Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: el-Ixhabat el-Muhimmeh fi el-Meshakil el-Mulim-meh, fq. 306-309

 

Pyetje: Çfarë gjykimi ka ndjekja e një medh’hebi dhe a ka diçka të keqe në të? Çfarë gjykimi ka atribuimi ndaj një medh’hebi, siç janë: medh’hebi Hanbeli, Shafi, Maliki dhe Hanefi?

Përgjigje: Kjo çështje ka shtjellim duke u bazuar në tre kategori njerëzish:

Kategoria e parë: njeriu që ka aftësi shkencore dhe kualifikim për të bërë ixhtihad. Ai që i përmbush kushtet e ixhtihadit, nuk i lejohet të ndjekë një medh’heb. Përkundrazi, ai e ka detyrë që t’i referohet Kuranit dhe Sunetit dhe të marrë nga Kurani dhe Suneti atë që i bëhet e qartë. Këtë gjë e bëjnë vetëm imamët e mëdhenj, siç janë katër imamët e mëdhenj që janë të thelluar në dituri. Po ashtu, edhe ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit, as këtyre nuk u lejohet të pasojnë verbërisht dikë (taklid), sepse ata nuk kanë nevojë për këtë taklid dhe se ata janë të urdhëruar të pasojnë Kuranin dhe Sunetin, përderisa ata kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Këta janë ata të cilët e kanë të lejuar të bëjnë ixhtihad.

Kategoria e dytë: është nxënësi i dijes që është kompetent dhe i fortë në dije (mutemek-kin), i cili nuk e ka arritur gradën e ixhtihadit. Nuk ka gjë të keqe që ky t’i atribuohet medh’hebit të ndonjërit prej katër imamëve, siç është medh’hebi Hanbeli, Hanefi, Shafi dhe Maliki. Por ai merr atë që është e bazuar në argument nga fjala e njërit imam apo tjetrit. Pra, ai e merr atë fjalë të dijetarëve që është vërtetuar me argument.

Kategoria e tretë: fillestari në dije dhe Muslimani i thjeshtë (el-‘ammij). Ky e ka detyrë që të ndjekë një nga katër medh’hebet dhe t’i pyes njerëzit e dijes. Allahu i Lartësuar ka thënë:

فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

“...pyesni njerëzit e diturisë nëse ju nuk dini.” En-Nahl, 43

Pra, i pyet njerëzit e diturisë të cilëve ju beson për dijen dhe fenë e tyre, duke i marrë fetvat e tyre. Ky duhet patjetër të bëjë taklid, sepse po nuk pasoi dikë, do të devijojë.

Pra, njerëzit janë sipas këtyre tre gradave:

1 – Muxhtehid i përgjithshëm (mutlak). Këtij nuk i lejohet që të pasojë dikë verbërisht.

2 – Muxhtehidi në medh’heb. Këtij i lejohet që të pasojë dikë, por të mos pasojë pa argument; ky duhet patjetër që të kërkojë mendimin e saktë.

3 – Ai që nuk ka ndonjë kualifikim. Ai që s’e ka as të parën e as të dytën; as nuk është për ixhtihad të përgjithshëm as për ixhtihad në medh’heb, e ka detyrë që t’u bëjë taklid njerëzve të dijes, siç janë dijetarët e katër medh’hebeve dhe t’i pyesë dijetarët që janë të besueshëm në fenë dhe diturinë e tyre. Kështu, ai i pyet ata dhe e merr përgjigjen që ata i japin. 

 

Përktheu: Jeton Shasivari