këtë domethënie e besonin edhe idhujtarët dhe e mbështesnin atë, porse ky besim i tyre nuk u bëri dobi.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

{وَلَئِنْ سَأَلْتَهُمْ مَنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ اللَّهُ}

“Nëse i pyet ata: kush i ka krijuar qiejt dhe tokën? Ata do të thonë: Pa dyshim, Allahu!” Lukman, 25

Pra, idhujtarët besonin se kjo gjithësi ka një Krijues që nuk ka ortak, por i shoqëronin Allahut ortakë të tjerë në adhurimin që bënin. Ata besonin se Zoti është një, por besonin se të adhuruarit janë shumë. Andaj, Allahu i Lartësuar e refuzoi këtë besim të cilin e quajti “adhurim që i dedikohet dikujt tjetër përveç Tij,” duke thënë:

وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مِنْ دُونِهِ أَوْلِيَاءَ مَا نَعْبُدُهُمْ إِلَّا لِيُقَرِّبُونَا إِلَى اللَّهِ زُلْفَى

“Ata të cilët kanë marrë mbrojtës të tjerë përveç Atij, thonë: Ne i adhurojmë ata që të na afrojnë tek Allahu.” Ez-Zumer, 3

___________________

[1] Ai që shkroi këtë është Shehu Muhamed el-Hashimij, një ndër shehat e Sufive të tarikatit esh-Shadhilijeh në Siri që prej 50 vitesh.

 

Përktheu: Jeton Shasivari