Bismilah...

Autor: Shejkh Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Burimi: Sherhu Kitabi Teuhid, mësimi 35, min, 42:05, më datë 21/1/1438 H.

 

 

Që do të thotë se magjia zgjidhet me rukje dhe ilaçe profetike, siç janë:

 

[1]Kërkimi i shërimit me ujë zemzemi.

Pra, uji i zemzemit është shërim sëmundjeje, dhe kjo përfshin të gjitha sëmundjet, ndër të cilat përfshihet edhe magjia.

 

[2] (Nga ilaçet tjera është): ngrënia e shtatë (7) hurmave axhua në mëngjes.

Përsosmëria është që axhua të jetë nga (zona) “Alijeh” e Medinës, (zona ‘Aualij). Pas kësaj e ka radhën ajo (hurmë axhua) që është brenda kufijve të Haremit të Medinës. Pas kësaj e ka radhën ajo (hurmë Axhua) që është nga Medineja në përgjithësi. Pas kësaj e ka radhën hurma Axhua e çfarëdo vendi qoftë, pas kësaj vjen hurma (që nuk janë axhua) e çfarëdo vendi qoftë. Ky është ilaç profetik, qoftë për ta parandaluar magjinë apo për ta larguar magjinë (pasi që të ka zënë).

 

Ai që është i prekur me magji, çdo mëngjes ha nga shtatë (7) hurma Axhua. Gjëja më e mirë është që këto hurma (Axhua) të jenë nga (zona) “Auali” e Medinës. Nëse nuk i ka këto, atëherë të jenë nga hurmat (Axhua) që janë brenda kufijve të Haremit të Medinës; nëse nuk i ka këto, atëherë të jenë nga Axhua e Medinës, edhe në qoftë se janë jashtë kufijve të Haremit. Nëse nuk ka nga këto, atëherë të jenë Axhua nga cilido vend, porse të jetë nga hurma Axhua, që quhet Axhua. Nëse nuk i ka as këto, atëherë të hajë shtatë (7) hurma, çfarëdo hurme qoftë ajo dhe nga çfarëdo vendi qoftë ajo hurmë.

 

[3] Po ashtu, (nga ilaçet profetike) është: fara e zezë.

Pra, fara e zezë është nga ilaçet profetike. Fara e zezë është ilaç për çdo sëmundje, përveç vdekjes. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk përcaktoi se si të kërkosh shërim me të. Kështu që, këtu hyjnë të gjitha metodat e shërimit me farën e zezë që i njohin njerëzit.

 

(Metoda e parë): Të marrë shtatë (7) kokrra të farës së zezë, dhe t’i vendos në gojë, pastaj ta mbyll gojën, dhe t’i përtyp mirë ato (duke mbajtur gojën mbyllur). Kjo është metoda më e mirë e shërimit me farën e zezë.

 

Ata që janë të specializuar për këtë gjë thonë: të marrë shtatë kokrra, sepse kjo është sasia e dobishme; të marrë shtatë kokrra dhe t’i vë në gojë, pastaj ta mbyllë gojën dhe t’i përtypë ato me dhëmbë duke mbajtur gojën mbyllur. Kanë thënë se ajo që është më e dobishme te fara e zezë është, vaji esencial i saj, i cili del gjatë përtypjes. Kur ai e mbyll gojën, ky vaj futet brenda në trup. Kjo metodë është e dobishme, dhe është metoda më e dobishme e shërimit me farën e zezë.

 

(Metoda e dytë): Ose i thërrmon ato dhe i fut në hundë. Disa dijetarë kanë thënë që i merr pesë (5) kokrra, i thërrmon dhe i fut në hundë, ose i thërrmon ato kokrra dhe i përzien me vaj (ulliri), dhe i fut në hundë, ose e nxjerr vajin e farës së zezë dhe lyhet me të, ose pi diçka prej tij. Kështu që, fara e zezë është shërim. Prandaj, çdo gjë që e kanë mësuar njerëzit për arritjen e dobive me farën e zezë, e përfshin ky hadith, për shkak të përgjithësimit të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. 

 

Këto i quajmë ilaçe profetike. Pra, kemi: rukjen (leximin e ajeteve Kuranore dhe lutjeve), ilaçet profetike dhe ilaçet që janë të lejuara. Pra, ilaçet që merren si shkaqe konkrete dhe të dukshme, për të cilat është vërtetuar me prova se këto bëjnë dobi dhe nuk ka ndonjë ndalesë sheriatike për këtë. Shërimi me gjëra konkrete, për të cilat është vërtetuar me prova së bëjnë dobi dhe nuk ka ndonjë ndalesë për to. Kështu që, përmes këtyre zgjidhet magjia. E nëse i bashkëngjitet kësaj edhe rukja (leximi i Kuranit dhe lutjeve), atëherë kjo është më e dobishme dhe më e fuqishme.

 

[4]Shërimi me frutat e pemëve që gjenden nëpër shkretëtirë

Dhe prej këtyre ilaçeve është ajo që ka thënë AbduRrezaku:

“Shabij ka thënë: “Nuk ka problem (që të përdoret) zgjidhja e beduinëve Arab (për magjinë).”

Pra, zgjidhjen që e bëjnë beduinët Arabë. Ajo që mendoj unë, Allahu e di më së miri, është se ky shpjegim është i AbduRrezakut, shpjegimi i zgjidhjes që kanë beduinët për magjinë.

(AbduRrezaku) thotë: “Zgjidhja e beduinëve Arab është që njeriu të dalë në vendin ku ka “Edahin”, - pra në një vend ku ka pemë që kanë gjemba të shkurtër, pra në shkretëtirë, - “të shkojë në vendin ku ka Edahin, dhe të marrë fruta në të djathtë e në të majtë dhe t’i shtypë ato, të lexojë tek ato, pastaj të lahet me to.” Kjo është një zgjidhje, në të cilën u bë bashkim midis rukjes dhe zgjidhjes (së magjisë) që bëjnë beduinët. Të dal në një zonë, në shkretëtira, ku ka pemë që kanë gjemba të vegjël, dhe të marrë prej frutave të këtyre pemëve, prej gjetheve të tyre, nga e djathta, nga e majta, këtu e atje, pastaj t’i mbledhë dhe t’i thërrmojë mirë ato. Ata thoshin që t’i thërrmojë ato duke i rrahur midis dy gurëve, t’i shtyp ato me çfarëdo lloj mënyre, edhe në qoftë se sot i fut ato në mikser; pastaj i fut ato në ujë – nëse uji është zemzem, atëherë kjo është gjë e mirë – dhe lexon në to rukje, lutjet, te’auidhat (lutjet që përmbajnë kërkim të mbrojtjes nga Allahu) që janë të lejuara e që nuk përmbajnë harame, pastaj lahet me këtë ujë dhe pi nga ai nëse nuk i bën dëm.

Pra, kjo është nga ato gjërat që bën dobi dhe kjo është provuar.

 

[5]Gjethet e Sidrit

Po ashtu prej ilaçeve është ajo që ka thënë M’ameri në veprën e tij “el-Xhamië” në të cilën ka thënë:

“Në librat e Ibën Uehbit thuhet që të marrësh 7 gjethe nga Sidri jeshil, dhe t’i thërrmosh ato duke i rrahur midis dy gurëve, pastaj t’i hedhësh në ujë dhe të lexosh në të Ajetul-Kursij, ato (sure) që fillojnë me “Kul”, pastaj të pish tre gllënjka prej këtij uji dhe të lahesh me të, kjo ka për t’i larguar (me lejen e Allahut) të gjitha ato që e kishin kapluar atë – in shaa Allah. Dhe ky ilaç është i mirë për atë burrë që s’mund të ketë marrëdhënie intime me gruan e tij.”

 

Ka përmendur M’ameri në “Xham’i-un” e tij, Kurtubi në Tefsirin e tij, Hafidh (Ibën Haxheri) në “Fet-hul-Barij,” nga Ibëni Uehbi në disa libra të tij se ka thënë:

“Merren 7 gjethe nga Sidri jeshil,” sidri është pema e (familjes së bimëve) Rhamnus, e mirënjohur, ekziston në Medine, madje edhe nëpër rrugë. Por merr 7 gjethe jeshile, e jo gjethe të thata te shitësit e parfumeve, por jeshile. “Pastaj t’i thërrmojë ato duke i rrahur midis dy gurëve.” Pra, t’i thërrmojë mirë ato, “Pastaj t’i fus ato në ujë,” pra t’i përziejë me ujë, “dhe të lexojë në to: Ajetul Kursij, dhe (suret) që përmbajnë në fillim (fjalën) Kul,” Kul-hu uAllahu eha; Kul-eudhu bi Rabil Felek dhe Kul-eudhu bi Rabbi Nas.

Shejkhu jonë Ibën Bazi thotë: “Në këtë ujë lexon ajetet (që kanë zbritur) për magjinë dhe hasetin, bashkë me Ajetul-Kursij, suret që fillojmë me ‘Kul’, lexon ajetet që është përmendur magjia në Kuran, dhe ajetet (që është përmendur) haseti. Pastaj pi tre gllënjka prej këtij uji.”

Kurse njëri nga dijetarët thotë: “Të lihet (ky ujë) në qiell të hapur,” pra të mos futet në frigorifer apo diku tjetër, “të lihet në qiell të hapur dhe të pijë prej tij tre herë, dhe të lahet me të, sepse ai (me lejen e Allahut) e largon tërë magjinë që e kishte kapur, sidomos atë lloj magjie kur burri s’mund t’i afrohet gruas së vet për të bërë marrëdhënie intime, apo kur gruaja e urren burrin e saj, kjo pa dyshim se bën dobi.”

Këtë e kanë përcjellë dijetarët. Ka porositur me këtë Ibën Kajjimi, shpjeguesit e librit “Kitabu-Teuhid,” dhe Shejkhu jonë Ibën Bazi, dhe kanë thënë se provat e vërtetuara tregojnë për dobinë e tyre.

 

           

[6]Lulet që rriten nëpër stepe, shkretëtirë

 

Po ashtu, nga ato (ilaçe) që i ka përmendur Hammad ibën Shakir, i cili është një nga dijetarët e mëdhenj, siç e ka përcjellë nga ai Hafidhi në “Fet-hul-Barij”. Hammad Ibën Shakir është nga dijetarët e vjetër e të mëdhenj, i cili ka libra. Hafidhi ka përcjellë nga ai në “Fet-hul-Barij” nga disa libra të tij se ka thënë: “Sa i përket zgjidhjes së magjisë, ato (bimët) mblidhen gjatë ditëve të pranverës,” pra ditët e pranverës kur çelin lulet, “mblidhen gjatë ditëve të pranverës aq sa mundet nga lulet që rriten në toka të djerra,” pra në toka të papunuara, lulet që gjenden nëpër shkretëtirë, “si dhe lulet që gjenden nëpër kopshte (tokat e punuara).” Pra mbledh lulet që rriten nëpër toka të papunuara dhe nëpër kopshte, “pastaj i hedh ato në një enë të pastër dhe u shton atyre ujë të ëmbël (natyral), pastaj ujin me lule, e lë të vlojë paksa,” nuk e lë atë që të piqet, nuk e lë që të ziejë. Jo! E lë atë sa të vlojë pak. “Pastaj e lë atë, saqë kur të ftohet uji, ta hedh sipër vetës së tij.” Ky ilaç është i lejuar, nëse kësaj ia bashkëngjit edhe rukjen, kjo është më e mirë.

 

Kur të vij koha e pranverës, koha e luleve, të dalë nëpër djerrina dhe të mbledh lule; të shkojë nëpër kopshte dhe të mbledh nga lulet e tyre, dhe t’i pastrojë ato, pastaj t’i hedh ato në një enë të pastër që ka ujë të ëmbël (natyral), pastaj t’i vlojë pak këto lule në ujë, pastaj ta lë ujin derisa të ftohet, t’i largohet nxehtësia. Nëse lexon në ujë Ajetul-Kursij, mu’auidhattet (Suret: Ikhlas, Felek, dhe Nas), ajetet e magjisë, ajetet e hasetit, atëherë kjo është më mirë, në mënyrë që të bashkojë midis ilaçit konkret që është provuar se bën dobi dhe rukjes. Pastaj lahet me të, sepse kjo është ajo me të cilën Allahu e largon magjinë.

Këto janë ilaçe të lejuara, për të cilat tregojnë provat, bashkë me ilaçet profetike dhe bashkë me rukjen, si dhe duke lidhur zemrën tënde para dhe pas kësaj me Allahun – e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar. Andaj, ai i cili e bën këtë, me të vërtetë ka për t’iu larguar ajo fatkeqësi.

 

Kështu që, si ta shërojmë magjinë me ilaç të lejuar? Me rukje. S’ke nevojë – o vëlla – për ndonjë Shejkh (për rukje)! Nuk ke nevojë për ndonjë Shejkh! Kryesorja, t’i lexosh Kuran vetes tënde duke qenë i bindur (në shërim). Kujdes se mos thua: “Po e provoj!” Kurani është shërim. S’ka prova! Lexo duke qenë i bindur, siç ka thënë Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – për rukjet: “Shpata është e fortë në dorën e atij që di ta përdorë.” Lexo vetë ti! Leximi ndaj atij që i është bërë magji, ka nevojë për durim. Lexo dy orë, tre orë në ditë; lexo ditën e dytë, ditën e tretë, lexoi vetes tënde dhe atij që do ti. Këshilloi ata, lutu për ta! Kujdesu për lutjet profetike.

 

Po ashtu, o vëllezër! Nga gjërat që kemi mësuar është: se gjatë rukjes, do të shfaqet se ku është dhimbja. Ti mund ta kuptosh vetë këtë duke e vendosur dorën tënde në gjymtyrët e trupit tënd gjatë rukjes. Pra, ka disa vende në trup që ai i bën rukje dikujt apo i bëhet rukje, zor se e duron t’ia mbajë dorën sipër atij vendi. Ndoshta kërcen nga vendi, nëse ia vendos dorën mbi atë vend. Disa njerëz ndjejnë dhimbje në kokë, në flokë, dhe kjo ndodh te shumica e njerëzve. Nëse ti e vendos dorën tënde duke lexuar, apo duke i bërë rukje vetes apo të tjerëve, dhe ndërkohë ke vënë dorën sipër flokëve, do të shohësh se atij që i lexohet, nuk ka fuqi ta përballojë këtë (t’ia mbajë dikush dorën sipër). Kjo është shenjë se ky është vendi që është prekur më së shumti.

Nëse dëshiron të vësh vaj (sipër vendit ku ndjen dhimbje), mund të vësh vaj; nëse dëshiron të vësh ndonjë ilaç të lejuar sipër vendit, mund ta vësh dhe ndërkohë i lexon, si dhe gjëra të ngjashme.

Pra, rukja, ilaçet profetike: zemzemi, hurma, hurma Axhua, fara e zezë dhe ilaçet e lejuara për të cilat është argument përvoja, qoftë ajo që e kemi përmendur apo atë që nuk e kemi përmendur, me kusht që të mos ketë aty ndonjë haram dhe ajo të mos kushtëzohet me ndonjë numër të caktuar, por njeriu duhet ta praktikojë atë derisa Allahu t’ia largojë atë që e ka kapluar, nëse ai është i sprovuar.

Pra, këto janë ilaçe të lejuara, me të cilat Allahu i bën dobi atij që i është bërë magji – in shaa Allah.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari