Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdurr-Rrazzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq.73-74

 

Emri: El-Mu’min (الْمُؤْمِنُ) – [Ai që vërteton dhe jep sigurinë]

 

Emri i Allahut “el-Mu’min” përmendet vetëm në një ajet, që është Fjala e Allahut të Lartësuar:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِي لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلۡمَلِكُ ٱلۡقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلۡمُؤۡمِنُ ٱلۡمُهَيۡمِنُ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡجَبَّارُ ٱلۡمُتَكَبِّرُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشۡرِكُونَ

“Ai është Allahu, pos të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotëfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I Pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!” [el-Hashr, 23]

Emri i Allahut “el-Mu’min” është tregues i disa kuptimeve madhështore dhe çështjeve fisnike. E prej atyre kuptimeve që tregon emri i Tij “el-Mu’min”, është se Allahu i Patëmeta dëshmon Teuhidin për Veten e Tij, e pikërisht kjo është dëshmia më madhështore, nga dëshmitari më i madh, për gjënë më të madhe që po dëshmohet.

Ka thënë Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë: “el-Mu’min është Ai që e ka veçuar Veten e Tij (me Teuhidin), me Fjalën e Tij:

شَهِدَ ٱللَّهُ أَنَّهُۥ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ

“Ka dëshmuar Allahu se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij.” [Al Imran, 18]”

Gjithashtu, prej domethënieve të këtij emri është: Vërtetuesi, Ai i Cili i vërteton të Dërguarit dhe Profetët e Tij me prova dhe fakte, se ajo që kanë thënë dhe kanë përcjellë ata nga Allahu është haku, në të cilin s’ka asnjë dyshim, është vërtetësi që s’pranon polemikë për të. Ky është kuptimi i fjalës që ka thënë Katadeh: “El-Mu’min vërtetoi Fjalën e Tij që ajo është hak.”

Prej tyre gjithashtu është se Allahu i Patëmeta është pohuesi i atyre që dëshmojnë Teuhidin e Tij, se Ai dëshmon që ajo çfarë thanë ata për Të është hak dhe vërtetësi.

Gjithashtu, është edhe kuptimi që ka transmetuar Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh nga Egarr Ebij Muslim, i cili ka dëshmuar se Ebu Hurajrah dhe Ebu Se’id el-Khudrij – radijAllahu ‘anhuma – kanë dëshmuar se i Dërguari i Allahut    ka thënë:

“Kur robi thotë: La ilahe il-lAllahu, uAllahu Ekber, Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm thotë: “Të vërtetën tha robi Im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje dhe Unë jam më i Madhi!” E kur robi thotë: “La ilahe il-lAllahu uahdeHu”, Ai thotë: “Të vërtetën tha robi Im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje dhe Unë jam i Vetmi.” E nëse ai thotë: “La ilahe il-lAllahu la sherijke leHu”, Allahu thotë: “Të vërtetën tha robi Im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje dhe Unë s’kam asnjë ortak.” E nëse ai thotë: LeHul-mulku ue leHul-hamdu”, Ai thotë: “Të vërtetën tha robi Im, i Imi është pushteti dhe e Imja është e gjithë lavdia.” E nëse ai thotë: “La ilahe il-lAllahu ue la haule ue la ku-uete il-la bil-lah”, Ai thotë: “Të vërtetën tha robi Im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje, e nuk ka ndryshim dhe fuqi përveç se nga Unë.”

Prej tyre gjithashtu, është kuptimi që Ai i siguron robërit e Tij besimtarë dhe të dashurit e Tij të devotshëm nga dënimi dhe ndëshkimi i Tij. Ka thënë i Lartësuari:

﴿ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَلَمۡ يَلۡبِسُوٓاْ إِيمَٰنَهُم بِظُلۡمٍ أُوْلَٰٓئِكَ لَهُمُ ٱلۡأَمۡنُ وَهُم مُّهۡتَدُونَ

“Ata të cilët besuan dhe nuk e përzien imanin e tyre me zullum (shirk), pikërisht për ata do të jetë siguria dhe ata janë të udhëzuar.” [el-En’am, 82]

Prej tyre gjithashtu, është kuptimi që Allahu i Patëmeta i siguron të frikësuarit duke u dhënë atyre siguri, që është e kundërta e frikësimit, siç ka thënë Allahu i Patëmeta:

﴿ٱلَّذِيٓ أَطۡعَمَهُم مِّن جُوعٖ وَءَامَنَهُم مِّنۡ خَوۡفِۢ

“Është pikërisht Ai që ju ka ushqyer juve duke ju larguar urinë, si dhe ju siguroi juve duke ua larguar frikën.” [Kurajsh, 4]

Pra, çdo i frikësuar që me sinqeritet kërkon strehim tek Allahu, do ta gjejë Allahun e Patëmeta Sigurues për të dhe ka për t’ia larguar frikën.

Kështu që, siguria e robërve dhe siguria e vatanit është në Dorën e Allahut të Pastër nga çdo mangësi.

 

Përktheu: Alban Malaj