Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij bin Hadij Umejr el-Medkhali

Burimi: Esiletun Muhimmeh haule er-Rukjeti ue er-Rukaat, fq. 24

 

 

Pyetje: Çfarë do të thotë hadithi: “Nuk ka problem për rukjet, përderisa nuk përmbajnë shirk”?

 

Shejkh Rabij: Po!

لاَ بَأْسَ بِالرُّقَى مَا لَمْ تَكُنْ شِرْكًا

“Nuk ka problem për rukjet, përderisa nuk përmbajnë shirk.” [1]

Nuk është prej rukjes që të vendoset parfum në organet gjenitale apo në të ndenjurat.

Pra, ti i lutesh Allahut – të Plotfuqishëm dhe të Madhëruar – dhe lexon një hadith, ajet apo dua. Kjo është e lejuar në Sheriat.

Disa prej këtyre rukjexhive lexojnë rukje me magji, bëjnë rukje me fjalë të cilat përmbajnë shirk; bëjnë rukje me fjalë që përmbajnë fjalë të huaja (jo-arabisht) në të cilat ka batil (të pavërteta) dhe shirk.

Rukja bëhet në gjuhën Arabe. Ai që e ka frikë Allahun dhe që është i devotshëm, nuk kalon përtej fjalëve të Allahut dhe fjalëve të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, por nëse zgjerohet dhe shton ndonjë dua nga vetja e tij që është e lejuar, nuk ka problem. Siç është duaja e të Dërguarit – ‘alejhi salatu ue selam:

 

‏ أَذْهِبِ الْبَاسَ رَبَّ النَّاسِ، اشْفِ وَأَنْتَ الشَّافِي لاَ شِفَاءَ إِلاَّ شِفَاؤُكَ، شِفَاءً لاَ يُغَادِرُ سَقَمًا ‏

Edh’hib el-bese rabbe nnasi, ishfi ue ente esh-shafij la shifae il-la shifauke, la jugadiru sekamen

“O Zot i njerëzve! Largoje fatkeqësinë (sëmundjen), shëroje se Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim vetëm se me shërimin tënd i cili nuk le sëmundje.”[2]

 

Apo i bën rukje vetes së tij, thotë tre herë “Bismilah” dhe pastaj thotë:

أَعُوذُ بِعِزَّةِ اللَّهِ وَقُدْرَتِهِ مِن شَرِّ مَا أَجِدُ وَأُحاذِرُ

E’udhu bi ‘izeti lahi ue kudretihi min sherri ma exhidu ue uhadhiru

“Kërkoj mbrojtje tek Fuqia dhe Madhëria e Allahut nga e keqja që ndjej dhe ia kam frikën.” (kjo dua thuhet shtatë herë).

 

Uthman bin Ebij el-As eth-Thekafij ankohej për një sëmundje dhe ai tha: shkova te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ngaqë kisha një dhimbje gati sa nuk më shkatërroi. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – më tha: “Vendose dorën e djathtë te vendi ku të dhemb dhe thuaj shtatë herë:

أَعُوذُ بِعِزَّةِ اللَّهِ وَقُدْرَتِهِ مِن شَرِّ مَا أَجِدُ وَأُحاذِرُ

Bismilah. E’udhu bi ‘izeti lahi ue kudretihi min sherri ma exhidu ue uhadhiru

“Kërkoj mbrojtje tek Fuqia dhe Madhëria e Allahut nga e keqja që ndjej dhe ia kam frikën.” [3] E thashë atë dhe Allahu më shëroi.

 

Ai e tha atë dhe u shërua. Gjëja më e mirë është Fjala e Allahut, pastaj fjalët e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Andaj, zgjidhe më të mirën. Pasha Allahun! Unë i këshilloj selefijtë që mos t’i hynë kësaj dere (rukjeve) dhe askush mos t’i atribuohet asaj.

 

Albani, Ibën Bazi dhe Ibën Uthejmini, a iu atribuuan këtyre gjërave? Selefët, duke u nisur nga Sahabët, Tabi’inët, Imamët e udhëzimit si Ahmedi, Maliku, Shafiju, a iu atribuuan këtyre gjërave?! Ku jeni ju? Ne themi: Selefët! Selefët! Ne i themi vetes Selefij! Pastaj shpikim kësi gjërash! Rukja është e lejuar, por jo me këto metoda. Jini pasues të vërtetë të hakut. Lërini këto gjëra që i prishin imazhin dauetit dhe njerëzve të tij.

Nëse të vjen ndonjë njeri e të kërkon t’i bësh rukje, bëji rukje ose le të shkojë te ndonjë tjetër. Me kaq mbaroi. Kurse shërimi është në Dorën e Allahut, i lutet Allahut – Azze ue Xhel-le, e shëron Allahu. I përkushtohet sinqerisht Allahut dhe lutet për veten e tij me këto lutje, dhe Allahu do t’i japë rrugëdalje.

 

﴿وَمَن يَتَّقِ اللَّـهَ يَجْعَل لَّهُ مَخْرَجًا ﴿٢﴾ وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لَا يَحْتَسِبُ ﴾

“Ai që ka frikë Allahun, Ai do t’i japë rrugëdalje atij dhe do ta furnizojë andej nga nuk e pret.” Et-Talak, 2-3.

 

Pyetje: o Shejkh! Kemi frikë se njerëzit e thjeshtë Muslimanë, do të shkojnë te magjistarët dhe fallxhorët?

 

Shejkh Rabij: Lëri le të shkojnë e të mos kthehen. Kush të ka ngarkuar ty me këtë detyrë? Ti shkatërron veten, jetën tënde dhe fenë tënde, duke iu përkatësuar rukjes për shkak se ata shkojnë te magjistarët!

 

Pyetësi: Jo! O shejkh! Porse ata vijnë tek unë.

 

Shejkh Rabij: Lëri! Lëri! Ata nuk vijnë te ti vetëm atëherë kur ti i përkatëson vetes tënde rukjen. Lëre këtë – Allahu të bekoftë. Lërja Allahut njerëzit. Mos e ngarko veten tënde.

 

﴿وَمَا أَنَا مِنَ الْمُتَكَلِّفِينَ﴾

“...unë nuk jam prej atyre që e ngarkojnë veten (me atë që nuk më ka urdhëruar Allahu).” Sad, 86

 

Ky ishte “argumenti” i parë i një rukjexhiu në Medine. Ai ishte shoku ynë dhe ishte selefij i mirë. Ai jepte mësim në Xhaminë Profetike. Pasha Allahun, ai pati ndikim që shumë të rinj Sufistë që ishin në Medine, ta linin Sufizmin. Ai ndikonte më shumë se të tjerët. Pas një kohe, i erdhi shejtani. Para se të merrej me rukje, erdhi dhe u konsultua me mua e më tha: “O Shejkh Rabij! Fulanit ia kam mësuar rukjen dhe ai tani bën rukje dhe merr parà; për një rukje merr 14.000 rijal (3.700 dollar).

 

E unë i thashë: “Të këshilloj të mos i futesh kësaj dere.” Më tha: “Pasha Allahun! Kam frikë për njerëzit mos shkojnë te fallxhorët dhe magjistarët.” I thashë: “S’je përgjegjës t’i për këtë punë. A do që t’i mposhtësh magjistarët dhe fallxhorët? Më tha: “Po”. I thashë: “Bëje atë që bënë thirrësit për tek Allahu. Shejkh Abdullah el-Kar’auij erdhi në rajonin tonë (në rajonin e Xhezanit në jugperëndim të Arabisë Saudite) dhe kishte shumë njerëz të sëmurë që rrinin në shtrat, nuk ngriheshin dot. Përse? Disa ishin të sëmurë me xhin dhe disa me diçka tjetër. Ata dilnin jashtë dhe shikonin xhin natën, në pemë e në rrugë. I kishin pushtuar shejtanët, ngaqë ishin injorantë për fenë e Allahut, nuk e kishin mësuar Teuhidin. Pastaj, erdhi ky Shejkhu dhe e përhapi Teuhidin. Nuk u bëri as rukje e as asgjë. Allahu ju bekoftë! Të gjitha këto gjëra që i kishin kapluar ata, morën fund. Morën fund atëherë kur u përhap Teuhidi dhe dituria. Kur njerëzit i pllakos injoranca për fenë, do të shtohen magjistarët, fallxhorët dhe shejtanët. Magjistarët, fallxhorët dhe shejtanët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

 

Kështu, unë e këshillova atë që të bëjë atë që bënë përmirësuesit, siç janë ata që thërrasin për në Teuhid, luftimin e shirkut dhe besëtytnive. Si rrjedhojë, shejtanët do të largohen prej tyre. Ata s’kanë nevojë për rukjexhi nga shejtanët dhe magjistarët, etj.

 

 

Fundnotat:

[1] Këtë hadith e ka nxjerrë Muslimi në “Kitabu-Selam”, nr. 2200, nga hadithi i ‘Auf bin Malik – radijAllahu ‘anhu.

[2] E ka nxjerrë Buhariu në “Kitabul-Merda,” (5675), si dhe në vende tjera nga hadithi i ‘Aishes – radijAllahu ‘anha. Po ashtu, e ka nxjerrë Ebu Daudi në “et-Tib,” (3890). Tirmidhiu në “el-Xhenaiz” (973), nga hadithi i Enesit – radijAllahu ‘anhu.

[3] E ka nxjerrë Muslimi në “Kitabu Selam” (2202), Ebu Daudi e ka nxjerrë të njëjtin hadith në “et-Tib” (3891), Tirmidhiu në “et-Tib” (2080), si dhe të tjerë që e kanë nxjerrë nga hadithi i ‘Uthman bin Ebij el-‘As – radijAllahu ‘anhu.

 

Përktheu: Jeton Shasivari