Bismilah...

Autor: Hamud bin Abdullah et-Tuejxhri (1413 h.)

Burimi: El-Mexhmu’atu eth-Thalitheh, fq. 635-637

 

Sauafi thotë: “Kur Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar thotë duke i drejtuar të Dërguarit të tij me qëllim që ai t’u thotë njerëzve:

قُلِ انظُرُوا مَاذَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ

“Thuaj: Shikoni se çfarë ka në qiej dhe në tokë...” Junus, 101

A është për qëllim këtu thjesht vetëm soditja për të larguar hallet dhe brengat dhe për t’u mahnitur, apo është për qëllim vëzhgimi për kërkime, shkencë, vërtetim, hetime dhe meditim?!”

______________________________________________________________________

Përgjigja për këtë është që të thuhet: Nuk është për qëllim me urdhërimin për të shikuar në madhështinë e qiejve dhe të tokës, vetëm shikimi i tyre sa për të çliruar nga hallet dhe ankthet dhe për t’u mahnitur; as nuk është për qëllim vëzhgimi për të bërë hulumtime dhe zbulime se çfarë gjendet në trupat qiellorë, siç janë kodrat dhe detrat, si dhe gjëra të tjera për të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk kanë njoftuar. Kjo gjë konsiderohet e folur për të fshehtën (gajb-in) dhe e folur pa dituri.

Ajo që është për qëllim me shikimin e tyre është: meditimi, përfitimi, argumentimi për madhështinë dhe fuqinë e përsosur të Krijuesit; se Ai është i Adhuruari i Vetëm dhe se vetëm Ai duhet të adhurohet e askush tjetër përveç Atij.

Konteksti i ajetit flet për mushrikët dhe i fton ata që t’i besojnë Allahut të Lartësuar.

Begauiju për fjalën e Allahut të Lartësuar ka thënë: “Thuaj: “Shikoni...” قُلِ انظُرُوا  (Junus, 101) Domethënë: Mushrikët që të kërkojnë ty argumente, ti thuaju atyre: Shikoni se çfarë argumentesh dhe shembujsh ka në qiej e në tokë. Në qiell janë dielli, hëna, yjet, etj., kurse në tokë janë kodrat, detrat, lumenjtë, drunjtë, etj.” [1]

Unë them: kuptimi i plotë i ajetit tregon se kjo e folur u drejtohet mushrikëve, për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَمَا تُغْنِي الْآيَاتُ وَالنُّذُرُ عَن قَوْمٍ لَّا يُؤْمِنُونَ

“...por argumentet dhe paralajmërimet nuk u bëjnë dobi njerëzve që nuk besojnë.” Junus, 101

E ngjashme me këtë ajet është fjala tjetër e Tij, të Lartësuarit:

أَوَلَمْ يَنظُرُوا فِي مَلَكُوتِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَمَا خَلَقَ اللَّـهُ مِن شَيْءٍ

“A nuk shikojnë ata madhështinë e qiejve dhe të tokës dhe çdo gjë tjetër që Allahu ka krijuar...” el-Araf, 185

Dhe fjala tjetër e Tij, të Lartësuarit:

أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى الْإِبِلِ كَيْفَ خُلِقَتْ ﴿١٧ وَإِلَى السَّمَاءِ كَيْفَ رُفِعَتْ ﴿١٨ وَإِلَى الْجِبَالِ كَيْفَ نُصِبَتْ ﴿١٩ وَإِلَى الْأَرْضِ كَيْفَ سُطِحَتْ

“A nuk i shohin ata devetë si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë rrënjosur?! Po tokën, se si është rrafshuar?!” el-Gashijeh, 17-20

Si dhe fjala tjetër e Tij, të Lartësuarit:

وَجَعَلْنَا السَّمَاءَ سَقْفًا مَّحْفُوظًا ۖ وَهُمْ عَنْ آيَاتِهَا مُعْرِضُونَ

“Ne e bëmë qiellin kulm të qëndrueshëm. Kurse ata zmbrapsen para argumenteve Tona.” El-Enbija, 32

Kurtubiu ka thënë në tefsirin e tij: “ وَهُمْ “...kurse ata...” me fjalën “ata” do të thotë pabesimtarët (kufarët) “...zmbrapsen para argumenteve Tona.” (el-Enbija, 32). Allahu sqaroi se mushrikët treguan moskokëçarje në lidhje me shikimin e qiejve dhe argumenteve që gjenden në të, si: dita, nata, dielli, hëna, trupat qiellorë, era, retë dhe gjëra të tjera që ekzistojnë në të, që Allahu i ka krijuar me fuqinë e Tij. Nëse ata do t’i shikonin ato dhe do të merrnin mësim nga kjo, do ta kuptonin se qiejt kanë një Krijues të Plotfuqishëm, të Vetëm. Andaj, është pamundur që Ai të ketë ortak.” [2]  

Ta komentosh këtë ajet sipas asaj që thotë Sauafi se është për qëllim kërkimi, shkenca dhe vërtetimi, pra studimi se çfarë gjendet në trupat qiellorë, siç janë: kodrat, detrat, banorët dhe vërtetimi i hamendësimeve që bëjnë vëzhguesit e hapësirës, e gjithë kjo është shtrembërim i ajeteve të Allahut dhe nxjerrje e fjalëve jashtë kontekstit të tyre.

____________________________

[1] Tefsir el-Begauij, 4/153-154.

[2] Tefsir el-Kurtubi, 11/285.

 

Përktheu: Jeton Shasivari