Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Pyetje:

Ky pyetës me inicialet A. A. nga Mauritania thotë: A lejohet falja e namazit në xhami të cilat janë të rrethuara me varre, ku xhamia është ndërtuar përpara se të ndërtohej varri. Shpresojmë nga ju që të na jepni një këshillë?

Përgjigje:

Nëse varri është brenda në xhami, ose është i ngjitur me xhaminë, atëherë nuk lejohet namazi në këtë xhami derisa të hiqet ky varr, për arsye se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu i ka mallkuar gratë që vizitojnë varret dhe ata që i marrin varret për xhami dhe të ndezin qiri në to.” Po ashtu, Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos i merrni varret për xhami, sepse unë ju ndaloj rreptësisht prej kësaj.”

Fjala e tij “Mos i merrni varret për xhami...” do të thotë: vend për falje, që të falesh tek varret. Qoftë ky varr brenda xhamisë, ose ndonjë varr tek i cili falen dhe nuk ka ndërtim sipër tij. Falja e namazit në këto varre konsiderohet marrja e tyre si xhami dhe kjo është një ndër mjetet e shirkut. Këtë e ka ndaluar i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe e ka ndaluar atë që e bën një gjë të këtillë.

Ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: “Allahu i ka mallkuar Jehudët dhe të Krishterët, të cilët i morën varret për xhami.”

Po ashtu ai, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Popujt që ishin para jush, i merrnin varret për xhami. Ju kurrsesi mos i merrni varret për xhami, se unë ju ndaloj juve nga kjo gjë.” Si dhe hadithe tjera.

Por nëse varret janë të ndara nga xhamia; midis varreve dhe xhamisë ka rrugë të cilat e ndajnë xhaminë prej tyre, atëherë këto varre nuk kanë ndonjë ndikim në xhami dhe nuk ka ndalesë që të falësh namaz në këtë xhami, sepse xhamia është e ndarë nga varret përmes rrugëve ose hapësirave, të cilat e ndajnë xhaminë nga varret. Kështu, xhamitë janë veç dhe varret veç.

 

Përktheu: Jeton Shasivari