Bismilah...

Kapitulli i Pestë: Nevoja Urgjente për Daue

Dihet mjaft mirë nga të gjithë ata që kanë sadopak dije apo aftësi për të kuptuar se bota Islame sot, madje e tërë bota, ka shumë nevojë për dauen e pastër Islame. Ka nevojë për dauen e cila ua shpjegon njerëzve realitetin e Islamit, gjykimet dhe vlerat e tij, si dhe u shpjegon atyre kuptimin e dëshmisë La ilahe il-lAllah (askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut) dhe dëshminë Muhamedur-Rasulullah (se Muhamedi është i Dërguari i Allahut). Me të vërtetë, pjesa më e madhe e njerëzimit nuk i kanë kuptuar ashtu siç duhet këto dy dëshmi. Ata i kanë bërë Allahut shok në adhurim dhe janë larguar nga Ai. Nuk ka dyshim se këto dy dëshmi në thelbin e tyre janë rrënjët e kësaj Feje, janë baza e besimit dhe themeli ku ngrihet Islami.

Sot ka një nevojë urgjente për Muslimanët dhe për krejt botën që të kuptojnë Fenë e Allahut, t’u tregohet mirësia e saj dhe t’u sqarohet e vërteta dhe realiteti i saj. Betohem në Allah se sikur njerëzit dhe e gjithë bota ta njihnin realitetin e saj, atëherë ata do të hynin me siguri në Fenë e Allahut turma-turma ashtu siç hynë në të pasi që Allahu e bëri ngadhënjimtar Pejgamberin e Tij në Mekke (në rimarrjen e Mekkes).

Shoqëria ka nevojë serioze për përmirësim, qoftë ajo shoqëri Muslimane apo jo-Muslimane. Sidoqoftë, shoqëria Muslimane në mënyrë të veçantë ka më shumë nevojë që të kapet pas metodologjisë (menhexhit) të saktë dhe të ndërmarrin rrugët apo mjetet të cilat sjellin përmirësim. Ata duhet të ndjekin rrugën që ndoqi njeriu më i mirë i këtij Umeti, i dashuri i Mëshirëplotit, më i mirë nga të gjithë robërit e Tij, Pejgamberi më i madh, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Prandaj, çdo studenti të dijes i është bërë e qartë se daueti është një nga çështjet më të rëndësishme dhe se Umeti ka shumë nevojë, ose më saktë, ai është i domosdoshëm për të në çdo kohë dhe vend. Kjo për shkak se xhihadi nuk ekziston në pjesën më të madhe të botës dhe njerëzit kanë shumë nevojë për thirrësa dhe udhëzues të cilët janë që të gjithë në dritën e Kur'anit dhe Sunetit. Kështu që është obligim për njerëzit e dijes, kudo qofshin ata, që ta përcjellin dauen dhe të tregohen të duruar në të. Veç kësaj, thirrja e tyre për tek Allahu dhe Islami duhet të jenë të bazuar në Librin e Allahut, në rrugën e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe të Shokëve të tij (radij-Allahu anhum) dhe në metodologjinë (menhexhin) e të Parëve të Devotshëm (Selefus-Salih).

 

Referenca: Marre nga libri i Shejkh Bin Bazit "Keshilla rreth Da'ues"