Bismilah...




Ka mohuar Myftiu i Përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite, njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj dhe Kryetar i Drejtorisë së Studimeve Akademike dhe Fetvave, Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Abdullah Aali-Shejkh, fetvanë e rreme që i është mveshur atij, transmetuesit e të cilës pretendojnë se ajo është fjala e tij ku ai lejon “ngrënien e mishit të gruas në rast urie ekstreme”. Ka theksuar Myftiu i nderuar se fjalët që i janë mveshur atij janë veçse gënjeshtra, nëpërmjet të cilave armiqtë synojnë preokupimin e shoqërisë nga çështja e tyre themelore në këtë kohë, që është fortifikimi dhe rreshtimi mbas udhëheqjes së drejtë, kundër tentativave për shpartallimin e Umetit.

Tha Myftiu i nderuar në deklaratën e tij për Agjensinë Saudite të Lajmeve:

“S’ka dyshim se fetvaja e gabuar që na është mveshur neve është veçse një gënjeshtër dhe shpifje fund e krye. Ajo ka ardhur me qëllim që të shëmtojë imazhin e Islamit, ndërkohë që Islami e ka lartësuar çështjen e njeriut dhe e ka nderuar atë pa dallim, qoftë burrë apo grua, si dhe i ka ruajtur të drejtat e tij në fenë e tij, në veten e tij, në intelektin e tij dhe në nderin e tij.”

Ai përmendi Fjalën e Allahut të Lartësuar:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا إِنْ جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَأٍ فَتَبَيَّنُوا أَنْ تُصِيبُوا قَوْمًا بِجَهَالَةٍ فَتُصْبِحُوا عَلَى مَا فَعَلْتُمْ نَادِمِينَ

O ju që besoni, nëse ndonjë i prishur ju sjell lajm, atëherë vertetojeni atë, në mënyrë që të mos i bëni keq një populli me padije, pastaj t’ju vijë keq për atë që bëtë.

Myftiu i nderuar vuri gjithashtu theksin mbi nevojën emergjente për mbështetjen e shoqërisë dhe për forcimin e vendosmërisë së saj kundër armikut të përbashkët që ia ka ngritur pusi Umetit, si dhe në injorimin e gënjeshtrave dhe mashtrimeve që përhapen me qëllim lëkundjen e shoqërisë, mos-realizimin e qëllimeve të saj dhe cënimin e vendit tonë dhe vendeve të Muslimanëve.

E Enjte, 9 Prill 2015
Përktheu: Alban Malaj