Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 38

 

Emri:

El-Ganijj (الغَنِيُّ) – i Pasuri Absolut

 

Ky emër ka ardhur në tetëmbëdhjetë vende në Kuran. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَرَبُّكَ الْغَنِيُّ ذُو الرَّحْمَةِ

“E Zoti yt është i Pasuri që posedon mëshirë.” El-En’am, 133

Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:

﴿يَا أَيُّهَا النَّاسُ أَنْتُمُ الْفُقَرَاءُ إِلَى اللَّهِ  وَاللَّهُ هُوَ الْغَنِيُّ الْحَمِيدُ

“O ju njerëz, ju jeni të nevojshëm për Allahun, kurse Allahu është i Pasuri që s’ka nevojë për askënd dhe është i Lavdëruari.” Fatir, 15

Ai, i Madhërishmi dhe i Lartësuari, është i Pasuri me qenien e Tij që posedon pasuri të plotë dhe absolute në të gjitha aspektet dhe pikëpamjet, për arsye se Ai është i Përsosur dhe cilësitë e Tij janë të përsosura dhe këtyre cilësive nuk afrohet ndonjë mangësi, në çfarëdo aspekti qoftë.

Nga pasuria e përsosur e Tij është se Atij nuk i bëjnë dobi veprat e mira të të devotshmëve dhe nuk i bëjnë dëm veprat e këqija të mëkatarëve; nëse të gjithë banorët e tokës do ta besonin Allahun, kjo nuk do të shtonte ndonjë gjë në sundimin e Tij dhe nëse të gjithë banorët e tokës do ta mohonin Allahun, kjo nuk do të pakësonte ndonjë gjë në sundimin e Tij.

Ai që e njeh Zotin e tij me këtë përshkrim madhështor, e ka njohur veten e tij. Ai që e njeh Zotin e Tij se është i Pasuri Absolut, e ka njohur veten e tij se është i varfëri absolut; ai që e njeh Zotin e tij se Ai ka fuqi të plotë, e ka njohur veten e tij se ka dobësi të plotë; ai që e njeh Zotin e tij se Ai posedon triumf të plotë, e ka njohur veten e tij se ka mjerim të plotë; ai që e njeh Zotin e tij se Ai ka dituri të plotë dhe urtësi, e ka njohur veten e tij se ka padituri. Dituria e robit se është i nevojshëm për Allahun, e cila është fryti i kësaj diturie, është simboli i lumturisë së robit dhe shpëtimi i tij në dunja dhe ahiret.

 

Përktheu: Jeton Shasivari