Bismilah...

Autor: Alij Jahja el-Haddadij

Burimi: https://t.me/alihaddadi37/1415

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

 

Lavdia i takon vetëm Allahut, Mëshira dhe Shpëtimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë.

Më pas:

Këto janë disa çështje të cilat është mirë të përmenden dhe të këshillohen njerëzit me këto me rastin e kësaj fatkeqësie, për shkak të cilës u mbyllën xhamitë për një kohë të caktuar, si domosdoshmëri dhe për shkak të frikës së përhapjes së virusit “Korona.” Allahu na ruajtë neve dhe juve prej tij!

 

1)    Është e ligjësuar që të caktohet një vend i veçantë në shtëpi për faljen e Namazit:

Është e ligjësuar që të caktohet një vend i veçantë në shtëpi për faljen e Namazit në atë vend. Ka thënë Ibn Rexheb: "Selefët e kishin zakon të caktonin një vend të veçantë në shtëpitë e tyre për të falur Namazin aty!" [1]

Nuk është vërtetuar që ky vend i caktuar për të falur Namazin në shtëpi, të ketë ndonjë dispozitë siç janë dispozitat e xhamive. Kështu që, ky vend nuk është vakëf dhe nuk është e ligjësuar të falen dy rekate përshëndetëse; nuk është e ndaluar të qëndrojë aty gruaja me menstruacione, ose ai që është xhunub.

Urtësia e caktimit të një vendi për të falur Namazin në shtëpi, është që burrat të falin aty namazet vullnetare, të falen anëtarët e shtëpisë, të falin gratë namazet obligative dhe vullnetare. Gjithashtu burrat e sëmurë të falen aty.

Disa dijetarë kanë preferuar që ky vend të parfumoset dhe të pastrohet, për shkak të hadithit të Aishes - radijAllahu anha - e cila thotë: "I Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka urdhëruar që të caktohen vende për faljen e namazit në shtëpi dhe të mbahen të pastra e të parfumosura!" Këtë hadith e transmeton Imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh.

 

2)    Ezani dhe Ikameti në shtëpi

Ezani dhe Ikameti janë farz kifajeh. Kështu që, nëse thirret Ezani në xhami, u mjafton ky Ezan të gjithë banorëve të lagjes. Ai që falet në shtëpi për shkak të ndonjë arsyetimi, si i sëmuri apo ai që i ka ikur namazi me xhemat, i mjafton të thërras vetëm Ikametin dhe të falet. Ai që falet pa e thirrur Ikametin, namazi i tij është i saktë, por më e mira është që ta thërras Ikametin. Komisioni i Përhershëm i Fetvave thotë: "Është ligjëruar thirrja e Ikametit para faljes së namazit, edhe nëse ai që falet është i vetëm. Por edhe nëse ti falesh pa e thirrur ikametin, namazi yt është i saktë dhe nuk duhet ta përsërisësh atë."[2]

Ndërsa për sa u përket grave, ato nuk thërrasin as ezan e as kiamet. Ka thënë Ibën Kudameh: "Nuk di të ketë kundërshtime në lidhje me këtë!" [3]

Nga gabimet e disa njerëzve është që besojnë se është obligim të thirret Ezani në shtëpi para se të çel iftar në Ramazan, edhe pse ai e ka shtëpinë ngjitur me xhaminë! Ndërsa disa të tjerë e thërrasin Ezanin në shtëpi në rast shiu apo epidemie, dhe në Ezanin e tyre shtojnë “Sal-luu fii bujuutikum - Faluni në shtëpitë tuaja”! Ndërsa kjo gjë në realitet është e ligjësuar për muezinët e xhamive, të cilët e thonë atë gjë.

 

3)    Kur duhet të thotë Muezini “Sal-luu fii bujuutikum,” dhe si duhet të jetë përgjigja e atij që e dëgjon atë?

E para: Kur duhet të thotë Muezini  Sal-luu fii bujuutikum”?

