Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 55-56

 

Emri:

Er-Rauuf (الرَّؤُوفُ) [Ai që ka shumë dhembshuri për krijesat e Tij]

Ky Emër është përmendur në dhjetë vende në Kur'an. Dhembshuria “er-rafetu”, siç thotë Ibën Xheriri, Allahu e mëshiroftë: “Është shkalla më e lartë e mëshirës, e ajo përfshin të gjitha krijesat në dunja dhe vetëm një pjesë të tyre në ahiret.” E ajo pjesë në ahiret janë besimtarët që Ai i do, janë robërit e Tij të devotshëm.

E me këtë, duhet ditur se prej rregullave të dobishme që kanë përmendur njerëzit e dijes në temën e kuptimit të emrave të bukur të Allahut, është se: kur ajetet e Kur'anit përfundojnë me emrat e bukur të Allahut, kjo tregon se gjykimi i përmendur në atë ajet ka lidhje me atë emër fisnik të Allahut me të cilin mbaron ajeti. Kështu që, meditimi te kjo që përmendëm është prej shkaqeve më të mëdha që e ndihmon njeriun në kuptimin e emrave të bukur të Allahut.

Prej atyre ajeteve është për shembull Fjala e Allahut të Lartësuar:

يَوۡمَ تَجِدُ كُلُّ نَفۡسٖ مَّا عَمِلَتۡ مِنۡ خَيۡرٖ مُّحۡضَرٗا وَمَا عَمِلَتۡ مِن سُوٓءٖ تَوَدُّ لَوۡ أَنَّ بَيۡنَهَا وَبَيۡنَهُۥٓ أَمَدَۢا بَعِيدٗاۗ وَيُحَذِّرُكُمُ ٱللَّهُ نَفۡسَهُۥۗ وَٱللَّهُ رَءُوفُۢ بِٱلۡعِبَادِ٣٠

“Ditën kur çdo njeri do të gjejë gjithë çfarë ka punuar prej veprave të mira përpara vetes së tij, e për çdo të keqe që ka punuar do të donte që mes tij dhe mes veprës së keqe të ishte një largësi e madhe. Allahu ju paralajmëron që t'i frikësoheni Atij. E Allahu është shumë i Dhembshur me robërit e Tij.” [Aal-'Imran, 30]

Nga kjo përfitohet se Allahu - i Pastër nga çdo mangësi është Ai - pavarësisht dënimit të rëndë dhe ndëshkimit të madh që jep Ai, megjithatë Ai është shumë i Dhembshur me robërit e Tij. E prej dhembshurisë së Tij është se Ai i ka frikësuar robërit e Tij dhe i ka parandaluar ata nga devijimi dhe shthurja, në mënyrë që të shpëtojnë prej pasojave dhe dënimeve të tyre. Pra, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, me butësinë dhe mëshirën e Tij, i paralajmëroi robërit e Tij që të ruhen nga rrugët që i shpien ata në gjëra të urryera.

Gjithashtu, shembull tjetër është Fjala e të Lartësuarit:

وَٱلَّذِينَ جَآءُو مِنۢ بَعۡدِهِمۡ يَقُولُونَ رَبَّنَا ٱغۡفِرۡ لَنَا وَلِإِخۡوَٰنِنَا ٱلَّذِينَ سَبَقُونَا بِٱلۡإِيمَٰنِ وَلَا تَجۡعَلۡ فِي قُلُوبِنَا غِلّٗا لِّلَّذِينَ ءَامَنُواْ رَبَّنَآ إِنَّكَ رَءُوفٞ رَّحِيمٌ١٠

“E ata që vijnë pas tyre thonë: O Zoti ynë na fal neve dhe vëllezërit tanë të cilët na paraprinë në besim, e mos na lër që të kemi në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje për ata që besuan. O Zoti ynë, me të vërtetë që Ti je shumë i Dhembshur dhe Mëshirues i madh.” [El-Hashr, 10]

Kjo është prej mëshirës së Allahut dhe dhembshurisë së Tij për robërit e Tij besimtarë, i Cili e ka forcuar mes tyre lidhjen e imanit, fesë dhe devotshmërisë. Kështu, Ai bëri që të mëvonshmit t'i duan të mëparshmit dhe të luten për ta me çdo mirësi.

Sa dhuratë e shtrenjtë dhe sa begati e vyer është ajo që na e ka dhuruar Zoti ynë, i Dhembshuri dhe Mëshiruesi i Madh.

 

Përktheu: Servet Mata