Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 9-14

 

Kapitulli i parë

Përkufizimi dhe dispozita e kurbanit

 

Kurbani është bagëtia që theret gjatë ditëve të Kurbanit për shkak të festës së Kurban Bajramit, duke kërkuar me këtë afrim tek Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Lartësuari. Kurbani është një nga simbolet e Islamit që është bërë i ligjshëm nga Libri i Allahut të Lartësuar, Suneti i të Dërguarit të Tij, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe unanimiteti (ixhmaja) i Muslimanëve.

Allahu i Lartësuar thotë:

فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ

“Falu për Zotin tënd dhe pre kurban.” El-Keuther, 2

Ka thënë i Lartësuari:

قُلْ إِنَّ صَلاَتِى وَنُسُكِى وَمَحْيَاىَ وَمَمَاتِى للَّهِ رَبِّ الْعَلَمِينَ  لاَ شَرِيكَ لَهُ وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَاْ أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

“Thuaj: “Vërtet namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak dhe unë jam i pari që nënshtrohem.” El-En’am, 162-163

Fjala “en-nusuk” në ajet është për qëllim kafsha që theret dhe këtë e thotë Seid bin Xhubejr.

Është thënë se me fjalën “en-nusuk” janë për qëllim të gjitha adhurimet dhe një ndër to është edhe therja e bagëtisë. Ky mendim është më gjithëpërfshirës.

Ka thënë i Lartësuari:

وَلِكُلِّ أُمَّةٍ جَعَلْنَا مَنسَكًا لِّيَذْكُرُواْ اسْمَ اللَّهِ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِّن بَهِيمَةِ الاَنْعَمِ فَإِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَحِدٌ فَلَهُ أَسْلِمُواْ وَبَشِّرِ الْمُخْبِتِينَ

“Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual adhurimi, në mënyrë që ata ta përmendin emrin e Allahut për bagëtitë me të cilat i ka furnizuar. I adhuruari juaj është një i adhuruar i vetëm, prandaj vetëm Atij nënshtrohuni dhe përgëzoi ata që janë të bindur dhe të përulur.” El-Haxh, 34

Transmetohet në Sahihun e Bukhariut dhe të Muslimit nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

ضحى النبي صلى الله عليه وسلّم بكبشين أملحين ذبحهما بيده وسمى وكبر، وضع رجله على صفاحهما

“Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshi mbi të, theri dy desh të majmë me dorën e vet, duke thënë (para therjes) “bismilah, Allahu ekber” dhe e vendosi këmbën në anën e kurbanit.” [1]

Transmetohet nga Abdullah bin Umer, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

أقام النبي صلى الله عليه وسلّم بالمدينة عشر سنين يضحي

“Pejgamberi banoi dhjetë vite në Medine dhe therte kurban.”

Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili ka thënë hadithi është “hasen”. [2]

Transmetohet nga Ukbe bin ‘Amir, radijAllahu anhu, se Pejgamberi, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, i ndau për Sahabët e tij disa kurban dhe Ukbes i ra një qengj mashkull që kishte mbi gjashtë muaj. Ukbeja i tha: “O i Dërguari i Allahut, mua më ra ky qengj!” Ai i tha: “There për kurban atë.” Bukhariu dhe Muslimi. [3]

Transmetohet nga Bera ibën ‘Azib, radijAllahu anhu, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, i tha:

من ذبح بعد الصلاة فقد تم نسكه وأصاب سنة المسلمين

“Kush e ther kurbanin pas namazit (të Bajramit), kurbani i tij është plotësuar dhe ia ka qëlluar Sunetit.” Bukhariu dhe Muslimi [4]

Pra, i Dërguari i Allahut theri kurban, Sahabët therën kurban dhe ai tregoi se kurbani është Sunet i Muslimanëve. Për këtë arsye, Muslimanët janë të gjithë të pajtimit se është e ligjshme therja e kurbanit, siç e kanë përcjellë një gjë të tillë shumë dijetarë.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme për therjen e kurbanit se a është sunet i fortë (muekkedeh) apo se është obligim (uaxhib) që nuk lejohet ta lësh atë?

Shumica e dijetarëve (xhumhuri) mendojnë se ai është sunet i fortë dhe ky është medh’hebi i Shafiut. Po ashtu edhe i Malikut dhe Ahmedit, sipas transmetimeve më të njohura për këtë çështje që kanë këta dy.   