Muezini duhet të thotë: "Elaa sal-luu fir-rihaal – Faluni në shtëpi,” [4] ose "Sal-luu fii rihaalikum   Faluni në shtëpitë tuaja” [5], ose "Sal-luu fii bujuutikum – Faluni në shtëpitë tuaja,” [6]. I lejohet atij që ta thotë këtë gjë një herë [7], ose dy herë [8].

Gjithashtu i lejohet që ta thotë këtë edhe pas thirrjes së Ezanit, për shkak të hadithit të Abdullah Ibn Umerit - radijAllahu anhuma. Gjithashtu i lejohet atij që ta thotë këtë gjë përgjatë thirrjes së Ezanit, për shkak të hadithit të Abdullah Ibn Abbasit - radijAllahu anhuma. Ka thënë Shejkh Ibën Bazi - Allahu e mëshiroftë-: "Muezini duhet të thotë 'Sal-luu fii rihaalikum’ pasi të thotë 'Haj-je 'alas-salaah, Haj-je 'alel-felaah'. Pra thotë 'Sal-luu fii rihaalikum', apo 'Sal-luu fii bujuutikum'. Ose pasi të mbarojë thirrjen e Ezanit, në fund të thotë: 'Sal-luu fii bujuutikum' [9]

E dyta: A duhet t'i përgjigjesh Muezinit kur ai thotë: 'Sal-luu fii bujuutikum'?

Shumica e dijetarëve thonë se nuk është e ligjësuar t'i përgjigjesh, sepse ajo është shtesë në Ezan dhe është për qëllim njoftimi për të treguar lehtësim! Ka dijetarë që i ka dhënë gjykimin e fjalëve “Haj-je 'alas-salaah, Haj-je 'alel-felaah” dhe ka thënë se është e preferuar (mustehabb) të thotë “La haule ue la ku-uete il-la bil-Lah.”  

 

4)    Ku e bëjnë rreshtin gratë kur burri i prinë në namaz familjes së vet?

Gruaja gjithmonë qëndron pas burrit kur fal namaz dhe nuk duhet të rreshtohet përkrah tij, edhe nëse është bashkëshortja e tij apo prej atyre që janë mahrem për të, siç janë: nëna e tij, vajza e tij, motra e tij, e të ngjashme me to, për shkak të transmetimit që është vërtetuar në Sahihun e Bukharit nga Enes Ibn Malik - radijAllahu anhu - i cili thotë: "Unë dhe një jetim u falëm pas të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, ndërsa nëna ime, Ummu Sulejmi, u fal mbrapa nesh."

Ka thënë Shejkh Uthejmin - Allahu e mëshiroftë: "Gruaja gjithmonë duhet të qëndrojë pas burrit në namaz, qoftë grua që është mahrem për burrin apo prej atyre që nuk janë mahrem." [10]

Kështu që, burri del përpara si Imam, dhe pas tij qëndrojnë burrat e tjerë si djemtë e tij, vëllezërit e tij etj., dhe pas këtyre qëndrojnë gratë, si bashkëshortet, vajzat, nëna, motrat e të ngjashme si këto.

 

5)    Nuk i lejohet Muslimanit që të falë Namazin e Xhumasë në shtëpinë e tij, përkundrazi ai duhet që të fal namazin e Drekës, me nijetin e Namazit të Drekës.

Me rastin e ndalimit të faljes së Namazit të Xhumasë për shkak të kësaj fatkeqësie, Muslimani duhet që në ditën e Xhuma të falë drekën katër rekate në shtëpinë e tij me nijetin e namazit të Drekës, dhe nuk lejohet që ta falë atë dy rekate. Gjithashtu, nuk lejohet që ta falë namazin e Xhumasë në shtëpi me njerëzit e tij të shtëpisë. Komisioni i Përhershëm i Fetvave thotë: "Kush frikësohet se mund të dëmtojë veten e tij apo të tjerët, i lejohet atij që të mos prezantojë në namazin e Xhumasë dhe në namazet me Xhemat, si shkak i fjalës së të Dërguarit të Allahut - 'sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

لا ضرر و لا ضرار

"Nuk lejohet dëmtimi i vetes, e as dëmtimi i të tjerëve!"

