Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Rrezzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 66

 

Emri: el-Muxhib (الْمُجِيبُ) - [Ai që u përgjigjet lutjeve]

 

Emri i Allahut "El-Muxhib" është transmetuar në një vend të vetëm në Kur'an, në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿۞وَإِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمۡ صَٰلِحٗاۚ قَالَ يَٰقَوۡمِ ٱعۡبُدُواْ ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنۡ إِلَٰهٍ غَيۡرُهُۥۖ هُوَ أَنشَأَكُم مِّنَ ٱلۡأَرۡضِ وَٱسۡتَعۡمَرَكُمۡ فِيهَا فَٱسۡتَغۡفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُوٓاْ إِلَيۡهِۚ إِنَّ رَبِّي قَرِيبٞ مُّجِيبٞ﴾

"Edhe te populli i Themudit dërguam vëllain e tyre Salihun. Ai u tha: ‘O populli im, adhurojeni Allahun sepse nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij! Ai ju krijoi juve prej tokës dhe ju bëri banorë të saj, andaj kërkojini falje dhe pendohuni tek Ai, me të vërtetë se Zoti im është i afërt me krijesat e Tij (me Dijen e Tij) dhe u përgjigjet lutjeve të tyre.’” [Hud, 61]

Emri i të Lartësuarit "el-Muxhiib" tregon se Ai, i Pastri prej të metave, i dëgjon lutjet e atyre që i luten, u përgjigjet kërkesave të atyre që i kërkojnë dhe nuk e zhgënjen asnjë besimtar që i lutet Atij dhe as nuk e kthen asnjë musliman që i drejtohet Atij. Ai, i Pastri prej të metave, dëshiron që robërit t'ia kërkojnë të gjitha nevojat e tyre fetare dhe jetësore.

Në Sunetin Pejgamberik janë transmetuar hadithe të shumta që nxisin për të bërë lutje dhe sqarojnë se Allahu, i Madhëruar e i Lartësuar, i do ata që luten dhe u jep atyre që i kërkojnë, dhe se Ai, i Madhërishmi e i Larti, është i Turpshëm e Bujar. Ai është më Bujar sesa të mos i përgjigjet atij që i lutet, ta zhgënjejë atë që i drejtohet apo të mos i japë atij që i kërkon.

Ka transmetuar Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe të tjerë përveç tyre nga Selman el-Farisij, Allahu qoftë i Kënaqur me të, se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

إِنَّ اللَّهَ حَيِيٌّ كَرِيمٌ يَسْتَحْيِي إِذَا رَفَعَ الرَّجُلُ إِلَيْهِ يَدَيْهِ أَنْ يَرُدَّهُمَا صِفْرًا

"Vërtet Allahu është i Turpshëm dhe Bujar. Ai turpërohet kur njeriu i ngre duart e tij që t'ia kthejë ato bosh." [Transmetojnë Ebu Daud (1488) dhe et-Tirmidhij (3556)]

Ndërsa në hadithin që vërteton Zbritjen e Allahut në qiellin e dunjasë, i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

يَنْزِلُ رَبُّنَا تَبَارَكَ وَتَعَالَى كُلَّ لَيْلَةٍ إِلَى السَّمَاءِ الدُّنْيَا، حِينَ يَبْقَى ثُلُثُ اللَّيْلِ الْآخِرُ، يَقُولُ: مَنْ يَدْعُونِي فَأَسْتَجِيبَ لَهُ؟ مَنْ يَسْأَلُنِي فَأُعْطِيَهُ؟ مَنْ يَسْتَغْفِرُنِي فَأَغْفِرَ لَهُ؟

“Zoti ynë i Madhëruar e i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dunjasë në një të tretën e fundit të natës, e thotë: ‘Kush më lutet Mua që t'i përgjigjem! Kush më kërkon që t'i jap dhe kush më kërkon falje që ta fal!’” [ Transmetojnë el-Bukharij (1145), Muslim (758)]

Një prej gjurmëve të Imanit në emrin e Allahut "El-Muxhib" është forcimi i sigurisë së robit tek Allahu, shtohet shpresa e tij tek Ai, e shton kthimin tek Ai dhe e shton lakminë për atë që gjendet tek Ai. Gjithashtu largohet nga robi sëmundja e humbjes së shpresave prej mëshirës së Tij dhe dëshpërimit prej faljes së Tij.

 

Përktheu: Servet Mata