Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz er-Raxhihi
Burimi: Troid.org
Metodologjia e Muhadithinëve:
Katër Sunenet (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh), Musnedi i Imam Ahmedit dhe Suneni i Darimiut, të gjitha ato përmbajnë hadithe që janë Sahih, Hasen dhe Da’if, ngase ata (autorët) nuk e bënë kusht që librat e tyre të përmbanin vetëm hadithe që janë Sahih, ashtu siç bëri Bukhari dhe Muslimi. Por, qëllimi i tyre ishte që të mblidhnin të gjitha hadithet që kishin të bënin me çështje të caktuara. Kështu janë edhe veprat e tjera, siç është Musnedi i Tejalisit dhe tre Mu’xhemët e Taberanit. Ndërsa Muwetta e Imam Malikut përmban hadithe që janë Sahih, Hasen dhe Da’if.
Falja e Namazit me këpucë:
“Faluni me këpucët tuaja.” [1]
Urdhëri në këtë rast nuk nënkupton obligim, por është rekomandim (istihbab). Ajo që tregon se ai nuk është obligim është fakti që:
“Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) falej këmbëzbathur dhe falej gjithashtu me këpucë mbathur.” [2]
Larja e gjithë trupit kur hyn në Islam:
Hadithi i Kajs (Ibn ‘Amr) është Sahih [3] dhe tregon se rekomandohet për mosbesimtarin që të lahet i tëri kur hyn në Islam, mirëpo ky nuk është obligim sepse shumë njerëz pranuan Islamin në ditën kur u pushtua Mekka dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk i urdhëroi ata që të laheshin. Kështu që, kjo e bën të qartë se të lahesh kur hyn në Islam nuk është obligim (uaxhib).
Kur njeriu përsos Islamin e tij:
Hadithi: “Kush bën mirë në Islam nuk do të japë llogari për veprat që ka bërë në Xhahilije (d.m.th. në kohën para Islamit). Dhe kush bën keq në Islam do të japë llogari për gjynahet e tij të shkuara dhe të tashmet.” [4]
Të bësh mirë në Islam do të thotë që je penduar nga shirku dhe gjynahet, kurse të bësh keq do të thotë të jesh penduar nga shirku por jo nga gjynahet, e që në këtë rast ky pendim fshin shirkun. Mirëpo sa i përket gjynaheve për të cilat robi nuk është penduar por vazhdon t’i bëjë ato edhe pasi që ka pranuar Islamin, atëherë ai do të japë llogari për këto gjynahe që i ka bërë duke qenë Musliman dhe për gjynahet që i ka bërë përpara se të pranonte Islamin.
Arsyeja përse Dijetarët përmendin ndonjëherë hadithe të dobëta në librat e tyre:
El-Hafidh Ibn Kethir, Ibn Kajjim dhe dijetarë të tjerë ndonjëherë kanë përmendur hadithe pa i kushtuar shumë rëndësi saktësisë së tyre dhe mbase kjo ka ndodhur për shkak të dy arsyeve:
1. Ka hadithe të tjera që e përforcojnë atë hadith (të dobët).
2. Ose ai është një hadith që të shtyn drejt asaj që është e mirë dhe të qorton që të qëndrosh larg asaj që është e keqe. Për këtë arsye ka pak liri në përdorimin e këtyre haditheve për këtë qëllim.
Gjendja e Muslimanit që lufton një Musliman tjetër:
Mospërputhja që duket në pamje të jashtme ndërmjet hadithit ku thuhet: “Sa herë që ngrihen shpatat e dy Muslimanëve kundër njëri-tjetrit, atëherë edhe vrasësi edhe i vrari janë në Zjarr” [5] dhe ajetit:
وَإِن طَائِفَتَانِ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ اقْتَتَلُوا فَأَصْلِحُوا بَيْنَهُمَا
“Dhe nëse dy grupe nga Muslimanët luftojnë kundër njëri-tjetrit, atëherë ju bëni pajtim ndërmjet tyre” [6]
sqarohet duke kuptuar se ajeti përshkruan ata të cilët luftojnë duke u bazuar në ixhtihad, siç ndodhi ndërmjet ‘Aliut dhe Mu’auijes (radij-Allahu ‘anhuma). Ndërsa hadithi ka për qëllim ata që luftojnë për shkak të përkatësisë partiake, patriotizmit apo epsheve.
Korrigjimi i të keqes:
Ka dy çështje që lidhen me hadithin e Ebu Se’idit: “Kush shikon një të keqe duhet ta ndryshojë atë me dorën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë duhet ta ndryshojë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë duhet ta urrejë me zemrën e tij, mirëpo ky është Imani më i dobët.” [7]
1. Kush nuk e urren një të keqe me zemrën e tij nuk do të thotë që ai është kafir, por do të thotë se ky person është gjynahqar.
2. Fraza “Imani më i dobët” lidhet me urrejtjen e tij të asaj të keqeje specifike, e që në përgjithësi ky person ka Iman të dobët. Në fakt, ky person mund të jetë me Iman të fortë sepse ai e urreu këtë të keqe me zemrën e tij, ndërkohë që nuk ishte i aftë ta korrigjonte atë me dorën e tij apo me gjuhën e tij dhe në këtë rast ai e ka plotësuar detyrën (uaxhib) që kishte, prandaj ai nuk është njeri me Iman të dobët.
I vdekuri nuk mund të dëgjojë përveç se në tri raste:
I vdekuri nuk mund të dëgjojë. Allahu i Lartësuar thotë:
إِنَّكَ لَا تُسْمِعُ الْمَوْتَىٰ
“Vërtet, ti nuk mund t’i bësh të vdekurit që të dëgjojnë...” [8]
dhe:
وَمَا أَنتَ بِمُسْمِعٍ مَّن فِي الْقُبُورِ
“Dhe ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” [9]
Megjithatë, janë tre rastet (kur të vdekurit mund të dëgjojnë) bazuar në hadithet që bëjnë përjashtim për këtë gjykim:
1. Kur Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i thirri mushrikët me emrat e tyre, të cilët ishin vrarë gjatë betejës së Bedrit. Kështu, ai u tha Sahabëve: “Ata më dëgjojnë ashtu siç më dëgjoni të gjithë ju, por ata vetëm që nuk më përgjigjen.” [10]
2. Kur personi është varrosur dhe i dëgjon hapat e atyre që marrin pjesë në varrimin e tij, siç është transmetuar në hadith: “Vërtet, ata i dëgjojnë zhurmat e këpucëve tuaja.” [11]
3. Kur personi pyetet në varrin e tij nga dy melaiket: Kush është Zoti yt, kush është Feja jote dhe kush është Profeti yt? Në këtë rast shpirti kthehet tek trupi në mënyrë që të dëgjojë dhe të përgjigjet.
Fundnota:
[1] Sahihul-Xhami’ (n. 3790).
[2] Sahih Ibn Maxheh (n. 850).
[3] Ai ka për qëllim hadithin e transmetuar në Sunenin e Ebu Davudit (n. 550) ku thuhet se kur Kajsi pranoi Islamin, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e urdhëroi atë që të lahej i tëri.
[4] Transmetuar nga Muslimi (n. 120).
[5] Transmetuar nga Bukhari (n. 31).
[6] Sure Huxhurat, 9.
[7] Transmetuar nga Muslimi (n. 49).
[8] Sure en-Neml, 80.
[9] Sure Fatir, 22.
[10] Transmetuar nga Muslimi (n. 2873).
[11] Transmetuar nga Bukhari (n. 1338).
Përktheu: Alban Malaj