[Transmeton Ibën Maxheh]

Të gjitha gjërat që u përmendën më lartë, nëse njeriu nuk prezanton në namazin e Xhumasë, atëherë duhet të falë namazin e drekës katër rekate.” [11]

 

6)    Paralajmërim ndaj atyre që i shmangen fetvasë së komisionit të përhershëm të fetvave.

Disa njerëz filluan të mbledhin komshinjtë e tyre dhe banorët e lagjes në disa vendfalje të përkohshme, në mënyrë që të falin aty namazet me xhemat në vend të namazeve në xhami. Të këtillët e kanë kundërshtuar prijësin e vendit, si dhe kanë kundërshtuar fetvanë e dijetarëve! Qëllimi i mbylljes së xhamive në këto ditë është ndalimi i grumbullimeve të njerëzve, sepse ky është shkaku kryesor i përhapjes së epidemisë dhe i transmetimit të saj në mesin e njerëzve!

 

7)    Paralajmërimi kundër khauarixhëve

Disa khauarixh të kohëve të sotme pretendojnë se ndalesa e përkohshme e faljes së namazit me xhemat dhe namazit të Xhumasë për shkak të virusit korona, është riddeh (dalje) prej Islamit dhe se vendet të cilat i kanë mbyllur xhamitë për t'u ruajtur prej përhapjes së sëmundjes korona janë bërë vende kufri!

Kjo fjalë e tyre është shembull i rrugës në të cilën kanë qenë Khauarixhët prej fillimit të shfaqjes së tyre e deri sot e kësaj dite, duke treguar injorancë që kanë për Fenë e Allahut, nxitimin në tekfir, bërjen hallall të gjakut të Muslimanëve, thirrje për në fitneh dhe trazira. Allahu na ruajtë!

Komisioni i Përhershëm i Fetvave ka dhënë fetva për të ndaluar faljen e namazit të Xhumasë dhe namazit me xhemat në xhami, për shkak të kësaj fatkeqësie, e cila është përhapur në shumicën e botës, me qëllim që të ruhemi nga përhapja e saj. Sepse kjo epidemi përhapet kur ka tubime dhe përzierje të njerëzve.

Komisioni i Përhershëm i Fetvave u argumentua për fetvanë e tij - ashtu siç e ka zakon - me Librin e Allahut, Sunetin e të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe me parimet e Sheriatit Islam.

I kërkoj Allahut që ta largojë prej vendit tonë dhe prej vendeve të tjera Muslimane këtë epidemi dhe e lus Allahun t’i mëshirojë robërit dhe vendet dhe të na ruajë neve prej sëmundjeve të këqija!

E gjithë Lavdia dhe Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë!

 

Shkroi: Ali bin Jahja el-haddadij, 23/07/1441

_______________________________

[1] Fet’hul-barij,Ibn Rexheb (3/169)

[2] Fetaua Lexhneti Daimeh (6/78)

[3] El-Mugnij, 1/306

[4] Hadithi i Ibn Umerit në Dy Sahihët

[5] Sunen Ibn Maxheh, 1/302

[6] Hadithi i Ibn Abbasit në Dy Sahihët.

[7] Sahihul Bukharij, 1/129

[8] Sahih Muslim, 1/484

[9] Fetaua Nurun ‘ala Derb, 13/118.

[10] Mexhmu’u Fetaua ue Resailil Uthejmin, 15/208.

[11] Në vendimin e Komisionit me numër (246) ne lidhje me prezantimin në namazin me xhemat dhe namazin e Xhumasë në rast të përhapjes së epidemisë apo frikës se mos përhapet epidemia.

 

 

Përktheu: Servet Mata