Autor: Shejkh Muhammed ibn Salih el-Uthejmin
Burimi: Likaul babil meftuuh, 101
Pyetje: Në Sahihun e Bukharit është transmetuar se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ngrinte zërin që të dëgjohej në një apo dy Ajete. Atëherë, kjo ngritje e zërit a është veçantë vetëm për imamin apo është e përgjithshme për imamin dhe xhematin? Cilat janë kriteret e kësaj çështjeje?
Përgjigje: Është transmetuar në hadithin e Ebu Katadeh – radijAllahu anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ngrinte zërin ndonjëherë te ndonjë Ajet. Ai që e ngre zërin ndonjëherë është imami, dhe kjo ngritje e zërit bëhej ose që njerëzit ta dinë se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – po lexon diçka prej Kur'anit pas leximit të Fatihasë, ose njerëzit në një farë mënyrë të jenë të përqendruar në namaz. Pasi, nëse imami e ngre zërin në namazin pa zë, njerëzit përqendrohen.
Ndërsa xhemati, nuk e ngre zërin me ndonjë gjë, as me Tesbih (Subhane Rabbij el-Adhijm, Subhane Rabbij el-'Ala), as me lexim dhe as në Tekbire (Allahu Ekber)! Prandaj, disa njerëz gabojnë në namazin e xhenazes, veçanërisht kur imami bën tekbir në namazin e xhenazes, xhemati e ngre zërin duke thënë: Allahu Ekber! Kurse disa prej tyre e ngrenë zërin në tekbiret shtesë të namazit të Bajramit, kur imami bën tekbir “Allahu Ekber, Allahu Ekber” ata i ngrenë zërat e tyre me tekbir, pra xhemati. Kjo është gabim! Xhemati lexon në heshtje, bënë tekbir në heshtje, bënë tesbih në heshtje dhe lutet në heshtje.
Përktheu: Servet Mata