Autor: Shejkh Muhammed Ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://ar.miraath.net/fatwah/10770
Ky pyetës thotë, po e përmbledh pyetjen e tij: “Disa autorë mundohen t’i nxisin njerëzit që të falin namazin, duke u sqaruar atyre se ai është gjimnastikë për trupin dhe se ai ka dobi nga ky aspekt, domethënë në lëvizjet e tij, në ruku, në sexhde etj. Pra, në të ka dobi shëndetsore.”
Përgjigje: Kjo është gabim! Namazi është pastrim për shpirtin. Ai është pastrim për shpirtin dhe është lidhje midis robit dhe Zotit të tij. Në rregull, po ai që nuk bën ruku dhe nuk bën sexhde, porse falet ulur në karrike? Çfarë dobie ka ai nga namazi, po të bazohemi në fjalën e tyre, që këto lëvizje në namaz janë lëvizje gjimnastike, që në të ka dobi shëndetsore dhe gjëra të ngjashme? Po ai që nuk bën ruku, nuk bën sexhde dhe nuk qëndron në këmbë, por e sjellin me karrocë handikapati, e shtyjnë hipur në karrocë handikapati derisa të hyjë në saf, çfarë mendimi ke ti? Çfarë dobie ka ai po të bazohemi tek ky shpjegim? I bie që të mos ketë dobi për të! Kjo është fjalë boshe. Namazi është lidhje mes robit dhe Zotit të tij. Për sa kohë që robi është i shëndoshë logjikisht (nuk është i sëmurë mendor), namazi është obligim për të dhe nuk bie ky obligim në asnjë mënyrë. Nëse robi është në krevat i sëmurë dhe nuk gjen njeri që ta ndihmojë të marrë abdes apo ta ndihmojë që të pastrohet, ku i ka lëvizjet e gjimnastikës ky?! Ku janë? Ai është si i vdekur, vetëm që ai logjikon, dëgjon dhe i kupton fjalët, mirëpo ai është si i vdekur, nuk lëviz. Kështu që, çdokush që del nga rruga e Sheriatit patjetër që do të bjerë në anomali. Andaj ne themi: “Namazi është lidhje mes robit dhe Zotit të tij, është pastrim i shpirtit dhe me të pastrohet njeriu.” Kurse ai që nuk falet e ka nefsin të fëlliqtë – Allahu na ruajt nga kjo gjë. Ai që nuk falet me njerëzit në sabah gdhihet i fëlliqtë, përtac në vetvete, po si është puna me atë që s’falet fare! Ai është akoma më i fëlliqtë, sepse ai është qafir, sipas fjalës më të saktë të dijetarëve.
Thelbi është që ky krahasim është i pasaktë dhe se nxitja e njerëzve për namaz me këtë mënyrë është e pasaktë. Mund të vijë ndonjë njeri dhe të thotë: “Në rregull, unë bëj stërvitje, kam palestrat e sportit. Lavdi Allahut unë lëviz dhe bëj stërvitje për trupin tim.” Çfarë do t’i thuash atij, nëse ti e nxit atë me gjimnastikën? Kjo nuk vlen për të.
O njerëz, a e kuptojnë ata që e thonë këtë fjalë se çfarë pasojash sjell kjo fjalë? Mendoj se ai që e ka thënë këtë nuk e ka studiuar çështjen nga të gjitha këndvështrimet, se përndryshe nuk do ta kishte thënë një fjalë të tillë. Ne sot i përmendëm atij dy raste, ai që falet pa lëvizur, nuk bie në ruku dhe në sexhde dhe nuk qëndron në këmbë, por megjithatë falet, ku e ka ai dobinë nga ana fizike dhe gjimnastike? S’ka asgjë! I përmendëm atij edhe atë që nuk falet fare dhe thotë “Unë bëj ushtrime, unë shkoj në palestër sportive, unë kam trup të përkryer, kam…” Në rregull, mbaroi me kaq ra kjo urtësi, s’ka dobi tjetër ky namaz, sipas këtij. Kjo fjalë është e pasaktë dhe ai që i ka thënë duhet të ketë kujdes për veten e tij për ato që thotë dhe të shikojë se çfarë po thotë.
Përktheu: Alban Malaj