Bismilah...

Autor: Abdur-Rezak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

 

 

Allahu - i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar – kur sqaron veprën e vlerësuar tek Allahu për të cilën njeriu do të shpërblehet në Ditën e Takimit me Allahun, thotë:

 

﴿وَمَنْ أَرَادَ الْآخِرَةَ وَسَعَىٰ لَهَا سَعْيَهَا وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَأُولَـٰئِكَ كَانَ سَعْيُهُم مَّشْكُورًا﴾

“E, kush dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të (duke iu bindur Allahut), duke qenë besimtar, përpjekja e tyre do të vlerësohet dhe do të shpërblehet (nga Allahu).” El-Isra, 19

           

Për këtë arsye, Muslimani nuk duhet të mashtrohet me moralin dhe edukatën që kanë disa apo një numër i pabesimtarëve. Mos të mashtrohet me atë moral! E nëse do që të shikojë moralin dhe edukatën si dhe t’i mësojë ato, të mos i shikojë ata. Mos t’i shikojë ata! Sepse, nëse ndonjëri nga ata pabesimtarë, vdes me këtë moral duke mos i besuar Allahut, ky moral nuk i bën dobi fare tek Allahu dhe nuk do t’i gjejë shpërblimet e këtij morali Ditën që do ta takojë Allahun. Përkundrazi, nëse ai vdes, mbaroi puna e tij.

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:

 

﴿وَقَدِمْنَا إِلَىٰ مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَّنثُورًا﴾

“Dhe Ne do t’u kthehemi veprave që punuan ata (pabesimtarët) dhe do t’i bëjmë ato si thërrmija pluhuri që fluturojnë në ajër (vepra të pavlefshme).” El-Furkan, 23

 

Prandaj, ka ardhur në Sahihun e Muslimit se Aisheja – Nëna e Besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të –, e ka pyetur Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – duke i thënë: “Ibën Xhud’ani – i cili quhej Abdullah – i mbante lidhjet farefisnore, e nderonte mysafirin, a do t’i bëjë dobi kjo gjë? Ai i tha: “Jo! Nuk i bën dobi, sepse ai nuk tha as edhe një ditë: O Zot im, m’i fal mëkatet e mija Ditën e Gjykimit.” [1]

 

Kështu që fjala e tij – ‘alejhi salatu ue selam –: “O Zot im, m’i fal mëkatet e mija Ditën e Gjykimit,” është njoftim për ne se ky moral dhe kjo edukatë, i bëjnë dobi robit nëse beson në Ditën e Gjykimit dhe ka frikë nga ndëshkimi i mëkateve në atë Ditë. Kështu ai stoliset me moral të vyer dhe edukatë të mirëfilltë, duke shpresuar në shpërblimet e Allahut dhe i largohet moralit të keq dhe sjelljes së poshtër, duke pasur frikë nga dënimi i Allahut.

 

Por, nëse ai zbukurohet me moral dhe sjellje të mirë, dhe me këto nuk shpreson se do të fitojë diçka tek Allahu dhe i shmanget morali të keq, duke mos pasur frikë nga Allahu dhe dënimi i Allahut, porse e bën këtë për çështje të dunjasë për të cilat shpreson, nuk do të gjejë asgjë tek Allahu në këmbim të këtij morali.

 

Rast i ngjashëm me këtë që u tha, është ajo që ka transmetuar Bezari se ‘Adij ibën Hatim et-Taij... Ju e dini se kush është Hatim et-Taij! Nëse përmendej bujaria, përkrah bujarisë përmendej edhe Hatim et-Taij. Ishte shembull në bujari dhe fisnikëri. Nëse donin që të lavdëronin ndonjë person për bujari, thoshin: “Bujar si Hatim et-Taij.” Për shkak se ai shquhej për bujari. Ai që lexon ngjarjet e tij në librat e historisë, sheh çudira në lidhje me bujarinë dhe moralin e tij.

 

Bezari dhe të tjerët, kanë sjellë një hadith – i cili është hadith hasen – se ‘Adij i biri i Hatim et-Taijt, e pyeti Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – për babain e tij, duke i thënë: “Ai e nderonte mysfarin, bënte këtë e atë,” përmendi një pjesë të moralit të tij, kështu që Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha: “Ai njeri synoi diçka dhe ia arriti qëllimit.” [2] Pra, kjo nuk i bën dobi tek Allahu; synoi diçka në dunja dhe ia arriti qëllimit. Transmetuesi tha: “(Fjala e Pejgamberit) do thotë se ai (Hatim et-Taij) synonte përmendjen te njerëzit.” Që do të thotë se e donte famën dhe namin. Pra, ai ia arriti qëllimit dhe njerëzit thanë: “Hatim et-Taij është njeri bujar.”

 

Ju e dini atë që ka ardhur te Sahihu i Muslimit se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë: “I pari me të cilën do të ndizet Zjarri i Xhehenemit në Ditën e Gjykimit,” dhe i përmendi tre veta. E njëri nga ata është ai njeri që ka dhënë pasuri që të thuhet për të se është bujar. Kështu që, Ditën e Gjykimit do t’i thuhet: “U tha për ty se je bujar.” Në dunja u thanë këto fjalë për ty.

 

E gjithë kjo na e bën të qartë se morali i mirë, i bën dobi robit kur ai me këtë kërkon afrim tek Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – dhe me këtë moral shpreson në shpërblimin e madh Ditën kur do ta takojë Allahun.

 

Edhe pse kjo çështje është e qartë, prapëseprapë habitesh me disa Muslimanë dhe disa shkrimtarë (që shkruajnë për fenë Islame), të cilët kur duan të flasin për moral dhe edukatë, i sheh se transmetojnë nga persona pabesimtarë, duke thënë: “Ka thënë filani kështu! Ka thënë filani ashtu!” Kur të shohësh se kush janë ata! Sheh se janë disa persona pabesimtarë. Sikur ky shkrimtar, nuk i atribuohet kësaj feje të madhe; sikur nuk e ka përpara Librin e Zotit të botëve; sikur nuk e njeh Sunetin e Pejgamberit fisnik dhe jetëshkrimin e tij të bekuar – për të qoftë mëshira më e plotë dhe shpëtimi më i mirë.

 

Pastaj, po ashtu, habitesh tej mase kur shikon disa persona – ndoshta disa prej tyre i përkatësohen edhe Islamit – duke bërë krahasim midis moralit të disa Muslimanëve dhe moralit të disa pabesimtarëve. Pas kësaj, sipas pretendimit të tij, vjen në përfundim se morali i pabesimtarëve është më i mirë dhe edukata e tyre është më e mirë. Ndoshta edhe i sulmon Muslimanët! Kjo është krim dhe padrejtësi.

 

Atë që e dinë të gjithë njerëzit është se: morali që kanë Muslimanët dhe sjelljet e tyre me njerëzit, nuk është e patjetërsueshme që ky moral dhe kjo sjellje të përfaqësojë Islamin. Çdokush e njeh veten e tij që ka mangësi në disa aspekte që lidhen me çështjet e fesë. Kështu është shembulli i të gjithë njerëzve me fetë që u përkatësohen; njerëzit në këto fe nuk janë të një grade dhe niveli.

 

Andaj, si duhet që të jetë ky krahasim (midis sjelljes së personit dhe fesë) dhe ku duhet të bazohet? Por duhet të dimë për sa i përket moralit të pabesimtarëve dhe edukatës që kanë ata dhe unë po u tregoj tre gjëra për këtë temë; po ua përmend juve këto gjëra në lidhje me moralin e pabesimtarëve. Andaj, kuptojini mirë këto! 

 

E para:

Ky moral i mirë i pabesimtarit, nuk i bën dobi atij tek Allahu – siç u sqarua pak më parë – ngase ajo që bën dobi tek Allahu, i Madhëruar dhe i Lartësuar, është që vepruesi i asaj vepre të synojë Ahiretin dhe të synojë afrimin tek Allahu. Çdo gjë tjetër përveç kësaj, përfshihet në fjalën e Allahut:

 

﴿وَقَدِمْنَا إِلَىٰ مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَّنثُورًا﴾

“Dhe Ne do t’u kthehemi veprave që punuan ata (pabesimtarët) dhe do t’i bëjmë ato si thërrmija pluhuri që fluturojnë në ajër (vepra të pavlefshme).” El-Furkan, 23

 

Për këtë arsye, edukata e paktë dhe morali i paktë që është i shoqëruar me Teuhid dhe Iman, është më e mirë se edukata dhe morali i shumtë në të cilat mungon Teuhidi dhe Imani.

 

E dyta:

Morali i pabesimtarit është moral oportunist dhe momental, të cilin e shfaq për dobi të përkohshme dhe interesa të caktuara, moral i cili mbaron aty ku mbarojnë interesat e tyre. Gjë që është e kundërta me moralin e Muslimanit: ai e shfaq atë moral dhe shpreson me këtë moral se do të shpërblehet nga Allahu – i Madhëruar dhe i Lartësuar. Nëse bëhet një krahasim midis këtyre dy moraleve, qoftë i shumtë apo i paktë, dhe nëse do vlerësohej se morali i Muslimanit është i paktë në krahasim me atë të pabesimtarit, ky moral i paktë që është te Muslimani, do t’i bëjë dobi tek Allahu, kurse morali i shumtë që ka pabesimtari, nuk do t’i bëjë dobi tek Allahu – siç u sqarua pak më parë.

 

Në mesin e Muslimanëve ka njerëz që kanë bujari, porse nuk krahasohet me bujarinë e Hatim et-Taijt. Bujaria e Hatim et-Taijt është më e madhe, më famëmadhe dhe më e gjerë.  Kjo bujari që ka Muslimani, do t’i bëjë dobi tek Allahu edhe në qoftë se është e paktë, kurse bujaria e Hatimit – që u përmend në hadithin e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk do t’i bëjë dobi tek Allahu, edhe në qoftë se është e shumtë.

 

E treta:

Morali i pabesimtarëve, sado që të shtohet dhe të rritet, është i mangët në krahasim me moralin në të cilin thërret Islami. Pejgamberi ynë – ‘alejhi salatu ue selam – është dërguar që t’i plotësojë virtytet e larta morale. Kështu që, morali, me format e tij më të mira, me stolitë e tij më të përsosura dhe domethëniet e tij më të bukura, ekziston vetëm në Islam.

 

(E katërta):

Po shtoj edhe një çështje të katërt e cila është më e rëndësishme se të gjitha gjërat që u përmendën më lartë: pabesimtari, sado që të stoliset me edukatë të mirë dhe moral të vyer, ai realisht nuk ka moral, sepse thelbi i moralit dhe baza e tij më e madhe, është morali me Allahun, të cilin ai nuk e posedon.

 

 

Fundnotat:

[1] Sahihu i Muslimit (214).

[2] Mexhmu’u Zeuaid [1/130, nr. 467], Imam Ahmedi [30/200], e ka saktësuar Ibën Hibbani [1/41].

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari