Bismilah...

Burimi: Sherhu Buluugi el-Meraam, Kitabul-Xhamië, hadithi 1541

 

Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – thotë në hadithin e ‘Ijjad ibën Himar:

إِنَّ اللَّهَ تعالى أَوْحَى إِلَيَّ أَنْ تَوَاضَعُوا، حَتَّى لَا يَبْغِيَ أَحَدٌ عَلَى أَحَدٍ، ولَا يَفْخَرَ أَحَدٌ عَلَى أَحَدٍ.

“Me të vërtetë që Allahu më ka shpallur mua që ju duhet të bëheni të përulur, derisa mos t’i bëjë zullum asnjëri nga ju dikujt tjetër dhe të mos mburret asnjëri nga ju para dikujt tjetër.” E ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij (nr.1541).

Pra, detyra e besimtarit është që të jetë njeri i përulur, modest, të mos bëjë zullum dhe të mos dhunojë askënd.

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَى وَيَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ وَالْبَغْيِ

“Me të vërtetë që, Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, që t’u jepni të afërmve, si dhe ndalon nga imoraliteti, ligësia dhe padrejtësia.” [en-Nahl, 90]

Kështu që, është detyra e besimtarit që të ruhet nga zullumi dhe padrejtësia, si dhe të përpiqet sa më shumë që të kryejë këtë obligim dhe të mbajë drejtësi në të gjitha çështjet.

Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ

“O ju njerëz, Ne padyshim që ju kemi krijuar juve nga një mashkull e një femër, pastaj ju kemi bërë juve popuj e fise, që ju të njiheni mes veti. E s’ka dyshim që, më i nderuari nga ju tek Allahu, është më i devotshmi nga ju!” [el-Huxhurat, 13]

Të gjithë ju u krijuat nga një mashkull e një femër, atëherë përse duhet të bësh zullum? Përse duhet të mburresh? Përse duhet të tregohesh mendjemadh? Obligimi është që të jesh i përulur e modest, që të mos bësh zullum, që të mos jesh mendjemadh, që ta dish se ti je i dobët, që je krijuar nga një cope mishi, nga një lëng i papërfillshëm.

أَلَمْ نَخْلُقْكُمْ مِنْ مَاءٍ مَهِينٍ

“A nuk ju kemi krijuar Ne juve nga një lëng i papërfillshëm?” [el-Murselat, 20]

Edhe nëse njeriut i bëhet rrizk pasuria që ka patur Karuni, prapëseprapë çështja mbetet e lehtë: detyra është që të mos mburret përpara njerëzve, të mos bëhet mendjemadh, as me pasuri, as me dituri, as me fuqinë e trupit e as me ndonjë gjë tjetër. Përkundrazi, ai e ka obligim që të jetë i përulur dhe modest:

إِنَّ اللَّهَ تعالى أَوْحَى إِلَيَّ أَنْ تَوَاضَعُوا، حَتَّى لَا يَبْغِيَ أَحَدٌ عَلَى أَحَدٍ، ولَا يَفْخَرَ أَحَدٌ عَلَى أَحَدٍ.

“Me të vërtetë që Allahu më ka shpallur mua që ju duhet të bëheni të përulur, derisa mos t’i bëjë zullum asnjëri nga ju dikujt tjetër dhe të mos mburret asnjëri nga ju para dikujt tjetër.”

إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ

“E s’ka dyshim që, më i nderuari nga ju tek Allahu, është më i devotshmi nga ju!”

 

Përktheu: Alban Malaj