Bismilah...

Burimi: Zaad el-Me'aad, vëll.4/fq.179

 

Po të mos ishin sprovat e dynjasë dhe fatkeqësitë e saj, njeriu do të ishte sprovuar me sëmundje si mendjemadhësia, vetëpëlqimi, arroganca dhe ngurtësimi i zemrës, të cilat janë shkak për shkatërrimin e tij të shpejtë apo të avashtë.

Andaj, prej mëshirës së Mëshiruesit më të Madh është se Ai e kuron robin herë pas here me lloje të ndryshme të ilaçeve për fatkeqësitë, të cilat e mbrojnë atë nga këto sëmundje dhe garantojnë nënshtrimin e tij të saktë për Allahun, si dhe për ta pastruar atë nga gjërat e këqija, të ulëta e shkatërrimtare. I pastër nga çdo mangësi është Ai i Cili të mëshiron me belatë e Tij dhe të sprovon me mirësitë e Tij, siç edhe kanë thënë: Allahu mund të begatojë me belatë, sado të mëdha që të jenë, ashtu siç i sprovon të tjerë me begatitë që u jep.

E nëse Allahu i Patëmeta nuk do t'i kuronte robërit e Tij me ilaçet e belave, fatkeqësive dhe sprovave, ata do t'i kishin shkelur kufijtë, do të bëheshin agresorë e tiranë.

Mirëpo, Allahu i Patëmeta, kur ia do të mirën robit, i jep atij ilaç nga belaja dhe sprovimi, aq sa ka nevojë ai, duke e pastruar atë nga sëmundjet shkatërrimtare, saqë kur ta pastrojë, kullojë e dëlirësojë, do t'ia bëjë të mundur atij që të arrijë gradën më fisnike në dynja, që është robërimi për Allahun, si dhe shpërblimin më të lartë në ahiret, që është shikimi dhe afrimi i Tij.

 

Përktheu: Alban Malaj