Bismilah...

Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzijeh

Burimi: Ed-Dau ue ed-Deua, fq. 141-143

 

 

11 – Një nga pasojat e mëkateve – e që është më e frikshmja – është se ajo e dobëson zemrën nga dëshira për të bërë punë të mira.

Si pasojë e kësaj, forcohet dëshira për mëkate dhe avash-avash dobësohet dëshira për pendim, saqë hiqet plotësisht nga zemra e tij dëshira për pendim. Sikur të vdesë gjysma e trupit të tij, ai nuk do të pendohet tek Allahu. Ai do të shfaqë kërkim-falje dhe pendim të gënjeshtarëve që pendohen aq shumë vetëm me gojë, kurse zemra e tij është e lidhur me mëkatet, këmbëngul në to dhe është vendosur për t’i kryer ato kurdo që i jepet mundësia. Kjo është një nga sëmundjet më të mëdha dhe më të afërta që të çon drejt shkatërrimit.

 

 

12 – Nga pasojat e mëkateve është se ato e zhveshin zemrën nga urrejtja e tyre.

Ai person e bën zakon bërjen e mëkateve. Kështu që, ai nuk e zë për të madhe që njerëzit e shikojnë atë dhe përflasin për të. Kjo për prijësit e mëkateve të mëdha (fusuuk) është kulmi i degjenerimit dhe plotësimi i kënaqësisë, madje ndonjëri prej tyre mburret me mëkatin që ka bërë dhe ia tregon atij që nuk e di se çfarë ka bërë ky, e i thotë: “O filan! Kam bërë kështu e kështu.”

Ky është lloji i njerëzve që nuk do të falen dhe ju zihet rruga e pendimit; këtyre u mbyllen dyert e pendimit në shumicën e rasteve. Siç ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

 

كُلُّ أُمَّتِي مُعَافًى إِلَّا الْمُجَاهِرُونَ ، وَإِنَّ مِنَ الْإِجْهَارِ أَنْ يَسْتُرَ اللَّهُ عَلَى الْعَبْدِ ثُمَّ يُصْبِحُ يَفْضَحُ نَفْسَهُ وَيَقُولُ : يَا فُلَانُ عَمِلْتُ يَوْمَ كَذَا وَكَذَا كَذَا وَكَذَا ، فَهَتَكَ نَفْسَهُ ، وَقَدْ بَاتَ يَسْتُرُهُ رَبُّهُ .

“I gjithë ummeti im është i falur përveç atyre që i shpalosin mëkatet e veta. Prej shpalosjes së mëkatit është që kur Allahu e mbulon robin, pastaj ai del duke e demaskuar veten e tij, e thotë: “O filan! Sot kam bërë këtë e këtë.” Kështu ai degjeneron veten e tij, ndërkohë që kishte gdhirë e Zoti i tij ia kishte mbuluar atë.” [1]

 

 

13 – Nga pasojat e mëkateve është se çdo mëkat është trashëgimi e një populli që e shkatërroi Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar. 

Homoseksualizmi është trashëgimi e popullit të Lutit. Marrja e të drejtës me tepricë dhe pagesa (kthimi) i saj me pakicë (mashtrimi në peshore gjatë tregtisë) është trashëgimi e popullit të Shuajbit. Kërkimi i madhështisë në tokë dhe çrregullimi është trashëgimi e Faraonit dhe popullit të tij. Mendjemadhësia dhe arroganca është trashëgimi e popullit të Hudit. Pra, mëkatet veshin rrobat e disa prej këtyre popujve, të cilët janë armiq të Allahut.

 

Abdullah bin Ahmedi transmeton në librin “ez-Zuhd” të babait të tij nga Malik bin Dinar i cili ka thënë:

 

أَوْحَى اللَّهُ إِلَى نَبِيٍّ مِنْ أَنْبِيَاءِ بَنِي إِسْرَائِيلَ أَنْ قُلْ لِقَوْمِكَ : لَا يَدْخُلُوا مَدَاخِلَ أَعْدَائِي ، وَلَا يَلْبَسُوا مَلَابِسَ أَعْدَائِي وَلَا يَرْكَبُوا مَرَاكِبَ أَعْدَائِي ، وَلَا يَطْعَمُوا مَطَاعِمَ أَعْدَائِي ، فَيَكُونُوا أَعْدَائِي كَمَا هُمْ أَعْدَائِي

“Allahu i shpalli njërit prej profetëve të Bijve të Israilit (Jakubit – ‘alejhi selam) që t’i thotë popullit të tij: Mos hyni aty ku hyjnë armiqtë e Mi, mos e vishni atë që veshin armiqtë e Mi, mos i hipni asaj që i hipin armiqtë e Mi, mos hani ushqimin e armiqve të mi, dhe kështu të bëheni armiqtë e Mi, ashtu siç janë ata armiqtë e Mi.” [2]

 

Në “Musned-in” e Imam Ahmedit transmetohet nga Abdullah bin ‘Umeri se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

بُعِثْتُ بِالسَّيْفِ بَيْنَ يَدَيِ السَّاعَةِ حَتَّى يُعْبَدَ وَحْدَهُ لَا شَرِيكَ لَهُ  وَجُعِلَ رِزْقِي تَحْتَ ظِلِّ رُمْحِي وَجُعِلَ الذِّلَّةُ وَالصَّغَارُ عَلَى مَنْ خَالَفَ أَمْرِي وَمَنْ تَشَبَّهَ بِقَوْمٍ فَهُوَ مِنْهُمْ

“Jam dërguar me shpatë para Kijametit derisa të adhurohet Allahu, i Vetmi dhe i Pashok. Rizku im është bërë nën hijen e shtizës sime dhe poshtërsia dhe përbuzja është bërë për atë që e kundërshton urdhrin tim. Ai që i përngjan një populli është prej tyre.” [3]

 

Fundnota:

[1] Nga hadithi i Ebu Hurejras – radijAllahu ‘anhu – që e ka nxjerrë Buhariu në “el-Edebu el-Mufred,” kapitulli “Setrul-Mumini ‘ala nefsihi” (6069). Muslimi në “Kitabul-Zuhd” kapitulli “en-Nehju ‘an Hetki el-Insan Setr Nefsihi,” (2990).  

[2] “Ez-Zuhd” (nr. 523) nga fjala e ‘Akil bin Mudrik es-Sulemij.

[3] Shënim i përkthyesit: Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij (nr. 5114, 5115, 5667), dhe Shejkh Albani në librin “Xhilbabu el-Mereti el-Muslimeh,” fq. 205, këtë hadith e konsideron të mirë (hasen).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari