Bismilah...

Autor: Shejkh Abdul-'Azijz bin Baz

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/16134

Pyetje:

A është obligim (uaxhib) namazi me xhemat apo është sunnet? Ai që e vepron, shpërblehet dhe ai që e lë, nuk dënohet, sepse shumë prej njerëzve argumentohen me atë se namazi me xhemat është më i vlefshëm sesa namazi në shtëpi për njëzetë e shtatë gradë (më shumë), por ata nuk kanë mëkat nëse e falin namazin në shtëpi. Çfarë mendoni ju, o Shejkh i nderuar?

Përgjigje, Shejkh bin Baz:

Namazi me xhemat është obligim (uaxhib), duke ia bashkangjitur kësaj edhe vlerën që është transmetuar (në hadithe). Andaj, namazi me xhemat është obligim, për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

"‏ مَنْ سَمِعَ النِّدَاءَ فَلَمْ يَأْتِهِ فَلاَ صَلاَةَ لَهُ إِلاَّ مِنْ عُذْر‏"

“Ai që e dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet atij (duke shkuar në xhami), atëherë ai nuk ka namaz, përveç ai që ka arsye.”

Është pyetur Ibën Abbasi, cila është ajo arsye? Ai tha: frika apo sëmundja. Erdhi një njeri i verbër tek ai (Pejgamberi) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, nuk kam ndonjë njeri që të më çojë (në xhami), a më jep leje që të falem në shtëpinë time? Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - i tha: “A e dëgjon thirrjen (ezanin) për namaz? Ai tha: Po. Pejgamberi i tha: “Atëherë, përgjigju (ezanit, duke shkuar në xhami).”

Dhe ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

‏ لَقَدْ هَمَمْتُ أَنْ آمُرَ بِالصَّلاَةِ فَتُقَامَ ثُمَّ آمُرَ رَجُلاً فَيُصَلِّيَ بِالنَّاسِ ثُمَّ أَنْطَلِقَ مَعِي بِرِجَالٍ مَعَهُمْ حُزَمٌ مِنْ حَطَبٍ إِلَى قَوْمٍ لاَ يَشْهَدُونَ الصَّلاَةَ فَأُحَرِّقَ عَلَيْهِمْ بُيُوتَهُمْ بِالنَّارِ‏‏

“Jam menduar që të urdhëroj që të bëhet thirrja e ezanit, dhe pastaj të urdhëroj dikë që t’ju dalë imam njerëzve. Pastaj, të nisen me mua disa burra që kanë me vete stivë drush, për të shkuar tek ata njerëz që nuk prezantojnë në namaz me xhemat, dhe t’ua vë zjarrin shtëpive të tyre.”

Ibën Mes’udi – radijAllahu 'anhu – ka thënë: “Me të vërtetë kemi parë se nuk vonohej – d.m.th në namazin me xhemat – përveç se munafiku, nifaku i të cilit ishte i njohur apo i sëmuri.”

Kështu që, fakti se namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi në shtëpi për njëzetë e shtat gradë nuk përfshin lejimin e namazit në shtëpi. Ai (namazi me xhemat) është më i vlefshëm, megjithatë ai është obligim, është obligim që të falet me xhemat. Dhe nuk lejohet që ta falësh atë në shtëpi, përpos ai që ka arsye, siç është i sëmuri.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari