Bismilah...

Kapitulli i Dytë: Gjykimi i Përgjithshëm i Daues

Për sa i përket gjykimit të saj, argumentet që gjenden në Kur'an dhe në Sunet tregojnë për obligueshmërinë e kryerjes së daues (thirrjes) për tek Allahu dhe se ai (daueti) është nga detyrat themelore që janë bërë obligim. Nga këto argumente janë thëniet e Allahut të Lartësuar:

Le të dalë nga ju një grup njerëzish të përkushtuar që të ftojnë njerëzit te mirësia, të urdhërojnë el-Ma’ruf (të mirën) dhe të ndalojnë el-Munker (të keqen) dhe këta janë fitimtarët.
[Ali-Imran, 104]

Thirri njerëzit në Udhën e Zotit tënd me urtësi dhe me thirrje të ndershme dhe të bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.
[Nahl, 125]

Dhe thirr për tek Zoti yt dhe mos ji prej Mushrikëve (ata që i bëjnë shok Allahut në adhurim).
[Kasas, 87]

Thuaj: Kjo është Udha ime; unë ju ftoj drejt Allahut (Teuhijdit të Tij) me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më ndjek mua (duhet të ftojnë në Islam, në Teuhijdin e Allahut, me dije të sigurt).
[Jusuf, 108]

Kështu pra, Allahu i Lartësuar na sqaron se pasuesit e Profetit (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) janë ata që thërrasin për tek Allahu dhe janë njerëzit me dije të sigurtë, me kuptim të thellë (basijra) dhe me përgjegjësi. Kur një person i tillë dëgjon diçka nga Profeti (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të), ai i bindet atij dhe ndjek metodologjinë e tij (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të).

Allahu i Lartësuar thotë në Kur'an:

Me të vërtetë që tek i Dërguari i Allahut ju keni një shembull mjaft të mirë për ta ndjekur për atë që shpreson (në Takimin me) Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë.
[Ahzab, 21]

Dijetarët ka thënë në mënyrë të qartë se daueti për Allahun është një detyrë (obligim) kolektiv (farz kifaje) për sa i përket vendeve ku janë të pranishëm dauistët. Pra, është një detyrë (obligim) kolektiv. Nëse një numër i mjaftueshëm e bëjnë dauetin, atëherë bie obligimi i tij nga të tjerët. Në këtë rast, ai konsiderohet si një Sunet i veçantë (i rëndësishëm) dhe një vepër e mirë dhe fisnike.

Megjithatë, nëse njerëzit e një vendi të caktuar nuk e përmbushin detyrën e dauetit ashtu siç duhet, kjo konsiderohet si gjynah për çdo person dhe përgjegjësia i ngelet çdonjërit prej tyre, ku të gjithë duhet të bëjnë daue sipas aftësive dhe mundësive që kanë.

Për sa u përket vendeve në përgjithësi, duhet që të formohet një organ i veçantë që të marrë përsipër kryerjen e daues (thirrjen) për tek Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Madhërishëm, anë e mbanë botës, duke transmetuar mesazhin e Allahut dhe duke shpjeguar urdhërat e Tij me të gjitha mjetet që janë në dispozicion [në përputhje me Sheriatin, sh.p]. Sepse me të vërtetë i Dërguari (lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) çoi thirrësa (dauistë), u dërgoi letra njerëzve, mbretërve dhe prijësave dhe i thirri ata për tek Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Madhërishëm.

Daueti tek Allahu është dy llojësh: lloji i parë është obligim individual (farz ajn) dhe lloji i dytë është obligim kolektiv (farz kifaje).1

Është farz ajn atëherë kur askush nuk i merr përsipër përgjegjësitë si urdhërimin e të mirës dhe ndalimin e të keqes. Nëse je në një shtet të tillë, në ndonjë vend apo tek ndonjë fis ku askush nuk po bën daue për t’i thirrur për tek Allahu, nuk i urdhëron për mirësi dhe nuk i ndalon nga i keqja, nëse ke dije, (atëherë) është obligim për ty si person që të bësh daue, t’i udhëzosh njerëzit tek të drejtat e Allahut, t’i urdhërosh tek e mira dhe t’i ndalosh nga e keqja. Megjithatë, nëse aty janë të pranishëm ata që bëjnë daue, i mësojnë njerëzit dhe i udhëzojnë, kjo bëhet Sunet dhe nuk është obligim për të tjerët të cilët gjithashtu kanë dije nga Sheriati.

Po kështu është edhe çështja e xhihadit. Ai është farz kifaje kur ka një numër të mjaftueshëm që e kryen atë. Pra, xhihadi, urdhërimi i të mirës, ndalimi i të keqes dhe daueti nuk janë më obligim për pjesën që mbetet, por një Sunet i veçantë (i rëndësishëm). Sidoqoftë, kur është një numër i pamjaftueshëm njerëzish, (atëherë) xhihadi, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i të keqes bëhet obligim për të gjithë.

1 [Sh.p]: Farz ajn është ajo detyrë fetare e cila është obligim për çdo individ, si p.sh. falja e namazit pesë herë në ditë, agjërimi i muajit të Ramazanit etj…
Farz kifaje është ajo detyrë fetare e cila është obligim por nëse kjo detyrë kryhet nga një pjesë e Muslimanëve, atëherë pjesa tjetër lirohen nga përgjegjësia. Ndërsa kur askush nuk e kryen këtë detyrë, atëherë të gjithë Muslimanët janë gjynahqarë. Obligime të këtij lloji janë p.sh. namazi i xhenazes, thirrja e ezanit për lajmërimin e faljes së namazit në xhami, mbajtja e hytbes në ditën e Xhmua etj…

Referenca: Marre nga libri i Shejkh Bin Bazit "Keshilla rreth Da'ues"