Disa dijetarë të tjerë kanë thënë: kurbani është obligim, siç janë Ebu Hanifja dhe Ahmedi sipas njërit transmetim që ka ardhur nga Ahmedi. Këtë mendim e ka zgjedhur edhe Ibën Tejmijeh dhe ka thënë: “Ky është njëri ndër dy mendimet në medh’hebin e Malikut, apo ajo që është e qartë nga medh’hebi i Malikut.” [5]

Therja e Kurbanit është më e mirë sesa të japësh lëmoshë atë në vlerë monetare, sepse kjo është vepra e Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe e Muslimanëve bashkë me të dhe se therja e kurbanit është një nga simbolet e Allahut të Lartësuar. Nëse njerëzit do ta zëvendësonin atë me lëmoshë, ky simbol do të shkatërrohej.

Nëse kurbani që do të jepej lëmoshë në vlerë monetarë, do të ishte më e mirë, Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, këtë do t’ia kishte sqaruar ummetit të tij me fjalë dhe me vepra, sepse ai kurrë nuk e la sqarimin e të vërtetës për ummetin e tij. Madje, nëse lëmosha do të ishte e barabartë me kurbanin, edhe këtë do ta kishte sqaruar, sepse kjo është më e lehtë se vështirësia e kurbanit. Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kurrë nuk e linte pa e sqaruar atë që është më e lehtë për umetin e tij dhe ta barazonte me atë që është më e vështirë.

Në kohën e Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, njerëzit vuanin nga uria dhe ai tha:

مَنْ ضَحَّى مِنْكُمْ فَلاَ يُصْبِحَنَّ بَعْدَ ثَالِثَةٍ وَفِي بَيْتِهِ مِنْهُ شَىْءٌ ‏"‏‏.‏ فَلَمَّا كَانَ الْعَامُ الْمُقْبِلُ قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ نَفْعَلُ كَمَا فَعَلْنَا عَامَ الْمَاضِي قَالَ ‏"‏ كُلُوا وَأَطْعِمُوا وَادَّخِرُوا فَإِنَّ ذَلِكَ الْعَامَ كَانَ بِالنَّاسِ جَهْدٌ فَأَرَدْتُ أَنْ تُعِينُوا فِيهَا

Ai që ka therur kurban, të mos mbaj asgjë nga mishi i tij pas tre ditësh.” Kur therën kurban vitin e ardhshëm, ata thanë: o i dërguari i Allahut, a të veprojmë njësoj si vitin e kaluar? Ai tha: “Hani, ushqeni të tjerët dhe konservoni, sepse vitin e kaluar njerëzit ishin në skamje dhe unë desha nga ju që t’i ndihmonit ata me ushqim.” Bukhariu dhe Muslimi [6]

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Therja e kurbanit në vendin e duhur (që e kërkon Sheriati), është me e mirë se lëmosha që jepet në vlerë monetare në vend të Kurbanit... sikur haxhiu që bën llojin e Haxhit temett’uë dhe kiran, të mos therë kurban por të japë lëmoshë shumë më tepër se vlera e kurbanit, nuk ka për ta zënë vendin e therjes së kurbanit të haxhiut. Gjithashtu është edhe me therjen e kurbanit për Bajram.” [7]

Nënkapitull

Në origjinë, therja e kurbanit është ligjëruar për të gjallët, siç bënin i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe shokët e tij të cilët thernin kurban për veten dhe familjet e tyre. Kurse në lidhje me atë që mendojnë disa Muslimanë të thjeshtë se lejohet të therësh Kurban për të vdekurit në veçanti, kjo s’ka bazë në fe.

Therja e kurbanit për të vdekurit ndahet në tre kategori:

Kategoria e parë: të theret për të gjallët duke i përfshirë edhe të vdekurit në të, për shembull: një njeri ther kurban për veten dhe familjen e tij dhe e bën nijet që ky kurban të jetë për të gjallët dhe të vdekurit. Baza dhe argumenti i kësaj është therja e kurbanit që bënte Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, për veten dhe familjen e tij dhe ndër ta kishte të gjallë dhe të vdekur.

Kategoria e dytë: të ther kurban për të vdekurit me kërkesën e tyre për ta zbatuar testamentin që e kanë lënë ata. Baza e kësaj është në fjalën e Tij, të Lartësuarit:

فَمَن بَدَّلَهُ بَعْدَمَا سَمِعَهُ فَإِنَّمَآ إِثْمُهُ عَلَى الَّذِينَ يُبَدِّلُونَهُ إِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“Kush e ndryshon atë (testamentin, porosinë) pasi e ka dëgjuar, le ta dijë se mëkati është për ata që ndryshojnë. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” el-Bekara, 181

Kategoria e tretë: që njeriu të ther kurban për të vdekurit në formë bamirësie duke mos i përfshirë të gjallët, kjo është e lejuar. Për këtë kanë thënë tekstualisht fukahatë e Hanbelive se shpërblimi i këtij kurbani i shkon të vdekurit dhe ai ka dobi, duke e krahasuar këtë me lëmoshën që jepet për të vdekurin. Por ne nuk mendojmë se është Sunet që të therësh kurban për bajram duke e veçuar atë për të vdekurin, sepse Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, nuk theri kurban për ndonjë nga të vdekurit duke e bërë atë veçanërisht për të. Ai nuk theri kurban për xhaxhanë e tij Hamzan, e ai ishte nga njerëzit më të dashur për të; nuk theri kurban për fëmijët e tij që vdiqën derisa Pejgamberi ishte gjallë, dhe këta që vdiqën ishin tre bijat e tij që ishin të martuara dhe tre fëmijë të vegjël; nuk theri kurban për gruan e tij Khadixhen, e cila ishte një ndër gratë më të dashura të tij. Gjithashtu, nuk është transmetuar në kohën e tij se ndonjë nga Sahabët therte kurban për ndonjë të vdekur të tijin.

Po ashtu, mendojmë se është gabim ajo që bëjnë disa njerëz të cilët therin kurban për të vdekurin që vdes në fillim të vitit dhe këtë e quajnë “kurbani i gropës (varrit)” dhe besojnë se askush nuk duhet të përfshihet në shpërblimet e këtij kurbani; ose therin kurban për të vdekurit në formë bamirësie apo duke u bazuar në kërkesën e testamentit që kanë lënë ata, nga ana tjetër nuk therin kurban për veten dhe familjet e tyre. Nëse do ta dinin se njeriu ther kurban për veten dhe familjen nga pasuria e tij e cila e përfshin familjen e tij nga të gjallët dhe të vdekurit, nuk do ta kishin lënë këtë për atë tjetrën që bëjnë ata (kurbanin e veçantë për të vdekurin).

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­__________________________________

[1] Transmetojnë Bukhariu në “Libri i Kurbaneve, kapitulli: tekbiri para therjes” nr. 5565, Muslimi “Libri i Kurbaneve, kapitulli: parapëlqimi i kurbanit dhe therjes së tij menjëherë.” Nr. 1966.  

[2] Transmetojnë Ahmedi (28/2) dhe Tirmidhiu në “Librin i Kurbaneve, kapitulli “Argument se prerja e kurbanit është sunet”, nr. 1507.  

[3] Transmeton Bukhariu, “Libri i Kurbaneve, Kapitulli: Ndarja e kurbanit në mesin e njerëzve nga ana e atij që e ther,” nr. 5547, Muslimi “Libri i kurbaneve, kapitulli: suneti i kurbaneve,” nr. 1965.

[4] Transmetojnë Bukhariu, “Libri i Kurbaneve, kapitulli: therja pas namazit,” nr. 5560, Muslimi, “Libri i Kurbaneve, kapitulli “koha e therjes së kurbanit” nr. 1961.

[5] Shiko argumentet dhe diskutimet e të dyja palëve në librin bazë “Ahkamul-Ud’hijeti ue edh-Dhekat,” fq. 7-15.

[6] Transmetojnë Bukhariu “Libri i Kurbaneve, kapitulli: ajo që hahet nga mishi i kurbaneve  dhe ajo që konservohet” nr. 5569, Muslimi “Libri i Kurbaneve, kapitulli: Ndalimi i ngrënies së mishit të kurbanit për më shumë se tre ditë në fillim të Islamit dhe sqarim për shfuqizimin e këtij ndalimi dhe lejimin e tij aq sa të dojë personi,” nr. 1974.

[7] Tuhfetul-Uedud fi Ahkami el-Meulud, fq. 112

 

Përktheu: Jeton Shasivari