Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 36-37

 

Kapitulli i shtatë

Çfarë duhet të shmang ai që ther kurban

 

Ai që dëshiron të ther kurban dhe ka hyrë muaji Dhul-Hixheh, ose ka hyrë ngaqë është para dalja e hënës së re ose me plotësimin e ditës së tridhjetë të muajit Dhul-Kade, e ka të ndaluar që t’i heq qimet (flokët), t’i pres thonjtë dhe të heq diçka prej lëkurës derisa të ther kurbanin e tij. Argument për këtë është hadithi i Ummu Selemes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

إذا رأيتم هلال ذي الحجة وفي لفظ : إذا دخلت العشر وأراد أحدكم أن يضحي فليمسك عن شعره وأظفاره

“Kur ta shikoni hënën e re të muajit Dhul-Hixheh” – dhe në një transmetim tjetër qëndron – “kur të hyjnë dhjetë ditët” “...dhe ndonjëri prej jush dëshiron të therë kurban, të mos i heq qimet (flokët) dhe të mos i pres thonjtë.”

Në një transmetim tjetër qëndron:

فلا يأخذ من شعره شيئا حتى يضحي

“Të mos heqë diçka nga qimet (flokët) derisa ta presë kurbanin.”

Në një transmetim tjetër qëndron:

فلا يمس من شعره ولا بشره شيئا

“Të mos heqë gjë nga qimet e tij e as nga lëkura e tij.” [1]

Nëse e bën nijet që të ther kurban gjatë dhjetë ditëve, përmbahet prej këtyre gjërave që në momentin që e bën nijet dhe ai nuk ka gjynah që i ka hequr, ose ka hequr diçka prej lëkurës, ose që ka prerë thonjtë sepse kjo ka ndodhur para nijetit.

Urtësia për këtë ndalesë, Allahu e di më së miri, është se përderisa ai që ther kurban merr pjesë në disa vepra që i bën haxhiu, e që është afrimi tek Allahu përmes prerjes së Kurbanit, merr pjesë edhe në disa veçori të ihramit, siç është mos-heqja e qimeve, etj.

Ky është gjykim i veçantë vetëm për atë që do të ther kurban. Kurse i ngarkuari për therjen e kurbanit, nuk ka lidhje me këtë gjykim, ngase Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë “...dhe ndonjëri nga ju dëshiron të ther kurban...” e nuk ka thënë “...ose edhe ai që është ngarkuar me therjen e kurbanit...” sepse Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, therte kurban për njerëzit e shtëpisë së tij dhe nuk është transmetuar që t’i ketë urdhëruar ata të mos i bëjnë gjërat e lartpërmendura. Duke u bazuar tek kjo, ai që është ngarkuar me therjen e kurbanit, i lejohet që t’i heq qimet, të pres thonjtë dhe të largojë diçka nga lëkura.

Ai që do të ther kurban, nëse heq qimet, ose thonjtë, ose diçka prej lëkurës, e ka obligim që të pendohet tek Allahu i Lartësuar dhe të mos e bëjë përsëri më një gjë të tillë dhe nuk ka ndonjë shpagim për këtë. Por kjo që ai hoqi qimet, thonjtë, etj. nuk e ndalon atë nga prerja e kurbanit, siç mendojnë disa Muslimanë të thjeshtë. E nëse heq diçka prej tyre nga harresa apo nga mosdija, apo i bien flokët apo qimet nga trupi pa qëllimin e tij, atëherë ai nuk ka gjynah për këtë gjë. E nëse ka nevojë që t’i heq ato, i lejohet që t’i heq dhe ai nuk ka gjynah. Si për shembull: t’i thyhet thoi dhe ai e dëmton atë, i lejohet që ta pres atë, ose t’ bjerë floku mbi sy, i lejohet që t’i pres ato, ose nëse ka nevojë që t’i heq qimet apo flokët për të kuruar një plagë, i lejohet që t’i heq ato.

_________

[1] Transmetojnë Muslimi (nr. 1977), Ebu Daudi (nr. 2791), Tirmidhiu (nr. 1523), Nesaiu (nr. 4361), Ibën Maxheh (nr. 3149), Ahmedi (6/289).

 

Përktheu: Jeton Shasivari