Bismilah...

Autor: Shemsuddin Muhamed bin Bekër bin Ejjub ibën Kajjim el-Xheuzijjeh (v.751 h)

Burimi: ed-Dau ue ed-Deua, fq. 282-283

 

Allahu i Lartësuar e lavdëroi mikun e Tij Ibrahimin, duke thënë se ai kishte zemër të pastër:

وَإِنَّ مِن شِيعَتِهِ لَإِبْرَاهِيمَ ﴿٨٣ إِذْ جَاءَ رَبَّهُ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ

“Vërtet nga ata që e ndoqën rrugën e tij (Nuhut, alejhi selam) ishte edhe Ibrahimi. Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër.” Es-Saffat, 83-84

Po ashtu, Allahu duke na rrëfyer për Ibrahimin tregon se ai ka thënë:

يَوْمَ لا يَنْفَعُ مَالٌ وَلا بَنُونَ  إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ

“Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët. Përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu.” Esh-Shu’ara, 88-89

Zemër e pastër është ajo që është pastruar nga shirku, tradhtia, mllefi, zilia, koprracia, mendjemadhësia, dashuria për dunja dhe udhëheqje. Kjo zemër ka shpëtuar nga çdo sëmundje që të largon nga Allahu; nga çdo dyshim që e kundërshton lajmin e Allahut; nga çdo epsh që e kundërshton urdhrin e Tij; nga çdo dëshirë dhe qëllim që rivalizon qëllimin e Tij; nga çdo pengues që të pengon nga Allahu. Kjo zemër është në xhenetin e përkohshëm të kësaj bote, në xhenetin e berzakh-ut (në varr) dhe në xhenet në Ditën e Kthimit.

Kjo zemër nuk mund të jetë e pastër plotësisht derisa të pastrohet nga këto pesë gjëra:

1 – Shirku, i cili anulon Teuhidin.

2 – Bidati, i cili kundërshton Sunetin

3 – Ëndja, e cila kundërshton urdhrin e Allahut.

4 – Shkujdesja, e cila kundërshton përkujtimin e Allahut.

5 – Epshi, i cili e kundërshton përkushtimin dhe sinqeritetin.

Këto të pesa janë pengesa që të largojnë nga Allahu dhe poshtë çdonjërës prej këtyre ka lloje të shumta të në të cilat janë të përfshirë një numër i madh individësh. 

 

Përktheu: Jeton Shasivari