Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 101-102

 

Emri: Er-Rafik (الرَّفِيقُ) [I Buti]

 Ky është një nga emrat që është vërtetuar në Sunet. Transmeton Bukhariju në Sahihun e tij nga Urueh, i cili transmeton nga Aisheh, radijAllahu anha, e cila ka thënë: Një grup Jehudësh kërkuan leje që të takonin Pejgamberin dhe i thanë: “Vdekja qoftë mbi ty!” Kurse unë u thashë: “Përkundrazi, vdekja dhe mallkimi qofshin mbi ju!” Ai   tha: "Oj Aisheh! Me të vërtetë që Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë." Unë i thashë: “A nuk e dëgjove se çfarë thanë?!” Ai tha: "Unë  thashë: Qoftë edhe mbi ju!"

Ky hadith flet qartazi për emërtimin e Allahut me emrin "er-Rafik" dhe se butësia (er-rifk) është cilësi e Tij. Cilësia e butësisë së Allahut është në gradën më të lartë dhe më të plotë, ashtu siç i takon Madhërisë dhe Përsosmërisë së Tij, të Pastrit prej të metave.

Fjala "er-rifk" do të thotë: butësi, lehtësi, qetësi dhe kujdes në të gjitha çështjet, kurse e kundërta e butësisë është egërsia dhe ashpërsia.

Pra, emri “er-Rafik” rrjedh nga fjala “er-rifk” e që është: marrja e gjërave shtruar dhe bërja e gjërave gradualisht. Allahu, i Pastër prej të metave, është i Butë në caktimin, krijimin dhe veprat e Tij. Ai është i Butë në urdhëresat e Tij, gjykimet e Tij, Fenë e Tij dhe legjislacionin e Tij.

Nga Butësia e Allahut në veprat e Tij është se Ai i ka krijuar të gjitha krijesat gradualisht, pak nga pak, sipas urtësisë dhe butësisë së Tij, edhe pse Ai ka mundësi t'i krijojë të gjitha përnjëherë me fjalën “Bëhu!”

Prej Butësisë së Allahut ndaj robërve të Tij është Butësia e Tij në lidhje me dispozitat, urdhrat dhe ndalesat që ka vënë për krijesat. Kështu, Ai nuk i ngarkon robërit e Tij përtej mundësive të tyre dhe kryerjen e urdhëresave e ka caktuar sipas mundësive që kanë njerëzit. Allahu i ka liruar njerëzit prej shumë veprave vetëm për shkak të vështirësive,  si lehtësim, butësi dhe mëshirë për ta. Ai nuk i ka ngarkuar robërit e Tij me të gjitha detyrimet përnjëherë, por i ka bërë ato detyra gradualisht në varësi të gjendjes dhe situatës, derisa ata të adaptohen, të zbutet natyra e tyre dhe kështu të kryhet nënshtrimi ndaj Tij.

Nga butësia e Allahut me robërit e Tij është se Ai i jep kohë gjynahqarit dhe nuk ia shpejton ndëshkimin, në mënyrë që ai të kthehet te Zoti i tij, të pendohet nga gjynahet dhe t’i kthehet udhëzimit.

Nga butësia e Tij është se e gjithë feja e Tij është butësi, lehtësim dhe mëshirë. Ai i ka urdhëruar robërit e Tij për butësi dhe u jep nëpërmjet butësisë atë çfarë nuk ua jep nëpërmjet ashpërsisë.

Çdo çështje dhe punë që bëhet me butësi, zbukurohet. Ai që është privuar nga butësia, është privuar nga mirësia. Prandaj, Muslimani duhet të tregojë butësi në të gjitha punët e tij, në çfarëdo lloj rasti dhe situate që ndodhet; ai nuk duhet të ngutet, të nxitojë, të bëjë veprime të pamatura dhe të tregohet gjaknxehtë, sepse nxitimi vjen prej shejtanit dhe nuk i sjell njeriut gjë tjetër veçse zhgënjim dhe dështim. Ndërsa butësisë i mjafton si nder dhe vlerë që ajo është e dashur për të Gjithëmëshirshmin, sepse Ai, i Pastri prej të metave, është i Butë dhe e do butësinë. Ndërsa detyra jonë është që të pajisemi me butësi në të gjitha çështjet tona.

Allahu është i Vetmi që e sjell suksesin, i Cili nuk ka ortak.

 

Përktheu: Servet Mata