Bismilah...

Pra, unë këshilloj veten time dhe vëllezërit e mi që, kur e lexojmë fjalën e Pejgamberit – ‘alejhis-salatu ues-selam –:
 
ما من أيام العمل الصالح فيهن أحبُّ إلى الله
 
“Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa këto ditë!”

duhet patjetër që gjëja e parë që na shkon në mendje dhe tek e cila duhet të fokusohemi, namazi farz, farzet e Islamit dhe obligimet e tjera të fesë.

Dikush prej njerëzve, kur e dëgjon këtë hadith për veprat e mira, i shkon mendja te sadakaja, te veprat e mira që janë aspekte të bamirësisë dhe mirësive të tjera, përpiqet në këto vepra me zell e me dëshirë, duke shpresuar që ta arrijë këtë mirësi të përmendur në hadith. Mirëpo, shumë njerëzve u del nga mendja që t’u kushtojnë kujdes farzeve, sidomos namazit, të cilin kush e ruan do të ketë dritë, argument dhe shpëtim në ditën e Kijametit. Ndërsa ai që nuk e ruan atë, nuk do të ketë as dritë, as argument e as shpëtim në ditën e Kijametit.

Prandaj, kur e lexojmë këtë hadith: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa këto dhjetë ditë!”, gjëja e parë për të cilën duhet të kujdesemi prej veprave të mira është namazi farz. Duhet të kujdesemi dhe të përkujdesemi për to ashtu siç duhet: duke e falur në fillimin e kohës së tij, duke e falur me qetësi dhe me frikërespekt për Allahun, duke i ruajtur kohët e namazeve, duke ruajtur qetësinë mbas namazit dhe duke qëndruar ulur në xhami pas namazit. E gjithë kjo duhet të jetë gjëja kryesore që duhet t’i kushtojmë vëmendje prej veprave të mira të cilat ia dedikojmë Allahut dhe nëpërmjet tyre kërkojmë afrimin tek Allahu i Patëmeta e i Lartësuar në këto dhjetë ditë.

Argumenti për këtë është hadithi kudsij, ku Allahu i Patëmeta e i Lartësuar thotë:
 
ما تقرَّبَ إليَّ عبدي بشيءٍ أفضل من أداء ما افترضتُ عليْهِ، وما يزالُ يتقرَّبُ عبدي إليَّ بالنَّوافلِ حتَّى أحبَّهُ
 
“Robi Im nuk afrohet tek Unë me diçka më të dashur për Mua sesa ato vepra që ia kam bërë obligim. Dhe robi Im vazhdon të afrohet tek Unë me nafile derisa Unë ta dua atë.”

Pra, kur afrohet tek Allahu me nafile? Vetëm pasi që t’i kryejë rregullisht obligimet.

Nëse ti nuk lëviz që të afrohesh tek Allahu me pendim, duke u kthyer tek Allahu i Patëmeta gjatë këtyre ditëve të nderuara e me vlerë, atëherë kur do të lëvizësh? Nëse zemra e njeriut nuk lëviz në këto ditë me vlerë dhe në kohët e nderuara, ai ka për të mbetur në devijimin e tij, duke u larguar dhe duke i kthyer shpinën udhëzimit. Atëherë kur do të lëvizë zemra e njeriut, nëse nuk lëviz në këto ditë të nderuara e me vlerë?

Është ligjëruar për muslimanin që gjatë këtyre kohëve t’i japë rëndësi pendimit tek Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm, të pendohet nga gjynahet dhe gabimet, të cilat në të vërtetë janë pranga që e lidhin njeriun dhe e pengojnë nga arritja e gradave të larta dhe shpërblimeve madhështore, në këto sezone të bekuara dhe të nderuara.

Gjithashtu, prej gjërave që janë ligjëruar për muslimanin në këto dhjetë ditë - e që janë të ligjëruara për të në çdo kohë - është ruajtja e farzeve të Islamit dhe detyrimeve të fesë. Këtu duhet të kemi kujdes të madh dhe vëmendje të plotë për të kryer farzet me shtyllat e tyre, me obligimet e tyre, me kushtet e tyre dhe me gjërat e pëlqyera të tyre.
Për këtë arsye, dijetarët – Allahu i mëshiroftë – i këshillojnë krejt muslimanët, sidomos në këto dhjetë ditë, e po ashtu në çdo kohë, që të kujdesen për namazin farz në kohët e tij dhe që muslimani të shkojë herët në xhami.

Dhe ajo që vihet re është se gjendja e shumë njerëzve me namazin është që ata vijnë në xhami veçse me vonesë. Madje kjo është bërë zakon normal te shumica e njerëzve: ata nuk lëvizin nga shtëpia, nga tregtia apo nga puna derisa të fillojë namazi. Kur thirret ikameti, vetëm atëherë lëviz nga vendi i tij. Kështu i ikën një rekat, dy rekate apo tre, e ndoshta vjen veçse kur namazi ka mbaruar dhe njerëzit japin selam.

Dhe kjo gjendje është e përsëritur, nuk është që ndodh një herë apo dy herë; kjo është gjendja e tij vazhdimisht.
A kështu ka qenë gjendja e selefëve?
Është përmendur në biografinë e Se’id ibën Xhubejrit – Allahu e mëshiroftë – se atij nuk i kishte ikur tekbiri fillestar që prej dyzetë vjetësh.
Tekbiri fillestar!
Madje dikush prej selefëve thoshte:

“Nëse e sheh një njeri që i ikën tekbiri fillestar, atëherë laji duart prej tij.”

Pastaj sheh disa njerëz që, gjendja e tyre me namazin farz — i cili është shtylla më madhështore e Islamit pas shehadetit — është neglizhencë ndaj kohës së tij, ndaj shkuarjes herët në xhami dhe ndaj ruajtjes së kushteve e shtyllave të tij. Sheh tek ata një shpërfillje të madhe ndaj namazit farz.

Dhe këtu unë them se: nëse nuk ruhen pesë namazet farz dhe nuk ka merak për to dhe përkujdesje për shkuarjen herët në xhami gjatë këtyre dhjetë ditëve të vlefshme, kur vepra është më e mira që mund të bëhet gjatë ditëve të vitit, nëse njeriu neglizhon veprën gjatë këtyre dhjetë ditëve, atëherë si do të jetë gjendja e njeriut gjatë ditëve të tjera?

Nëse në këto dhjetë ditë të nderuara kur janë veprat më të mira që mund të bëhen gjatë gjithë vitit, ai vjen në namaz veçse me vonesë, e ndoshta disa njerëz ja fusin gjumit dhe e humbasin namazin, përderisa kështu është gjendja e tyre me namazet farz, gjatë dhjetë ditëve të vlefshme të muajit të Dhul-Hixhes, duke neglizhuar e duke humbur, atëherë si do të jetë gjendja e tyre në ditët e tjera të vitit?

Selefët e devotshëm – Allahu i mëshiroftë – garonin në veprat e mira dhe konkurronin në bamirësi gjatë këtyre ditëve të vlefshme e të nderuara nga Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.

Gjithashtu, prej madhështisë së këtyre ditëve të nderuara është se Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm është betuar në to, për t’i nderuar ato, në Fjalën e Tij:
 
﴿وَٱلۡفَجۡرِ١ وَلَيَالٍ عَشۡرٖ٢﴾
 
“Pasha agimin! Dhe pasha dhjetë netët!” [el-Fexhr, 1-2]

Një grup prej dijetarëve të tefsirit, prej tyre Ibën Abbasi dhe të tjerë, kanë thënë se ky ajet ka për qëllim dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes. Ndërsa dijetarë të tjerë kanë thënë se ajeti ka për qëllim dhjetë netët e fundit të Ramazanit.

Prandaj dijetarët kanë patur mospajtim se cilat janë më me vlerë: dhjetë netët e fundit të Ramazanit apo dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, për shkak të transmetimeve dhe vlerave që kanë ardhur për të dyja këto dhjetëshe.

Dhe ajo që është saktësuar në këtë çështje, siç e ka potencuar Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – dhe të tjerë prej dijetarëve, është se dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netët më të mira të vitit, ndërsa dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes janë ditët më të mira të vitit.

Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë netë që gjallërohen me dhikër, adhurim dhe namaz nate. Kur fillonin këto dhjetë netët e fundit, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – shtrëngonte izarin e tij, e kalonte natën në adhurim dhe e zgjonte familjen e tij.

Dhe në këto netë është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë sesa një mijë muaj, siç ka thënë Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm:
 
﴿إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَةِ ٱلۡقَدۡرِ١ وَمَآ أَدۡرَىٰكَ مَا لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ٢ لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَيۡرٞ مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡرٖ٣﴾
 
“Ne e zbritëm atë (Kur`anin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” [el-Kadr, 1-3]

Pra, dhjetë netët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit janë netët më të mira dhe më me vlerë.

Ndërsa ditët më të mira janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixheh. Në to është dita e Arafatit, më kryesorja nga të gjitha ditët dhe dita më e mirë kur lind dielli, siç ka thënë Pejgamberi – ‘alejhis-salatu ues-selam – në hadithin e saktë:

خيرُ الدُّعاءِ دُعاءُ يومِ عَرَفةَ، وخَيرُ ما قُلْتُ أنا والنبيُّونَ من قَبْلي: لا إلهَ إلَّا اللهُ وَحْدَه لا شَريكَ له، له المُلكُ، وله الحَمدُ، وهو على كلِّ شيءٍ قَديرٌ.

“Duaja më e mirë është duaja e Ditës së Arafatit. Dhe fjala më e mirë që kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje është:

La ilahe il-lAllahu uahdeHu la sherike leHu, leHul-mulku ue leHul-hamdu ue Huwe ‘ala kul-li shej`in Kadiir.


(Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashoq. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë.)

Në dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes është edhe Dita e Kurbanit (Jeumun-Nehr), për të cilën disa dijetarë kanë thënë se është dita më e mirë në mënyrë absolute, bazuar në hadithin e saktë që është transmetuar nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ai ka thënë:

إنَّ أفضلَ الأيَّامِ عندَ اللَّهِ يومُ النَّحرِ

“Dita më madhështore tek Allahu është Dita e Kurbanit.”

Prandaj dijetarët kanë pasur mospajtim: cila prej dy ditëve është më me vlerë — Dita e Arafatit apo Dita e Kurbanit?

Të dyja këto ditë me vlerë janë prej dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes. Po ashtu në to është edhe dita e Teruijes, dita e tetë e Dhul-Hixhes, në të cilën haxhinjtë përgatiten dhe nisen duke bërë telbijen drejt Minas, që të fillojnë ritet madhështore e të bekuara të haxhit.

Që ta përmbledhim këtë që thamë: netët më të mira janë netët e fundit të muajit të Ramazanit, ndërsa ditët më të mira janë dhjetë ditët e para të muajit të Dhul-Hixhes.
Ato janë ditë të nderuara, ditë pune, përpjekjeje dhe gare në bindje për Allahun e Madhëruar e të Lartësuar, janë ditë kur konkurohet në vepra të mira.
Ato janë gjithashtu ditë të dhikrit për Allahun e Plotëfuqishëm e të Madhërishëm, siç ka thënë Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm:
 
﴿ وَيَذۡكُرُواْ ٱسۡمَ ٱللَّهِ فِيٓ أَيَّامٖ مَّعۡلُومَٰتٍ ﴾
 
“…dhe të bëjnë dhikër me emrin e Allahut në ditët e njohura.”
[el-Haxh, 28]

Ibën Abbasi dhe të tjerë kanë thënë se “Ditët e njohura” janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes.

Prandaj, ato janë ditë në të cilat bëhet dhikër për Allahun e Plotëfuqishëm e të Madhërishëm. Për këtë arsye, gjatë tyre ligjërohet bërja e tekbirit të pakufizuar (et-tekbir el-mutlak), tekbiri i cili nuk është i kufizuar në një kohë të caktuar.

Muslimani bën shumë tekbire në këto ditë me fjalët që janë transmetuar nga Sahabët – radij-Allahu ‘anhum –:

“Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllah, uAllahu Ekber, Allahu Ekber ue lil-lahil-hamd.”

Dhe e përsërisnin këtë tekbir gjatë këtyre ditëve.
 
Përktheu: Abdullah Beqiri