Transmetohet nga Ibën Umeri, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e ka ndaluar el-kaza’në. E pyeta Nafi’in se çfarë është el-kaza’? Ai më tha: "Rruarja e një pjese të kokës së fëmijës dhe lëshimi i flokëve në pjesën tjetër.”
عَنِ ابْنِ عُمَرَ، أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم نَهَى عَنِ الْقَزَعِ . قَالَ قُلْتُ لِنَافِعٍ وَمَا الْقَزَعُ قَالَ يُحْلَقُ بَعْضُ رَأْسِ الصَّبِيِّ وَيُتْرَكُ بَعْضٌ
Transmeton Muslimi, 2120
____
Shejkh Salih el-Luhejdan, Allahu e mëshiroftë:
Në këtë hadith të saktë Profeti, sal-lAllahu alejhu ue sel-lem, e ka ndaluar qethjen e këtillë. Kjo qethje (el-kaza) ishte adet i njohur në periudhën e injorancës, ku ata e rruanin një pjesë të kokës së fëmijës dhe pjesën tjetër e linin. Gjithashtu, rruajtja e kokës nuk është e thënë të jetë deri në lëkurë.
Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte i zellshëm t’ia sqaronte umetit të tij që të largohen nga doket dhe zakonet e injorancës, të cilat ata i manifestonin. Gjithashtu, të largohen nga zakonet nga të cilat nuk ka dobi. Ai, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
بُعِثتُ لأُتَمِّمَ صالِحَ الأخْلاقِ
“Jam dërguar që t’i përsos vlerat morale.”
Prandaj, ai e ndaloi atë (el-kaza’). Pak më parë, ua tregova historinë e atij njeriut nga fisi Beni Amir, i cili e kishte takuar në atë kohë mbretin e Irakut dhe njerëzit atje kishin rruar një pjesë të kokës dhe një pjesë e kishin lënë me flokë, me qëllim që të binin në sy. Ky është një ndër zakonet e këqija të cilat i ka ndaluar Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.
Ka qenë adet në kohën e injorancës që, kur dikush bënte zina me ndonjë grua – e kemi përmendur këtë më parë – dhe ajo mbetej shtatzënë, vërtetohej se kjo shtatzëni është si rrjedhojë e zinasë, vërtetohej ky fëmijë dhe atësia t’i atribuohej babait të tij.
Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ndaloi këtë dhe e sqaroi ndalesën për këtë gjë, siç ka thënë në hadithin e saktë, në Dy Sahihat dhe në burime të tjera:
الْوَلَدُ لِلْفِرَاشِ، وَلِلْعَاهِرِ الْحَجَرُ
“Fëmija (i lindur nga zinaja) i takon shtratit (gruas), kurse kurvari ndëshkohet me gurëzim.”
Një ndër këto adete që kishin arabët, ishte që të mblidheshin një grup njerëzish rreth kësaj lavireje, të pohonin se kishin patur lidhje me të dhe pasiqë ajo më parë kishte mbetur shtatzënë dhe kishte lindur fëmijën, atësia e fëmijës i atribuohej krejt këtyre dhe asnjëri nuk mund ta mohonte. Këto ishin adetet e arabëve në periudhën e injorancës, por Allahu i ndaloi të gjitha ato. Një ndër këto adete ishte edhe qethja el-kaza.
Në kohën tonë, njerëzit kanë ndryshuar dhe nuk e rruajnë tërë kokën, por i qethin flokët sipas metodës që e bënin dikur arabët. Në të kaluarën, kjo ishte vetëm për fëmijët, sepse arabët i vlerësonin flokët në kokë dhe Profeti kishte flokë të gjata që arrinin deri poshtë veshëve dhe kjo ishte gjë e zakonshme. Arabët nuk e rruanin kokën plotësisht, por vetëm në raste fatkeqësie apo në rastet kur bënin Haxh dhe Umre. Arabët ishin të mendimit se rruajtja e kokës është gjymtim dhe krim nga ana e personit.
Kështu që, Allahu e ndaloi el-kaza’në me profetësinë e Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe për këtë arsye ndalohet qethja e flokëve e cila i ngjan dhe është e përafërt me modelet el-kaza.
Kur kjo dukuri u përhap në mesin tonë në Mbretërinë e Saudisë dhe deshën të imitojnë perëndimorët, filluan t’i shkurtojnë tërësisht flokët mbrapa kokës dhe anash saj duke i rruar tërësisht ato, pastaj duke i lënë ato sa më të gjata tek pjesa lart. Ky është imitim i qytetërimit perëndimor, të cilët nuk sollën të mira në vendet Islame, as në moral e as në gjëra të tjera, dhe qytetërimi i tyre nuk ishte i bazuar në metodologjinë profetike, porse ishte i bazuar në devijime.
Për këtë arsye, dijetarët kanë folur shumë ashpër lidhur me ndalesën e el-kaza'së, çfarëdo modeli qoftë ai. Prindi që ka fëmijë, duhet që të tregohet i vëmendshëm që mos t’i lë fëmijët e tyre të qethen sipas modeleve el-kaza, qoftë model që është me rruajtje të një pjese të kokës, apo me shkurtim të flokëve që shkon shkallë-shkallë nga poshtë deri në maje të kokës. Çdo gjë që e ka ndaluar Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, parimisht ajo gjë është e ndaluar.
Përktheu: Jeton Shasivari