Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Rezak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

 

 

(Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam, në Haxh) thoshte duke iu drejtuar Zotit të Tij:

“Ky Haxh (që po bëj) është bashkë me Umre.”

 

Kur Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam – tha “Haxh bashkë me Umre,” pas kësaj fjale, ia bashkoi fjalën tjetër ashtu siç është vërtetuar në hadith:

 

اللَّهُمَّ اجْعَلْهُ حَجًّا، لا رِيَاءَ فِيهِ، وَلا سُمْعَةَ‏

“O Allah, bëje këtë Haxh që të mos ketë në të syfaqësi dhe as kërkim fame.” [1]

 

Kjo, o vëllezër, është një kërkesë e rëndësishme dhe e madhe, ndaj të cilës Muslimani duhet të ketë kujdes kundrejt këtij adhurimi të madh – Haxhit për në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, apo Umren, apo veprat tjera në përgjithësi. Njeriu duhet të këtë kujdes që vepra e tij të jetë për hir të Allahut, sepse Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – nuk e pranon një vepër vetëm atëherë kur të bëhet sinqerisht vetëm për Allahun. Siç ka ardhur në hadith kudsij (ku Allahu thotë):

 

أَنَا أَغْنَى الشُّرَكَاءِ عَنِ الشِّرْكِ مَنْ عَمِلَ عَمَلاً أَشْرَكَ فِيهِ مَعِي غَيْرِي تَرَكْتُهُ وَشِرْكَهُ

“Unë jam i Vetëmjaftueshëm dhe i Panevojshëm për shokë e ortak. Ai që bën një vepër për hir të dikujt tjetër dhe për hir Timin, Unë do ta braktis atë dhe veprën që e ka bërë për hir të dikujt tjetër (nuk do ta pranojë atë vepër).” [2]

 

Kur Pejgamberi e ngriti zërin duke bërë nijetin për Haxhin Kiran, pas kësaj tha:

 

اللَّهُمَّ اجْعَلْهُ حَجًّا، لا رِيَاءَ فِيهِ، وَلا سُمْعَةَ‏

“O Allah, bëje këtë Haxh që të mos ketë në të syfaqësi dhe as kërkim fame.”

 

Që do të thotë: ma mundëso ta bëj këtë Haxh sinqerisht për Fytyrën Tënde; të mos kërkohet me këtë Haxh vetëm se Fytyra e Allahut – ta Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit.

 

O vëllezër! Në kohën tonë, fatkeqësia e madhe te shumë Haxhij dhe Umrexhij, ajo që ai më shumë i jep rëndësi në vendet ku bëhen ritualet e Haxhit, siç është Arafati, Muzdelife, Tauafi, Saji, etj., është bërja e fotove përkujtimore, qofshin ato video apo foto; i mbledh këto foto, pastaj i merr me vete në vendin e tij që t’ua tregojë njerëzve.

 

Ti, a ke bërë Haxh që të dukesh para njerëzve apo ke bërë Haxh që ta kënaqësh Zotin tënd dhe të kërkosh shpërblime nga Ai – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari?!

 

Haxhi është adhurim! Kur ti qëndron në Arafat, qëndron në Muzdelife, kur qëndron në Mina, kur bën Tauafin, këto vepra janë mes teje dhe Allahut, janë për Allahun – të Pastrin nga çdo mangësi dhe të Lartësuarin.

 

Disa Haxhij – Allahu na përmirësoftë neve dhe ata –, në disa vende të ritualeve të Haxhit, e kam parë vet njërin prej tyre që u ndal dhe i dha aparatin fotografik një shokut të tij; u largua duke qëndruar në këmbë, pastaj kur ai u bë gati që të shkrepë foton, ai ngriti duart duke u shfaqur sikur po bën lutje. Kur u bë fotoja përkujtimore, ai i uli duart. 

 

Çfarë do të thotë kjo foto? Këto duar nuk u ngritën për t’iu lutur Atij. Jo, pasha Allahun! Këto duar u ngritën që të bëhet një foto për përkujtim, nuk u ngritën që t’i lutet Allahut. Në hadith kudsij thuhet:

 

إِنَّ اللَّهَ حَيِيٌّ كَرِيمٌ ، يَسْتَحِي إِذَا رَفَعَ الرَّجُلُ إِلَيْهِ يَدَيْهِ أَنْ يَرُدَّهُمَا صِفْرًا

“Me të vërtetë Allahu është i Turpshëm dhe Bujar, ka turp që kur njeri t’i ngrejë duart drejt Atij, t’ia kthej ato bosh (pa mos iu përgjigjur).” [3]

 

Këto duar nuk janë ngritur për hir të Allahut, por janë ngritur për hir të fotos, dhe pasi që u bë fotoja, i uli duart. Pastaj, e merr këtë foto dhe ua tregon shokëve dhe miqve të tij, i var në dhomën e ndenjjes apo i vendos ato në album dhe i vendos në zyrën e tij, që nëse e viziton dikush, i thotë: ja urdhëro, këtu ke albumin me foto, këtu mund të më shohësh në Mekke, në vendet ku kryhen ritualet... hape faqen 20 mund të më shohësh në foto duke iu lutur Allahut në Xhemerate, në filan vend tjetër, shiko këtë e atë...Çfarë është kjo tani?! Çfarë t’i themi kësaj?! A është ky adhurim?!

 

Pejgamberi ynë – ‘alejhi salatu ue selam – thotë:

 

اللَّهُمَّ حجَّةً لا رِيَاءَ فِيهَا وَلا سُمْعَةَ

 “O Allah, ky është Haxh që nuk ka në të syfaqësi dhe as kërkim fame.” [4]

 

Për këtë arsye, unë kam një këshillë për hir të Fytyrës së Allahut: ai që ka bërë foto përkujtimore, le t’i fshijë (t’i gris) dhe ta bëjë këtë vepër për hir të Allahut – të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit; të shpresojë me këtë vepër Fytyrën e Allahut, të kërkojë me këtë vepër shpërblimet e Tij; të shpresojë me këtë vepër një gjë që do ta shohë Ditën e Gjykimit.

 

Zoti ynë – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – thotë:

 

﴿مَّن كَانَ يُرِيدُ الْعَاجِلَةَ عَجَّلْنَا لَهُ فِيهَا مَا نَشَاءُ لِمَن نُّرِيدُ ثُمَّ جَعَلْنَا لَهُ جَهَنَّمَ يَصْلَاهَا مَذْمُومًا مَّدْحُورًا ﴿١٨ وَمَنْ أَرَادَ الْآخِرَةَ وَسَعَى لَهَا سَعْيَهَا وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَأُولَـئِكَ كَانَ سَعْيُهُم مَّشْكُورًا 

“Ai që e do atë që kalon shpejt (këtë botë), Ne jemi te gatshëm të japim aq sa duam për cilin të dëshirojmë. Pastaj, ia përcaktojmë atij xhehenemin që të hyjë në të i nënçmuar dhe i braktisur (nga mëshira e Allahut). Dhe kushdo që dëshiron ahiretin dhe përhiqet duke i bërë përpjekjet e duhura (duke e pasuar Pejgamberin – alejhi salatu ue selam) dhe është besimtar, këtyre do t’u pranohen përpjekjet (duke u shpërblyer për to).” El-Isra, 18-19

 

Pejgamberi ynë – ‘alejhi salatu ue selam – ka thënë:

 

اللَّهُمَّ اجْعَلْهُ حَجًّا، لا رِيَاءَ فِيهِ، وَلا سُمْعَةَ‏

“O Allah, bëje këtë Haxh që të mos ketë në të syfaqësi dhe as kërkim fame.”

 

E lusim Allahun e Plotfuqishëm e të Madhëruar në këtë ndenjjen tonë, t’i bëjë të gjitha veprat tona të sinqerta për Fytyrën e Tij, mos të ketë në këto vepra syfaqësie dhe kërkim fame. 

 

Fundnotat:

[1] Tirmidhiu në “esh-Shemail” fq. 191, Ibën Maxhe (2890). Shejkh Albani në “Silsiletu Sahihah,” 6/227.

[2] Muslimi (2985)

[3] Ebu Daudi (1488)

[4] Ibën Maxhe, (2890)

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari