Autor: Shejkh Muhamed Ibën Salih el-‘Uthejmin
Burimi: el-Menhexh li-men jurid el-‘Umrah uel-Haxh, fq.37-44
Gjërat që ndalohen në Ihram, janë ato gjëra që i ndalohen haxhiut që ka hyrë në ihram për të bërë Haxhin apo Umren, për shkak të ihramit. Ato gjëra janë tre llojesh:
lloji i parë janë ato gjëra që i ndalohen burrave dhe grave;
lloji i dytë janë ato gjëra që u ndalohen burrave por jo grave;
dhe lloji i tretë janë ato gjëra që u ndalohen grave por jo burrave.
Për sa u përket gjërave që u ndalohen burrave dhe grave, më poshtë janë disa prej tyre:
1 – Marrëdhëniet në organin seksual, e kjo është gjëja më e madhe e ndaluar. Nëse kjo ndodh përpara se haxhiu të dalë nga ihrami pjesërisht (et-tehalul el-euel: kur haxhiu i rruan apo i pret flokët mbasi gjuajti gurët në Xhemeratin Akabe, ditën e dhjetë), kjo ka tre pasoja:
e para: prishet haxhi, mirëpo ai duhet ta vazhdojë haxhin derisa ta mbarojë plotësisht;
e dyta: ai e ka detyrë që ta përsërisë haxhin vitin tjetër, edhe nëse haxhi që prishi ishte vullnetar dhe jo obligativ;
e treta: ai duhet të therë një lopë ose një deve.
2 – Shikimi dhe prekja me epsh.
3 – Veshja e dorashkave në duar.
4 – Heqja e flokut nga koka, duke e rruar apo me ndonjë formë tjetër, si dhe heqja e çdo qimeje tjetër nga trupi, sipas mendimit më të famshëm. Ama nëse haxhiut i bie ndonjë qime në sy dhe ai dëmtohet nga ajo, saqë nuk largohet dëmi i saj vetëm se duke e shkulur atë qime, atëherë lejohet që ta shkulë atë dhe nuk ka asnjë detyrim për të. I lejohet muhrimit (atij që ka hyrë në ihram) që të kruajë kokën me dorë, e nëse bie ndonjë qime floku pa dashje, nuk ka ndonjë detyrim për të.
5 – Prerja e thonjve të duarve apo të këmbëve, përveç kur thyhet ndonjë nga thonjtë që e dëmton atë, në këtë rast s’ka problem që ta presë atë që e dëmton, pa i prekur të tjerët.
6 – Përdorimi i parfumit mbas hyrjes në ihram, qoftë në rrobë apo në trup apo në çdo pjesë tjetër. Kurse parfumosja përpara hyrjes në ihram s’ka problem, edhe nëse mbetet parfum mbas veshjes së ihramit, sepse ndalohet që të lyhesh me parfum kur vesh ihramin, kurse parfumosja përpara veshjes së ihramit dhe vazhdimësia e aromës së parfumit mbasi që ke veshur ihramin nuk është e ndaluar. Nuk i lejohet atij që ka hyrë në ihram që të pijë kafe në të cilën ka zaferan, sepse zaferani është aromatik, përveç nëse atij i ka ikur shija dhe aroma nga gatimi, e nuk i ka mbetur gjë tjetër veç ngjyrës. Pra, në këtë rast nuk ka problem.
7 – Vrasja e gjahut, që janë kafshët e egra hallall, siç është gazela, lepujt, pëllumbat apo karkalecat. Kurse gjahu i detit është hallall, sepse i lejohet atij që ka hyrë në ihram që të gjuajë peshk në det. Gjithashtu i lejohen kafshët shtëpiake, si pula për shembull.
Nëse i dalin para rrugës karkalecat dhe haxhiu nuk ka asnjë rrugë tjetër nga të shkojë, e rrjedhimisht i shkel disa padashje, ai nuk ka asnjë detyrim, sepse nuk i vrau me qëllim dhe as nuk kishte mundësi si të ruhej nga shkelja e tyre.
Kurse prerja e pemëve nuk është e ndaluar për atë që ka hyrë në ihram, sepse kjo nuk ndikon te ihrami. Mirëpo kjo gjë është e ndaluar për atë që ndodhet brenda kufijve së haramit të Mekes, qoftë ai me ihram apo pa ihram. Prandaj lejohet prerja e pemëve në Arafat, porse nuk lejohet që t’i presësh në Mina dhe Muzdelifeh, sepse Arafati ndodhet jashtë kufijve të haramit, kurse Mina dhe Muzdelifeja ndodhen brenda kufijve të haramit.
Nëse haxhiu godet ndonjë pemë padashje ndërsa është duke ecur, nuk ka asnjë detyrim për të. Gjithashtu lejohet prerja e pemëve të thara që s’kanë më jetë.
Kurse gjërat që ndalohen për meshkujt dhe u lejohen grave janë dy:
1 – Veshja e rrobave të qepura, si për shembull të veshë rroba apo veshmbathje të ngjashme tradicionale, siç është xhelabija apo bluza, pantallonat e të ngjashmet me to. Pra, nuk i lejohet mashkullit që t’i veshë këto gjëra në formën që i vesh si përherë. Ama nëse nuk i vesh në formën që i vesh si përherë, për shembull ta bëjë xhelabijen rida (copën e sipërme të ihramit), ose ta bëjë shaminë që mbajnë gratë si izar (copën e poshtme të ihramit), për të gjitha këto s’ka problem. Madje nuk ka problem edhe nëse vesh rida të arnuar apo rid të arnuar apo të shtuar me ndonjë cope tjetër.
Lejohet mbajtja e brezit, orës së dorës, syzeve të diellit, si dhe lejohet që ta mbërthesh ridanë (copën e sipërme të ihramit) me paramanë apo me gjëra të ngjashme, sepse këto gjëra nuk i ka ndaluar Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe nuk hyjnë tek ato gjëra që janë ndaluar tekstualisht në Sheriat. Madje është pyetur Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se çfarë duhet të veshë njeriu për ihram dhe tha:
لا يلبس القميص ولا العمائم ولا السراويلات ولا البرانس ولا الخفاف
“Ai nuk duhet të veshë xhelabijen, as çallmën, as pantallonat, as xhybet me kapuç dhe as khufet.”
[E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Veshja e papuçeve për muhrimin, nëse nuk gjen dot shapka, me numër (1542); dhe Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Çfarë i lejohet muhrimit në Haxh apo Umre dhe çfarë nuk i lejohet, me numër (1177).]
Pra, përgjigja e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për pyetjen se çfarë duhet të veshë e çfarë nuk duhet të veshë, është argument që tregon se çdo gjë tjetër pos atyre që përmendi ai, mund t’i veshë muhrimi. Gjithashtu ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ia lejoi muhrimit që të veshë khufet nëse nuk gjen shapka, ngaqë ai ka nevojë që të ruajë këmbët e tij. E njëjta gjë edhe me syzet, sepse ai ka nevojë që të ruajë sytë e tij. Dhe sipas mendimit më të famshëm të medh’hebit hanbeli, dijetarët e kanë lejuar që burri në ihram të mbajë unazë.
I lejohet muhrimit që të veshë pantallona në rastin kur nuk gjen dot izar dhe as nuk ka lek që ta blejë izarin, si dhe që të veshë khufe nëse nuk gjen dot shapka dhe as nuk ka lek që të t’i blejë ato, sepse ka ardhur në hadithin e Ibën ‘Abbasit – radijAllahu ‘anhuma – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha kur po mbante hytben në Arafat:
من لم يجد النعلين فليلبس الخفين، ومن لم يجد إزاراً فليلبس السراويل
“Kush nuk gjen dot khufe, le të veshë papuçe, e kush nuk gjen dot izar, le të veshë pantallona.”
[E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Kush nuk gjen dot izar, le të veshë pantallona, me numër (1841); e ka transmetuar edhe Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Çfarë i lejohet muhrimit në Haxh apo Umre dhe çfarë nuk i lejohet, me numër (1178).]
2 – Mbulimi i kokës me diçka që rri ngjitur me kokën, siç është çallma, shamia që mbajnë zakonisht arabët në kokë, takija dhe gjërat e ngjashme me to. Ndërsa nuk ka problem për ato gjëra që nuk rrinë ngjitur me kokën, siç është çadra e diellit dhe çatia e makinës, sepse të ndaluara janë ato gjëra që e mbulojnë kokën dhe jo ato gjëra që bëjnë hije.
Ka ardhur në hadithin e Ummul-Husajn el-Ahmesijeh se ajo ka thënë:
“Kemi bërë haxhin me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në Haxhin e Lamtumirës, dhe e pashë kur gjuajti guralecët në Xhemeratin Akabeh, e pastaj u largua hipur mbi kafshën e tij. Me të ishte Bilali dhe Usama; njëri tërhiqte kafshën e tij kurse tjetri me rrobën e tij bënte hije mbi kokën e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për ta mbrojtur nga dielli.”
Kurse në një transmetim tjetër qëndron:
“Ai e mbulonte që ta mbronte nga nxehtësia, derisa gjuajti Xhemeratin e Akabes.”
E ka transmetuar Ahmedi dhe Muslimi.
[E ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, me numër (1298), dhe Ahmedi (6/402).]
Kjo ka qenë në ditën e Bajramit, përpara se të dilte pjesërisht nga ihrami (et-tehalul el-euel), sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në ditët e tjera mbas Bajramit i gjuante guralecët te Xhemeratet duke ecur në këmbë e jo i hipur mbi kafshën e tij.
I lejohet muhrimit që të mbajë plaçkat e tij mbi kokë, nëse s’ka për qëllim që të mbulojë kokën me to. I lejohet gjithashtu që të zhytet në ujë, edhe nëse kokën e tij e mbulon uji.
Kurse gjërat që janë të ndaluara për gratë por jo për burrat, janë:
Veshja e nikabit, që është rrobë me të cilën mbulohet fytyra e gruas, duke lënë jashtë vetëm dy sytë për të shikuar. Ka dijetarë që kanë thënë se nuk i lejohet gruas që t’i mbulojë sytë e saj as me nikab e as me ndonjë gjë tjetër, përveç nëse pranë saj kalojnë burra, sepse në këtë rast ajo e ka detyrë që të mbulojë fytyrën e saj, dhe ajo nuk ka detyrë që të bëjë ndonjë shpagim për këtë veprim, qoftë sikur ta prekë fytyrën e saj rroba me të cilën e mbuloi apo nuk e prek.
Ai që i bën ndalesat që u përmendën i ka tre gjendje:
Gjendja e parë është kur muhrimi bën ndonjë nga ndalesat e mësipërme pa pasur justifikim dhe as ndonjë nevojë. Në këtë rast ai është gjynahqar dhe e ka për detyrë që të bëjë shpagim.
Gjendja e dytë është kur muhrimi bën një ndalesë për shkak se e ka të nevojshme, si për shembull ka nevojë që të veshë xhelabijen për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe ka frikë mos dëmtohet. Në këtë rast i lejohet atij që ta bëjë këtë gjë dhe e ka detyrë që të bëjë shpagim për të, siç i ndodhi Ka’b Ibën ‘Uxhrah – radijAllahu ‘anhu – kur e çuan te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe morrat i përhapeshin nga koka në fytyrë. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i dha leje atij që ta rruante kokën dhe të bënte shpagim.
[E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, në librin e Haxhit, kapitulli: Dhënia e ushqimit për shpagim është gjysmë sa’a, me numër (1816); e ka transmetuar edhe Muslimi në Sahihun e tij, libri i Haxhit, kapitulli: Lejimi i rruajtjes së kokës për muhrimin, nëse ka ndonjë gjë që e dëmton, me numër (1201).]
Gjendja e tretë është kur muhrimi bën një ndalesë dhe ai është i justifikuar, ose për shkak të injorancës së tij ose për shkak të harresës së tij ose për shkak se ka qenë në gjumë apo ka qenë i imponuar, e në këtë rast ai s’ka gjynah dhe as nuk bën shpagim, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:
وَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُنَاحٌ فِيمَا أَخْطَأْتُمْ بِهِ
“Nuk ka gjynah për ju kur gaboni, porse gjynah është kur e bëni qëllimisht me zemrat tuaja.” [el-Ahzab, 5]
Ka thënë gjithashtu Allahu i Lartësuar:
رَبَّنَا لا تُؤَاخِذْنَا إِنْ نَسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا
“Zoti ynë mos na merr në llogari kur harrojmë apo kur gabojmë!” [el-Bekarah, 286]
Dhe ka thënë Allahu i Lartësuar (për këtë lutjen e besimtarëve):
قد فعلتُ
“Unë i jam përgjigjur kësaj lutjeje.”
[E ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, libri i Imanit, kapitulli: Sqarim që Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – nuk të ngarkon përtej mundësisë, me numër (126).]
Kurse te hadithi tjetër ka ardhur nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ai ka thënë:
أن اللهَ تجاوزَ عن أمَّتِي الخطأَ والنَسْيانَ وما كرهوا عليه
“Me të vërtetë Allahu ia ka falur Umetit tim kur ata bëjnë gjynah gabimisht, nga harresa apo duke qenë të detyruar.”
[E ka transmetuar Ibën Maxheh në Sunenin e tij, libri i divorcit, kapitulli: Divorci i atij që është i detyruar apo që harron, me numër (2043).]
Këto janë tekste të përgjithshme për ndalesat e ihramit e për ndalesa të tjera, të cilat tregojnë se robi nuk merret në llogari kur është i justifikuar nga injoranca, nga harresa dhe nga imponimi.
Ka thënë Allahu i Lartësuar në lidhje me gjahun, i cili është një prej ndalesave të ihramit:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَقْتُلُوا الصَّيْدَ وَأَنْتُمْ حُرُمٌ وَمَنْ قَتَلَهُ مِنْكُمْ مُتَعَمِّدًا فَجَزَاءٌ مِثْلُ مَا قَتَلَ مِنَ النَّعَمِ
“O ju që besoni, mos e vrisni gjahun kur jeni në ihram. E kush nga ju e vret me dashje, shpagimi për të është i njëjtë me shpagimin e atij që ka vrarë një bagëti.” [el-Ma`ideh, 95]
Pra, Allahu e lidhi obligimin e shpagimit me vrasjen me dashje, dhe kjo cilësi është e përshtatshme për dënimin dhe garancinë, prandaj është detyrë që të merret në konsideratë cilësia e bërjes me dashje dhe gjykimi duhet të lidhet me të. Ama nëse nuk e ka bërë me dashje, për të nuk ka shpagim dhe as gjynah.
Mirëpo kur mbaron justifikimi dhe kush ishte i paditur mësoi, kush kishte harruar u kujtua, kush kishte qenë në gjumë u zgjua dhe kush kishte qenë i detyruar u çlirua, atëherë duhet që ta lënë ndalesën menjëherë. E nëse vazhdon që ta bëjë të ndaluarën, edhe pse nuk ka më justifikim, atëherë ai është gjynahqar dhe duhet të bëjë shpagim për të.
Shembull për këtë është: kur mashkulli mbulon kokën ndërkohë që është në gjumë. Përderisa është në gjumë, ai s’ka asnjë detyrë, ama po u zgjua e ka detyrë që ta zbulojë kokën menjëherë. E nëse vazhdon që ta mbulojë kokën, duke e ditur që është detyrë zbulimi i kokës, atëherë ai e ka detyrë që të bëjë shpagim për të.
Masa e shpagimit për ndalesat që përmendëm janë si më poshtë:
1 – Për heqjen e qimeve dhe thonjve, për parfumosjen, për prekjen me epsh, për daljen e spermës për shkak të shikimit të përsëritur, për shkak të kontaktit seksual, mbasi që ka dalë nga ihrami pjesërisht (et-tehalul el-euel), si dhe për kontaktin seksual në Umre, për veshjen e dorashkave, për veshjen e rrobave me qepje nga ana e mashkullit, për mbulimin e kokës dhe për veshjen e nikabit nga gruaja, për secilën nga këto gjëra shpagimi është që të therë një dele ose të ushqeje gjashtë nevojtarë ose të agjërojë tre ditë, ose të zgjedhë cilin shpagim të dojë nga këto tre shpagime, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë për rruajtjen e kokës:
فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ بِهِ أَذًى مِنْ رَأْسِهِ فَفِدْيَةٌ مِنْ صِيَامٍ أَوْ صَدَقَةٍ أَوْ نُسُكٍ
“E kush nga ju është i sëmurë apo ka ndonjë dëmtim në kokën e tij, ai duhet të bëjë shpagim duke agjëruar apo duke dhënë sadaka apo duke therur një bagëti.” [el-Bekarah, 196].
Me këtë ajet i vlerëson edhe gjërat e tjera të ndaluara. Nëse zgjedh që të therë një dele, ai mund të therë një dele ose dhi, mashkull apo femër, me të cilën e ka përmbushur kurbanin. Ose mund të therë ndonjë kafshë tjetër në vend të tyre, që është një e shtata e devesë ose një e shtata e lopës. Pastaj e shpërndan të gjithë mishin te fukarenjtë dhe nuk ha asgjë nga ajo. E nëse zgjedh që të ushqejë gjashtë nevojtarë, ai duhet t’i japë secilit gjysmë sa’a ushqim (afërsisht një kile e gjysmë), siç janë hurmat, mielli i zi apo të tjera. E nëse zgjedh agjërimin, ai duhet të agjërojë tre ditë, po të dojë i agjëron rresht pa ndërprerje ose i agjëron veç e veç.
2 – Sa i përket shpagimit të gjahut të vrarë, nëse për gjahun e vrarë ka kafshë të ngjashme me të, ai ka lirinë për të zgjedhur mes tre gjërave: ose të therë kafshën e ngjashme me të, pastaj ta shpërndajë mishin e saj te fukarenjtë e Mekkes, ose të shohë se sa është vlera monetare e kafshës së ngjashme me të, e pastaj të paguajë çmimin e saj në ushqim, të cilin duhet t’ua shpërndajë nevojtarëve, për çdo nevojtar gjysmë sa’a (afërsisht një kile e gjysmë), ose të agjërojë nga një ditë për çdo nevojtar që do të ushqente.
Ama nëse nuk ka ndonjë kafshë të ngjashme për gjahun e vrarë, ai mund të zgjedhë mes dy gjërave: ose të shohë sa është vlera monetare e gjahut të vrarë dhe të paguajë vlerën e saj në ushqim, të cilin duhet t’ua shpërndajë nevojtarëve, secilit duhet t’i japë gjysmë sa’a (afërsisht një kile e gjysmë), ose të agjërojë nga një ditë për çdo nevojtar që do të ushqente.
Shembull për gjahun që ka kafshë të ngjashme te bagëtitë, është pëllumbi, i cili ka të ngjashëm delen. Prandaj i themi atij që ka vrarë një pëllumb: ti je i lirë që të zgjedhësh, po të duash ther një dele, e po të duash shiko sa e ka vlerën delja dhe paguaj vlerën e saj në ushqim për fukarenjtë që janë brenda Haramit të Mekkes, secilit jepi gjysmë sa’a (afërsisht një kile e gjysmë ushqim). E nëse do, agjëro nga një ditë për çdo nevojtar që do të ushqeje.
Shembull për gjahun që nuk ka kafshë të ngjashme me të, është karkaleci. Prandaj ne i themi atij që ka vrarë një karkalec me dashje: po të duash shiko sa e ka vlerën karkaleci dhe paguaj vlerën e tij në ushqim për nevojtarët brenda Haramit të Mekkes, secilit prej tyre jepi gjysmë sa’a. E nëse do, agjëro nga një ditë për çdo nevojtar që do ushqeje.
3 – Për kryerjen e marrëdhënieve seksuale në Haxh, përpara daljes së pjesshme nga ihrami (et-tehalul el-euel), duhet të therësh një lopë ose një deve.
Përktheu: Alban Malaj