Bismilah...

Kapitulli i Tetë: Metodologjia e Saktë në Da’ue

Asgjë nuk ka për ta përmirësuar pjesën e fundit të këtij Umeti përveç se ajo me të cilën u përmirësua pjesa e parë e tij; kjo është ajo çfarë kanë thënë njerëzit e dijes dhe imanit. Mes tyre është Imami i famshëm Malik bin Enes, Imami i Medines në kohën e tij dhe Fekihu i mirënjohur. Ai ishte njëri nga katër Imamët, i cili e ka thënë këto fjalë. Njerëzit e dijes gjatë kohës së tij si dhe ata që erdhën pas tij u pajtuan që të gjithë me këto fjalë dhe i pranuan ato. “Fundi i këtij Umeti nuk ka për t’u përmirësuar përveç se nga ajo me të cilën u përmirësua pjesa e parë e tij.”

Kjo do të thotë se ajo që i përmirësoi brezat e parë të Muslimanëve, që ishte ndjekja e Librit të Allahut dhe Suneti i të Dërguarit fisnik (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), kjo është ajo që ka për t’i përmirësuar edhe brezat që do të vijnë pas tij deri në Ditën e Ringjalljes.

Kushdo që dëshiron ta përmirësojë shoqërinë Islame apo çdo shoqëri tjetër në këtë botë duke përdorur metoda të tjera në vend të asaj që përmirësoi brezat e parë, atëherë ai është në një gabim që duket sheshit dhe është shumë larg nga e vërteta. Dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç rrugës së brezave të mëhershëm.

Vërtet, rruga drejt përmirësimit të njerëzve dhe udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë është nëpërmjet ndjekjes së shtegut në të cilin ishte Pejgamberi ynë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Sahabët e tij (radij-Allahuanhum) dhe ata që i ndoqën në mirësi deri në kohën e sotme. Kjo rrugë është rruga e ndjekjes së Kur'anit Madhështor dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), thirrjes së njerëzve në Kur'an dhe Sunet dhe në studimin e ligjeve të tyre; në përhapjen e Kur'anit dhe Sunetit mes njerëzve, duke patur dije dhe basira (kuptim të qartë e të plotë të kësaj dije) dhe duke sqaruar Akijden e saktë e themelore që na mësojnë këto dy burime të Shpalljes.

Dihet mjaft mirë se rrugët nëpërmjet të cilave mund të përmirësohen shoqëritë Islamike e ato jo-Islamike, janë vetëm ato të cilat vuri në përdorim prijësi i të gjithë të Dërguarve, vula e të gjithë Profetëve, Muhamedi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Sahabët e tij i përdorën këto rrugë, në krye të së cilave ishin Khalifët e Udhëzuar: Ebu Bekr es-Sidik, ‘Umer el-Faruk, ‘Uthman Dhun-Nurajn, ‘Ali Ibn Ebi Talib Ebul-Hasen el-Murteda; dhe pastaj ata që ishin me ta. Qofshim edhe ne prej atyre që i ndjekin ata në mirësi.

Çdo bidat, devijim dhe metodologji (minhaxh) që kundërshton ligjin e Allahut duhet të hidhet poshtë. Të gjithë duhet të ndjekin metodologjinë (minhaxh) në të cilën ka qenë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), pastaj Sahabët e tij (radij-Allahu ‘anhum) dhe Khalifët e Udhëzuar (Kulefa’i Rashidin) që e ndoqën atë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe pastaj Imamët e Udhëzuar dhe Selefus-Salih (të Parët tanë të Mirë) që i ndoqën ata. Ata ishin të gjithë në metodologjinë e saktë dhe në rrugën e drejtë (siratal-mustekijm).

Kjo është metodologjia që duhet të mabjë dhe të kapet fort çdo njeri, të jetë i palëkundur në të dhe t’i thërrasë njerëzit drejt saj; dhe çdo gjë që njerëzit kanë futur në Fe që e kundërshton atë, duhet të hidhet poshtë dhe të refuzohet.